Home KRYESORE Shaban Murati: Kadare, gjeniu dhe njeriu

Shaban Murati: Kadare, gjeniu dhe njeriu

Gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, të cilin kam patur fatin dhe nderin ta njoh nga afër gjatë rreth 60 viteve, është modeli i vlerave të rralla njerëzore dhe qytetare.

Është shkrimtari i vetëm shqiptar, që jetoi me letërsi në periudhën e re demokratike, ku hyri Shqipëria pas rënies së komunizmit, megjithëse deshën ta joshin me poste presidenciale dhe shtetërore.

Lukunia e shkrimtarëve dhe e poetëve të realizmit socialist iu ngjit pushtetit të ri demokratik dhe partive kryesore politike dhe shitën letërsinë dhe shpirtin në shkëmbim të darovitjeve të regjimit demokratik dhe u bënë ministra, deputetë, ambasadorë, funksionarë të lartë të shtetit. Arrivistët letrarë tentuan të arrinin famën letrare nëpërmjet ‘famës’ së re politike. Regjimi demokratik përdori teserën e tyre letrare për qëllimet e veta dhe si shpërblim të shërbimeve politike u dha ofiqe, vila, pallate, toka, licenca, kompani, etj. Shpirti i tyre letrar dhe njerëzor vdiq në regjimin demokratik, sepse mungesa e talentit të vërtetë dhe vulgariteti i tyre artistik, shpirti i vogël rural dhe etja harpagoniane për para, i shtynë të kapen pas kularit politik, tek i cili besuan se do t’u sillte edhe pasurinë, edhe famën zyrtare letrare. U bënë shkrimtarë dhe poetë të oborreve rurale partitokratike dhe të udhëheqësve vanitozë të pushtetit të demokracisë dhe tek ata humbi edhe shkrimtari, edhe njeriu.

Ndaj ngrihet fuqishëm në planin njerëzor dhe moral figura vigane e Ismail Kadaresë, i cili me gjeninë e tij i qendroi besnik letërsisë dhe krijimtarisë së tij të pashoqe, e cila i dha lavdinë dhe përjetësinë.

Share: