Home KRYESORE -Pse SEKRETE? – e pyeta. – Nuk më duken edhe aq SEKRETE.

-Pse SEKRETE? – e pyeta. – Nuk më duken edhe aq SEKRETE.

Bibloteka Nga Arta Marku

Po mendoja se, më shumë sesa SEKRETE, mund t’u përshtatej përcaktimi TË PANJOHURA ose më mirë PAKTËNJOHURA. Të paktën në një pjesë të tyren. Megjithatë fjala SEKRET qëndronte përsosmërisht në vendin e vet, në disa raste. Sikurse ishte ai i historisë së At Nikolla Markut. Ai po, kishte rrëfyer një SEKRET të mirëfilltë, nga ata të vështirët madje dhe s’ishte e rastit që kjo fjalë qëndronte qysh në titullin e këtij teksti…


“…Duhet ta thuash, tha gruaja, ku i dihet edhe sa je.
Është SEKRET, tha Nikolla Marku.
Mos merr SEKRETE me vete, thashë unë.
Unë jam nipi i Kristofor Kisit, tha Nikolla Marku.
Kush është Kristofor Kisi, e pyeta.
Kryepeshkopi i Shqipërisë deri në vitin 1945.
Nuk e dija, thashë unë, qenke nip kryepeshkopi.
Askush nuk e di, tha Nikolla Marku.
Thuaja tamam, tha gruaja.
Mamaja ime ishte vajza ilegale e Kristofor Kisit.
Ça thua, pyeta unë.
Po, tha gruaja.
Kristofor Kisi nuk mund të deklaronte një fëmijë, sepse ishte kryepeshkop dhe nënën time ia dha një familjeje të pasur nga Berati, ku jetonte.
Po mamaja e dinte që ishte vajza e Kryepeshkopit të Shqipërisë?
E dinte, tha gruaja…”

E po, ja tek është një SEKRET në kuptimin e plotë të fjalës. Po të tjerët? Se janë edhe 40 rrëfime të tjera.
Ku janë SEKRETET?

Njëfarësoj, mund të quhet SEKRET edhe ajo historia fëminore mes Andi Bushatit dhe Ben Blushit.
Enkas Blushi e merr në telefon mikun e tij të hershëm për të folur për SEKRETIN e tyre të dikurshëm.
“Uuu po, e mbaj mend…” – i thotë, me mënyrën e tij tipike, Bushati, Blushit.
Dhe SEKRETI qenkësh shumë i papritur, i bukur, ngacmues ia vlen të rrëfehet. Meriton më shumë. Meriton një film apo meriton një libër të tërë. Apo ndoshta, i rrëfyer në këtë mënyrë, brenda faqeve të një libri me shumë rrëfenja të tjera mjafton, duke qenë zgjidhja më e mirë për ta zbuluar? Blushi kështu e ka menduar, fundja është rrëfimi i tij dhe ka zgjedhur ta shenjojë si një nga perlat e një kolane që qëndrojnë bukur varg njëra pas tjetrës.

Kësisoj, Blushi rrëfen se Bushati pat shkuar një herë në Dajt. E mori me vete gjyshi, Hysni Kapo, në vilën e udhëheqjes pa i shkuar ndërmed se ç’mund të sajonte nipi trazovac. Aty, mbi tryezën e një zyre që e përdornin ata të udhëheqjes sa herë shkonin, i vogli sheh një bllok në kopertinën e të cilit shkruhej “Numratori telefonik SEKRET”. Ja edhe një herë fjala SEKRET. Një i rritur mund të kish preferuar t’i rrinte larg SEKRETIT. Sidomos atyre kohëve kur, më e mira ishte të mos dije shumë SEKRETE. Duhej t’u shmangeshe, si zjarrit që përndryshe të përcëllon. Në mos, një i rritur thjesht do të kish shuar një kureshtje për veten dhe aq. Një fëmijë, jo, nuk ndalet aty. Një fëmijë, sikurse edhe Bushati, nuk rri dot shpërfillës ndaj SEKRETIT. Kështu ai e mori bllokun, u fut poshtë tavolinës dhe i kopjoi numrat një e nga një. Të nesërmen, në shkollë e ndan SEKRETIN me shokët. A mund të mbahet për vete një SEKRET i tillë? Ç’kuptim ka një SEKRET kur të tjerët nuk e dinë se ti e ke? Madje as shokët nuk e mbajnë dot. E shpërndanë edhe ata dhe SEKRETI mori dhenë. U bë një katrahurë e madhe. Ndodhi hataja, prindërit i thërrasin në Ministri të brendshme. Këta shkuan pastaj, shtëpi më shtëpi dhe ua morën listat e numrave SEKRETË të gjithë fëmijëve trazovaçë e që nuk kuptonin shumë nga ajo që kishin bërë. Ia morën edhe Blushit. Por, kur SEKRETI merr rrugë vështirë të ndalet. Blushi nuk donte të hiqte dorë kollaj nga SEKRETI që kishte fatin ta kishte në dorë. Kur pat kopjuar numrat në bllokun e tij, i kishte mëshuar fort stilolapsit e ai kish lënë gjurmë në fletën e poshtme. Blushi u bie përsipër dhe ja tek rishfaqet SEKRETI, mes tyre më i jashtëzakonshmi, numri telefonik privat i Enver Hoxhës. Blushi i formon ato katër shifra. Një “alo” burri dëgjohet nga ana tjetër dhe fëmija e mbyll. I bie sërish. Po fliste me Enver Hoxhën. Kështu derisa numrat SEKRETË që nuk janë më SEKRET, zëvendësohen me të tjerë duke krijuar një SEKRET të ri që nuk mund të zbulohej më.

