Home KRYESORE Si ta fotografosh një shkrimtar? Pse tek e fundit?

Si ta fotografosh një shkrimtar? Pse tek e fundit?

Për NJË KARRIGE PËR SHKRIMTARËT, me Roland Tashon, në RTSH1 BIBLOTEKE.

Nga Arta Marku


E nëse vendos të bësh një cikël me foto shkrimtarësh si mund ta gjesh një fije lidhëse që e arsyeton të qenit e tyre bashkë? Si të krijosh një lloj kolane, perlat e të cilës të kenë një “eureka” që i bën të qëndrojnë varg?
Me gjasë mund të zgjedhësh një objekt. Një makinë shkrimi, për shembull. Është e para gjë që të vjen në mendje e cila në mënyrën më të drejtpërdrejtë i lidh shkrimtarët me shkrimin. Shkrimtarët shqiptarë, në mos mirëfilli bashkëkohorët, e kanë përdorur një të tillë. Apo jo krejt të gjithë. Në të vërtetë, disa nuk e kanë pasur, s’ishte e lehtë ta siguroje dikur. Kështu një letër e bardhë vihej mbi tryezën e punës e mbi të shkruhej me dorë. Sa e sa romane, tregime a poezi kështu kanë nisur të shkruhen. Por ideja e makinës së shkrimit gjithsesi qëndron si një element lidhës apo identifikues letërsie. Shndërrimi i saj në një relike muzeale sot ia ka shtuar vlerën edhe pse jo përdoruese. Por varet si e sheh. A mos përçon një ndjesi ftohtësie? Ndoshta pse është prej metali…
Të gjitha këto i pat menduar fotografi Roland Tasho këtu e mbi 25 vjet të shkuara kur pati idenë t’i kushtohej një cikli fotografish me shkrimtarë. Më në fund kish hequr dorë nga makina e shkrimit. Një karrige po, i dukej më e përshtatshme. S’i interesonte forma apo funksioni. Zgjodhi njërën prej katër karrigeve të bukës që kishte në shtëpinë e tij dhe përfytyroi shndërrimin e saj. Ajo do të bëhej filli lidhës i të gjithë shkrimtarëve që do t’i vinte të pozonin. I dukej se objekti i përçonte atë që donte, ndjesinë e ngrohtësisë. Dhe ashtu ishte për shkak të ngjyrës dhe materialit.

Dhe pastaj a nuk përdorin të gjithë shkrimtarët një karrige për të shkruar? Thuhet se Heminguejit s’i lipsej një e tillë sepse shkruante në këmbë. Por, edhe në mos qoftë i vetmi, ishte ndër të rallët. Shkrimtarët ulen. Secili në karrigen e vet, herë në skrivani, në dhomën a cepin studio e herë drejt e në tryezën e bukës kur të tjerët në shtëpi kanë mbaruar së ngrëni kanë shkuar të flenë. Kësisoj një karrige për shkrimtarët ka gjithnjë kuptim. Akoma më shumë, mbi karrigen që do t’i përbashkonte të gjithë mund të hidheshin firmat tyre, para apo pas fotografimit. Po, mbi dru mund të shkruhet dhe gjurmët e lapustilit mund të mbeten, siç nuk mund të ndodhë në sipërfaqet e lëmuara të një makine shkrimi ku vetëm mund të gërvishtet.

Më në fund, me idenë e konsoliduar Roland Tasho u lidh me shkrimtarët dhe u bëri propozimin e tij. Ata, asgjë kundër nuk kishin, përkundrazi.

Së pari u nis për te Ismail Kadareja, i cili bashkë me Helenën firmosën në pjesën e pasme të mbështetëses së karriges së drunjtë. Pas tyre Mira Meksi, Natasha Lako, Lazër Stani, Gaqo Bushaka, Piro Misha e Dhimitër Xhuvani, hodhën firmë në të njëjtin vend. Visar Zhiti pak më tutje firmosi vertikalisht në njërën nga pjesët gjatësore të shpinores e Luljeta Lleshanaku në tjetrën. Mimoza Ahmeti zgjodhi pjesën horizontale të ndenjëses kurse Ervin Hatibi ishte i vetmi që e la firmën në pjesën e poshtme që për ta parë duhet ta kthesh karrigen përmbys. Dritëro Agolli, Kiço Blushi, Aurel Plasari, Moikom Zeqo, Fatos Kongoli, Vath Koreshi, Xhevahir Spahiu, Jusuf Vrioni e disa të tjerë, në pjesën e përparme të shpinores. Lubonja dhe Aliçka te këmbët e karriges e kështu me radhë. Duket sikur kishte një vend të preferuar e një vend më pak të tillë.

Se fundja në shpinore ka më shumë firma se në ndenjëse. E nën ndenjëse ka një firmë të vetme. Por, këshu ka zgjedhur gjithsecili. Me siguri kanë qenë të qartë, në fund të fundit, pavarësisht hapësirës së zgjedhur, se po firmosnin një objekt i cili në tërësi e pikërisht për shkak të firmave të tyre do të shndërrohej nga një objekt i rëndomtë shtëpiak që përdorej nga familjarët për vaktin e ngrënies, në një objket muzeal me plot 46 firma shkrimtarësh. Do të shndërrohej pra në një lloj relikeje simpatike që nuk mund t’i lerë shpërfillës shikuesit.

me shndërrimin e karriges u plotësua një album fotografik. Dhe ja tek u shfaq me titullin NJË KARRIGE PËR SHKRIMTARËT, bashkë me ekspozitën: në qendër karrigia e rrotull, varur nëpër mure, fotot e shkrimtarëve…


Por, pse janë 46 shkrimtarë dhe jo më shumë? Pse këta dhe jo të tjerë? A ka shkrimtarë të munguar për të cilët fotografit i vjen keq që nuk i ka pjesë të koleksionit të tij dhe firmat e tyre në karrige? Si e ka bërë ai përzgjedhjen? A ka në këtë mes një lidhje emocionale vetjake? Si ka shkuar te shkrimtarët? Ku i ka gjetur, ku i ka takuar? A ka ndërmend ai ta pasurojë karrigen me firma të reja? Sa e përfaqëson, tek e fundit, kjo karrige dhe ky album që e shoqëron, një kohë të caktuar të letërsisë shqipe dhe emrave të saj?

Disa herë, siç më tha Roland Tasho, ishin librat që kishin lënë gjurmë tek ai nga fëmijëria e në vazhdim. Ja pse i takoi autorët e librave Cikoja dhe Beni apo Çufoja dhe Bubi kaçurel. Ja pse nuk mund të mos e zgjidhte përkthyesin e Tre shokëve të cilit ia lexonte me ëndje edhe poezitë. Disa herë shkrimtarët i kishte rrotull në të përditshmen e tij. Dhe s’mund të mos e shfrytëzonte mundësinë e t’u kërkonte firmë dhe t’i fotografonte Mira Meksin, Luljeta Lleshanakun, Fatos Lubonjën, Teodor Kekon, Andi Bejten, Ben Blushin, Moikom Zeqon…

Të tjera herë nuk do të ngurronte ta merrte karrigen me vete e t’u trokiste në derë disa njerëzve të letrave. Dhe ia hapën Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Jusuf Vrioni. Një telefonatë do të mjaftonte për të pasur firmat dhe fotot e Natasha Lakos, Kiço Blushit, Xhevahir Spahiut… Do të vraponte me të marrë vesh se kishin mbërritur në Tiranë Elvira Dones, Betim Muço, Bashkim Shehu… Do të përdorte njohjet e përbashkëta për t’u lidhur me të tjerë autorë sikurse Kolë Jakova apo Llazar Siliqi…

A ka shkrimtarë të munguar, megjithatë?

Padyshim që po. E pamundur të mos kishte. Jo vetëm se procesi nuk mund të ishte i pambarimtë, por mbi të gjitha fotografi nuk e ka parë karrigen e tij si gjithëpërfshirëse për letërsinë shqipe. As që do të kishte mundur të krijonte një të tillë. Ka keqardhje për disa mungesa. Se prsh shumë do të kish dashur të kishte Petro Markon por ideja i erdhi vonë. Asgjë kundër nuk do të kish pasur të udhëtonte me karrigen e tij për t’ia çuar për firmosje edhe autorëve jashtë kufijve por nuk e ka pasur aspak të lehtë. A mund të vijojë plotësimi me autorë që sot me lehtësi mund të shtoheshin përmes firmosjes së karriges dhe fotografive? Asgjë s’e pengon por, procesin e quan të mbyllur. Kështu me pranitë dhe mungesat, një karrige shtëpie është bërë NJË KARRIGE PËR SHKRIMTARËT.

Dikur Moikom Zeqo i pat hedhur idenë për ta bërë pjesë të muzeut. Iu kujtua Dritëroi kur, teksa mbi faqet e karriges së drunjtë vetëm sa kishin filluar të hidheshin firmat e para, i pat thënë: “Kjo karrige është si puna e verës, sa më e vjetër aq më me vlerë ka për të qenë”.

Dhe po. Tri karriget e tjera të bukës, në kuzhinën e fotografit, janë zevëndësuar me të reja, më bashkëkohore më komode. Kurse kjo e firmosura jo vetëm nuk e humbi vlerën por rifitoi vlerë duke i rivalizuar të gjitha. Të ngjashmet dhe të ndryshmet.
Fotografin e ftova në studio…

Për NJË KARRIGE PËR SHKRIMTARËT, me Roland Tashon, në RTSH1
BIBLIOTEKË.

Share: