Memorie.al publikon një letër të hapur të shkruar prej Bashkim Shehut, të birit të ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, të cilën ai ia dërgonte publikisht, Nexhmije Hoxhës, të vesë së diktatorit komunist Enver Hoxha, më datën 2 prill të vitit 2004, ku nëpërmjet gazetës “Korrieri”, ai ka reaguar ndaj librit “Miqësi e tradhtuar”, që Nexhmija, sapo kishte botuar në atë kohë dhe pjesë të atij libri, u publikuan për 15 ditë, nga gazeta “Shekulli”.
Vetëm dy ditë pas letrës në fjalë të Bashkim Shehut drejtuar publikisht Nexhmije Hoxhës, më datën 4 prill 2004, ka reaguar për herë të parë nga SHBA-së ku jetonte prej shumë kohësh edhe znj. Silva Turdiu, ish-volejbollistja e njohur e ekipit “Dinamo” të Tiranës dhe gjithashtu e përfaqësueses shqiptare, (ish-e fejuara e djalit të dytë të kryeministrit Mehmet Shehu, Skënderit), e cila me fakte dhe argumente, i përgjigjet akuzave që kishte shkruar në librin e saj, Nexhmije Hoxha.
Më datën 5 prill të vitit 2004, z. Bashkim Shehu, i është përgjigjur interesit të shtypit, duke dhënë një intervistë për të përditshmen “Koha Jonë”, ku shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i njohur, ka reaguar përsëri kundër librit me akuza të së vesë së ish – diktatorit komunist Enver Hoxha, Nexhmijes,
PAS PUBLIKIMIT TE KUJTIMEVE TE TE VESE SE ENVERIT
Silva Turdiu: Nexhmija gënjen
Flet ish-e fejuara e djalit të Mehmet Shehut
Pak ditë pasi Nexhmije Hoxha, ka nisur publikimin e kujtimeve të librit të tretë të saj, në njërën prej të përditshmeve shqiptare, vjen përgjigja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe e Silva Turdiut. Ish-e fejuara e djalit të Mehmet Shehut, dorës së fortë të regjimit komunist, njëkohësisht njëra prej personazheve më të përfolur të ngjarjeve që rrodhën pas vetëvrasjes së kryeministrit, reagon ashpër. Vajza e vogël e profesorit të njohur të matematikës, volejbollistja e talentuar e ekipit “Dinamo” dhe atij kombëtar, pinjolle e njërës prej familjeve më të njohura dhe të nderuara të Tiranës, thyen heshtjen pas shumë kohësh, për rrëfyer të vërtetat e saja.
Reagimi i Silva Turdiut nga SHBA-ës, kundër librit me kujtime të Nexhmije Hoxhës, “Miqësi e tradhtuar”
“Gazeta “Shekulli” po boton kujtimet e Nexhmije Hoxhës dhe diskutime të pabotuara të Enver Hoxhës, në lidhje me ngjarjet e 81-shit, ku përmendet shpesh emri im dhe i familjes sime. Në kokat e Enverit dhe Nexhmijes, fantazia dhe realiteti janë përzierë e bërë lëmsh, sa as ata vetë nuk dinë t’i ndajnë.
Kjo është e kuptueshme, jo vetëm sepse vepronin sipas parimit makiavelian se; qëllimi justifikon mjetin, por edhe se kanë qenë të rrethuar me “yes-men” dhe sikofantë.
Do të preferoja që, Nexhmije Hoxha dhe soji e sorollopi i tyre, të mos shkruanin më për mua e familjen time. Në pamundësi për ta kontrolluar këtë fakt, nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta përgënjeshtroj.
Do të kisha heshtur sikur të flitej vetëm për mua, por më vjen keq të përlyhet reputacioni i të tjerëve, shumica të vdekur e që nuk mund të përgjigjen.
Kujtimet e Nexhmijes përmbajnë, mes të tjerash, edhe thashetheme tendencioze për jetën private të familjarëve të mi, gjashtëdhjetë vjet me parë, që janë aq ordinere sa, nuk meritojnë përgjigje. Do të përqendrohem vetëm në pohimet me rëndësi “politike”.
Akoma sot, Nexhmija vazhdon të përsërisë përrallën enveriane te 6-7 kriminelëve të luftës në rrethin tim familjar. Nuk është e vërtetë që familjet Turdiu dhe Pipa kane pasur kriminelë lufte, por intelektualë demokratë, antikomunistë, që kanë përdorur vetëm fjalën dhe penën.
Pra Nexhmije Hoxha, për hir të së vërtetës, ta fshijë me gomë shprehjen “kriminelë lufte” në fletoret ku përmendet familja ime dhe ta zëvendësojë me “luftëtarë të fjalës dhe të penës”.
Nuk është e vërtetë që babai im, Prof. Qazim Turdiu, ka qenë me ‘Ballin’. E vërteta e thjeshtë është se, nuk është marrë kurrë me politikë, sepse nuk i pëlqente politika.
Arshi Pipën, nëna ime e kishte njëkohësisht djalë xhaxhai dhe djalë teze. Nuk është e vërtetë që Prof. Arshi Pipa, ka qenë “kreu i reaksionit dhe armik i popullit”, por, përkundrazi, simbol i rezistencës së popullit kundër diktaturës.
Vëllezërit Myzafer dhe Arshi Pipa, kanë qenë viktima të pafajshme të regjimit komunist. Gjatë Luftës, ishin antifashistë dhe demokratë të njohur (Nexhmija le të pyesë Ramizin). Pas Luftës, avokatin 29-vjeçar Myzafer Pipa, e vranë në tortura, sepse besonte në pavarësinë e sistemit gjyqësor, nga pushteti politik.
Profesorin e filozofisë Arshi Pipa, e kalbën në burg për ndjenja anti-jugosllave, në kohën kur Enver Hoxha ishte vegël e Titos. Më 1958, Arshi Pipa çau kufirin (bashkë me një nga motrat e tij trimëresha) dhe emigroi ne Shtetet e Bashkuara, ku u afirmua si dijetar i shquar e, hero i luftës për të drejtat e njeriut.
Nuk është e vërtetë që babai im, prof. Qazim Turdiu, ka qenë “përpunuar” nga Sigurimi. Fjala dashakeqase “përpunuar”, në tekstin e diskutimit të Enverit një ditë pas vdekjes së Mehmet Shehut, është qëllimisht e vakët dhe implikon gjëra të shëmtuara.
Ndërsa e vërteta është se në vitin 1972, Qazim Turdiun e thirrën në Ministrinë e Punëve te Brendshme ku, një zyrtar i lartë i saj i tha se duhej t’i shkruante të vëllait në Amerikë, Dr. Ramazan Turdiut, të ndërpriste veprimtarinë kundër regjimit komunist në Shqipëri.
Për ndryshe, do të kishte pasoja familjare shkatërruese. Qazim Turdiu, u konsultua me të vëllezërit dhe vendosën t’ia shkruajnë Ramazanit letrën, që e firmosi gjyshja, me bindjen se Ramazani, do ta kuptonte që ishin të shtrënguar.
Këtë fakt, Mehmet Shehu u mundua ta përdorë në debatet me Enverin për, të provuar se Qazim Turdiu nuk ishte armik. Enveri, i’u përgjigj se ka qenë i “përpunuar” dhe nuk e ka bërë me sinqeritet.
Prandaj Nexhmije Hoxha, për hir të së vërtetës, bën mirë ta shkarravisë fjalën “përpunuar” nga fletoret e Enverit dhe ta zëvendësojë me “kërcënuar”.
Sidoqoftë, është krejt e dukshme se fletoret e Enverit ,nuk janë autentike, por të sanitarizuara, me qëllim që Enveri të bëjë një figurë sa më të mirë dhe Mehmeti të duket si mjeran.
Ne realitet, përmbajtja dhe toni i përplasjes së Enverit me Mehmetin, ka qenë krejt ndryshe.
Nuk është e vërtetë që fejesa ime me Skender Shehun, qe e imponuar.
Nuk është e vërtetë që kemi pasur presione nga familja Shehu, apo emisarë të tyre për të pranuar fejesën.
Sipas traditës se popullit tonë, çdo fejesë ka anën personale që i takon çiftit, dhe anën familjare me të cilën merren prindërit.
Është e vërtetë se Qazim Turdiu, hezitonte për ta lidhur fejesën, jo se “nuk donte të tradhtonte klasën e tij”, siç shkruan anakronikisht Nexhmija, sepse, ishte humanist dhe nuk besonte në ndarjen e popullit në klasa, por sepse, nuk aprovonte anën brutale të regjimit, ku Mehmet Shehu, ishte njëri nga protagonistët.
Por, nga ana tjetër edhe besonte se çdo dash varet nga këmbët e veta dhe se i biri, nuk është përgjegjës për mëkatet e babait.
Nuk është e vërtetë që figura morale e Skënder Shehut, ka qenë ashtu siç e përshkruan Nexhmija. Ajo le të pyesë shokun e ngushtë të Skënderit, Ilir Hoxhën.
Nuk është vërtetë që, Enver Hoxha “nuk dinte asgjë” për Qazim Turdiun, kur bëri vizitën për urimin e fejesës. Unë isha prezent. Më tha vetë se e njihte mirë Qazim Turdiun dhe shprehu konsideratë te lartë. Pse e ndërroi fletën me vonë?!
Në diskutimin ne Byro, Enveri shprehu merak të madh për fotografitë e fejesës me Enverin ne krye, se mos kanë rënë në duart e reaksionit ndërkombëtar, duke sajuar fantazinë se; fotografitë do të kenë shkuar te Turdinjtë, pastaj në Greqi dhe më pas në duart e Arshi Pipës në Amerikë.
E vërteta është se, as që u kujtua njeri për fotografitë me Enverin (Enverit i pëlqente kamera dhe nuk linte rast pa dalë në fotografi), dhe do të kenë ngelur në aparatin e ndonjërit prej fotografëve të “Bllokut”.
Fantazia e “komplotit” të fotografive, është një maket në miniaturë i konstruksioneve fantastike të komploteve të paqena në trurin diabetik enverian.
Ato që Enveri dhe Nexhmija kanë shkruar për faktet që unë i di dhe njerëzit që unë i njoh, janë pothuajse të gjitha gënjeshtra.
Po të përdorim metodën e arsyetimit me induksion, shumica e gjërave që kanë thënë edhe për të tjerët, duhet të jenë gënjeshtra.
Megjithatë, nuk është e vështirë “to read between the lines” në kujtimet e Nexhmijes: Situata në udhëheqjen e Partisë, ishte mbytëse.
“Shokët” (tashmë të plakur dhe të rrjedhur), urrenin njëri tjetrin, ruanin nëpër kasaforta dokumente “komprometuese”, për shoku-shokun dhe mezi prisnin që dikush të gabonte e, t’i suleshin si qenë të uritur.
Enveri, ndiqte taktikën “përçaj dhe sundo”, Kadriu donte t’i zinte vendin Mehmetit, ndërsa Ramizi, synonte largpamësisht karrigen e Enverit.
“Shoqet”, përdornin taktikat e plakave ziliqare, për t’u futur xixat pleqve: “E di ti Enver se, çfarë biografie ka e fejuara e Skënderit?
“Po kolltukët e rinj të Fiqretit i vure re? I kanë më të mira se tonat. Me që ra fjala, Turdiu i ka vënë notë të keqe Pranverës në matematikë”!
Dhe kulmi i absurditetit, aq sa futet në kategorinë e qesharakes, është sajesa enveriane se; poli-agjenti Mehmet Shehu, mori urdhër të prerë nga shërbimet e huaja qe, te vrasë Enver Hoxhën, për të përmbysur regjimin në Shqipëri.
Këtë nuk e bëri dot, sepse ishte shumë “e vështirë” (ndonëse me dhjetë veta, mund ta pushtoje të tërë Bllokun). Atëherë, si variant i dytë, për të përmbysur regjimin, fejoi djalin!
(Është shumë më e pranueshme që një individ inteligjent, si Mehmet Shehu, nën influencën modernizuese të djemve të tij, t’a kishte kuptuar më në fund, kotësinë vëllavrasëse të luftës së klasave dhe t’a shikonte këtë fejesë si, një mjet për ta përmirësuar regjimin, dhe jo përmbysur atë.)
Të kthehemi në kohën e tashme:
Mirë se Enveri ishte i çmendur dhe ka vdekur, por ty Nexhmije Hoxha, po të flas si grua dhe si nënë, si nuk te vjen turp që nuk shpëtove shoqen tënde të ngushtë të shkollës e të luftës dhe fëmijët e saj, që u rritën bashkë me fëmijët tuaj.
360grade.al