Ja pra edhe SEKRETI tjetër, disi në kuptimin e saktë të fjalës. Po më?
Do të mjaftonin dy të tilla për t’i dhënë titullin një libri. Ama me “41 SEKRETE” të Ben Blushit jemi në letërsi. Personazhet janë persona të vërtetë dhe rrëfenjat po ashtu e megjithatë në letërsi jemi. Kështu edhe fjala SEKRET, pavarësisht numrit të tyre që zbulon, qëndron drejt si një koncept letrar edhe pse jo vetëm.


Kohë pasi librin e kisha mbaruar së lexuari e madje edhe intervistën me autorin e kisha bërë, zbulova një SEKRET tjetër, të pranishëm në faqet e tij.
-Është çdo gjë e përpiktë në rrëfimin e Blushit, – më tha Bojken Lako. – Po, po, krejt ashtu siç i kam thënë unë e ka shkruar ai. Ama më ka zbuluar një SEKRET.
-Po ç’sekret ka aty?! Janë gjëra që i dinë të gjithë, – u bëra kureshtare.
Kështu Bojkeni më tha se Blushi kish shkruar për aksidentin e tij me makinë.
“Isha me 100 km në orë, te Myslym Shyri”…
Fiks kështu ka ndodhur, kështu ia ka thënë Bojkeni, Blushit e kështu e ka shkruar ai. Ama ka aty një SEKRET. Bojkeni nuk i kish treguar gjë të ëmës, për të mos e bërë merak. Asgjë s’kish pësuar, për fat. Kishte shpëtuar vetëm me një dhëmb të thyer. Kështu që e ëma s’kish pse shqetësohej për gjë. Por më mirë të mos e dinte. Kurse rrëfimi i Bojkenit bëhet publik dhe e ëma e merr vesh SEKRETIN… Jo, i biri nuk do të kishte dashur.


S’kisha nga ta dija gjatë leximit të librit 41 SEKRETE se cilat mund të ishin SEKRETE të mirëfillta që rrëfyesit nuk do të kishin dashur të bëheshin publike e cilat ishin nisur të thuhen qëllimisht, qysh në krye të herës, me idenë e qartë për t’u bërë publike.
Thjesht po mendoja se disa gjëra për mua nuk ishin SEKRETE, se i njihja. Ia njihja, për shembull, historinë Vangjush Mios ama për herë të parë mësoja se monumentin e Stalinit, Julien Roche e paskësh blerë me qëllimin për t’ia çuar dhuratë të motrës që ta vendoste në oborrin e saj. E meqë motra nuk e deshi shtatorja mbeti në Tiranë. Nuk kishte qenë SEKRET i mirëfilltë, por kishte qenë, deri në botimin e librit, të paktën për mua, një informacion i mbuluar që zbulohet. E kisha ditur se shtatorja është vendosur në oborrin e vilës 30, ish vila e Mehmet Shehut, tashmë e restauruar, prej nga sheh bulevardin. Madje e pata fotografuar. Dija akoma më shumë detaje për rrugëtimin e kësaj shtatoreje që dikur mbretëronte e vetme në shesh derisa në vitin 1968 vendin ia mori Skënderbeu. Dija shumw gjwra pwr atw skulpturw dhe jo pak gjwra tw tjera nga brendia e rrwfenjave tw Blushit.
Por nuk dija megjithatë sa sa “SEKRETE” të tjera personazhesh sidomos anonimë me histori sa të papritura aq edhe intriguese…

Por mënjanë SEKRETEVE dhe zgjedhjes së kësaj fjale për të identifikuar një libër të tërë. Një titull është një titull, shpjegon diçka por jo gjithçka. S’ka pse. Mund të jetë një karrem dhe mirë është të jetë i tillë. Pas tij fillon depërtimi në faqet mes kapakëve të librit.


41 SEKRETE është libri më i ri i Ben Blushit, krejt i pangjashëm me të parët e ndoshta vështirë të gjesh ngjashmëri edhe jashtë krijimtarisë së autorit. Në gjenezë qëndrojnë fotografitë. Si një pasion i ri i zbuluar së fundmi, e mban të mbërthyer pas vetes shkrimtarin siç dinë të mbajnë mbërthyer pasionet. Me një aparat në dorë, Blushi, herë nisej drejt një figure që i tërhiqte vëmendjen rastësisht në rrugë e herë me qëllimin e qartë, drejt dikujt që besonte se i ofronte lëndë për objektivin e aparatit e aq për shkrimin.
Fotografoi shumë e bisedoi shumë. Lista është tejet e gjatë, por pastaj zgjodhi mes personave që do t’i shndërronte në personazhe por zgjodhi edhe brenda rrëfenjave. Zgjodhi ekstraktet dhe la mënjanë çfarë s’i duhej. Zgjodhi po ashtu edhe stilin që do t’u përshtatej rrëfenjave: një stil rrjedhës, ritmik, pa ndalesa të kota e pa ujra të tepërta. Edhe një pjesë të mirë të shenjave të pikësimit i shmangu duke përdorur veç sa i lipseshin për ta bërë të qartë rrëfimin. Dhe shkoi më në fund në takimin e radhës që këtë herë ishte me lexuesin.


Për personat e shndërruar në personazhe;
Për figura publike dhe njerëz anonimë;
Për familjarë të shenjuar nga pazakonshmëri;
Për histori të papritura dhe ngacmuese;
Për fotografi dhe biseda;
Për portrete të paautorizuara;
Për SEKRETE që nuk mbeten më të tilla;
Për detaje të njohura që ia vlen rikujtimi;
Për 41 SEKRETE, me Ben Blushin,
sonte, ora 23. 00, në RTSH1
BIBLIOTEKË.

Ritransetimi, e hënë 15.00

bibliotekengaartamarku

Share: