Home KRYESORE “Udhëtim” në tekstet e Flutura Açkës* Nga Behar GJOKA

“Udhëtim” në tekstet e Flutura Açkës* Nga Behar GJOKA


Leximi dhe rileximi i krijimtarisë letrare të Flutura Açkës, e cila e ka përvijuar profilin si poete dhe prozatore e spikatur, sidomos në lavrimin e romanit, madje duke tentuar sendërgjimin e sagës romanore, ka në fokus të verifikimit dhe interpretimit, vetëmse tekstet letrare, pavarësisht gjinive dhe zhanreve të ligjëruara prej saj. Pra, akti i rileximit dhe shqyrtimit të librave të autores, do të ndalet tek ato tekste letrare, të cilat gjatë kësaj kohe kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve, të gjithë grupmoshave, si dhe të kritikës dhe studimeve letrare. Bindja ime e konsoliduar, tashmë nëpër këto vite se teksti/ligjërimi letrar është pasaporta unike, gati e vetëmjaftueshme, që përfaqëson autorin/autoren, e prandaj ndalimi do të jetë në hapësirat e teksteve të shkruara këtyre moteve. Megjithëse, në shqyrtimin e veprave të periudhave të ndryshme të letrave shqipe, vazhdueshëm më ka stërmunduar, por njëherit edhe më ka mprehur shqisën e hulumtimit, për ta shijuar dhe zbuluar vlerën e një libri, në lexime dhe rilexime të pambaruara. Kurrësesi për ta shpjeguar atë, sepse letërsia, realiteti imediat imagjinar, nëse do të shpjegohej përfundimisht, gjë e pagjasshme që të ndodhë, pra që të mbyllet në kafazin mendjembyllur, atëherë letërsia do të fanitej me një kadavër pa jetë, pa frymë dhe pa shpirt!

Pra, te teksti dhe vetëm aty gjellijnë shenjat estetike, që ndërkaq në pavetëdije, ma hepon mendjen dhe shpirtin, si dhe shenjon një aspekt jetik që krijon premisat se në art dhe letërsi, gjithnjë ka një shans fluturimi në qiellin e lirisë, me gjasë një mundësi arratie, ku megjithatë askush nuk ka hipotekën e pronëzimit, si me thënë të shpjegimit përfundimtar. Porse lexuesi dhe autori përmes tekstit kanë ngritur hipotekën eterne të vlerave shpirtërore dhe artistike, që shtegtojnë në kohë-hapësirën e pamatshme. Duke marrë në konsideratë realitetin agravues, në atdheun tonë ku flitet jo pak për lirinë, për të mbetuar në skllavëri, kur ende jetojmë në një demokraturë, pra as në diktaturë, as në demokraci, si engjuj shpëtimtarë, afrohen njerëzit e artit dhe letërsisë, siç vjen e shprehur qartë në idenë e Keneth Clark: “Nga ana tjetër e humnerës ishin shpirtrat e hollë – poetët, piktorët, romancierët…” të cilët i kundërvihen të keqes, me fuqi të pazakontë shpirtërore. Sipërmarrja e pagjasshme, ku ndërthuret kënaqësia dhe përgjegjësia e shoqëruar me kthjelltësinë e mendjes, e po kaq me hemisferat unike të shpirtit, që zbulohen vetëmse përmes leximit dhe rileximit, e sidomos të verifikimit dhe shqyrtimit të shenjave estetike, e përqasur në dy optika, që ta mundësojnë hetimin e ligjërimit letrar:

E para: Leximi i secilit tekst të Flutura Açkës , në poezi dhe në prozë, si një shenjë e qartë mëvetësie e universit letrar, endur në dhjetëra tekste, si pjesë e përveçme e letërsisë së sotme shqipe, pamëdyshje e poetikës së ngjeshur nëpër shtjellat kreative, shënon premisën e parë. Në këto qasje, pra të leximit të secilit tekst, duke e parë si njësi letrare më vete, si shtjellim dhe interpretim i teksteve të secilit libër, për të hetuar dritëhijet e pashmangshme, që shoqërojnë secilin tekst dhe praktikë shkrimi. Pra, në këtë rast ka vlerë shfletimi qëllimor, si një rilexim më i thelluar, në kërkim të shenjave estetike, është i vlertë për gjithë tekstet e shkruara prej shkrimtares. Porse, gjithnjë duke e parë si një proces i hapur, fokusimi, ndalimi për trajtim dhe verifikim, gjithsesi më të plotë, do të jetë mbi tekstet e autores, që në syrin e lexuesve, të kritikës dhe studimeve letrare, përfaqësojnë piketa të njëmendta të krijimtarisë së autores. Po kaq, tekstet në poezi dhe prozë, janë pjesë e përveçme e letërsisë shqipe të pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, si dhe të gjurmëve të dëshmuara në shekullin e ri, si një tregues i nivelit ligjërimor të letërsisë së sotme shqipe. Megjithëse, vetë termi piketa reference, gjithsesi mbetet i paplotë, madje diku çalon, po ndërkaq është tejet e vlertë që në vend të shkretëtirës letrare, ku më tepër flitet për kopertinën e librit ose fotografinë e autorit, parapëlqej të ecet në një rrugëtim të ri (të tjerët në botë e kanë shkelur me kohë atë model shqyrtimi), pra të leximit të tekstit, të rileximit qëllimor/të ligjërimit, e jo të biografisë apo antibiografisë së autorit, që e largon tekstin nga lexuesi. Meqenëse letërsinë, sidomos në mjediset zyrtare, ende e shohin si mall ose e trajtojmë si lavire, ndonëse diku tjetër, përqark nesh, afër dhe larg, vijon që të flitet vetëm për tekstet, për autorin ose lexuesin, si tre elementët kryesorë që mundësojnë ekzistencën e letërsisë. Dija torike moderne, ekzistencën e letërsisë e sheh në tre faktorë: autori, teksti dhe lexuesi, ku ndërkaq teksti udhëton në kohë dhe hapësirës. Pjesë e atmosferës së letrares, të krijimtarisë së secilit autor, por edhe të një letërsie kombëtare, janë po ashtu kontekstet e shkrimit dhe leximit. Ndërmjet tre faktorëve, elementi kryesor, që shtegton në kohë dhe hapësirë, mbetet teksti, elementi që madje ekziston edhe kur ikën autori, por edhe kur mungon lexuesi, për arsye të mosarsyes.

Pa mëtuar dhënien e përgjigjes përfundimtare se çfarë përfaqësojnë në thelbin e vet të plotë piketat e referencës për një vepër, autor dhe të një letërsie të caktuar, po rrekem të përvijoj linjat e disa prej piketave që përftojnë dromcat e përfaqësimit të referencës/referencave, për krijimtarinë e F. Açkës, qoftë në poezi, po kaq edhe të lavrimit të romanit. Në mesin e tyre, jo si një përveçim rastësor, por si një praktikë e leximit dhe rileximit, e shqyrtimit të letërsisë, si realitet specifik dhe imagjinar, në të gjithë dimensionet e përfaqësimit, kam vënë re se luajnë rol të përveçëm:

  • Shija e leximit, me praninë e të dy niveleve, subjektive dhe objektive, që pasurohet dhe formësohet nga procesi i rileximit të tekstit/ligjërimit, në poezi dhe në prozën e gjatë!
  • Reagimi i nivelit të lexuesve, të gjithë grupmoshave, me mendime dhe shkrime, kritike apo studimore, të cilat mundësojnë krijimin e atmosferës së mundshme referenciale.
  • Ndjeshmëria e lartë e autorit, jo si avokati, por si “vetëdije e pavetëdijes” një term i Bjelinskit, mbi pezullinë që shkaktojnë tekste ose pasazhe ligjërimesh, ndryshe nga të tjerët.
    Prandaj, piketat e referencës, megjithë pamundësinë për ta depërtuar rrjetën e tekstit, pra gjer në skajet fundorë, ndonëse edhe po të ekzistonte një piketë reference krejt e kulluar, sërish do të mbeteshin vatra letrare, ende të pazbuluara, përsëri kundrimi nëpërmjet saj, mbetet një rruginë, sidoqë e ngushtuar, që vetiu na shpie kah shtegu i dritës, që gjithsesi gjenden në tekstet e autores, në hapësirën e shumëngjyrtë të tekstologjisë së endur në poezi dhe prozë.

E dyta: Verifikimi dhe trajtimi në tërësinë e vet, i gjithë veprës letrare, që tashmë anësohet nga analiza, përqasja dhe shtjellimet krahasimtare, le të themi në hapësirën e dukurisë letrare, që e formëson krijimtaria letrare e F. Açkës, brenda dukurisë së rrokshme, si letërsi e sotme shqipe. Krahas analizës së thelluar, për secilin tekst dhe në tanësinë e veprës, në hapësira të caktuara, do të ketë edhe interpretime, gjithnjë tekstologjike, të cilat do të shoqërohen me ndonjë përballëvënie me praktikën e shkrimit në letrat shqipe, dhe me gjerë se sa kaq. Me këtë përqasje, brenda krijimtarisë së autores dhe më përtej, ndonëse tejet e ndërlikuar, të trajtimit dhe verifikimit, vetiu del në pah “gjendja letrare”, term i I. Calvinos, krejt e shumëfishtë:

  • E shkrimit poetik fillimtar, si një praktikë e njohur, me daljen në skenën e letërsisë, të jo pak autorëve, ku përvijohet poetika e lirikës së pastër, erotike dhe qytetare.
  • E bashkëshkrimit, të poezisë dhe prozës, ku mbizotëron shkrimi i romaneve, megjithatë gara është e hapur, se cilën prej këtyre zhanreve letrarë parapëlqen autorja dhe lexuesi.
  • E piketave të mëtimit të vetëdijes, për të mbërritur gjer te hartimi i një “sage letrare” autoriale, përftuar në disa prej romaneve, si tablove të gjera politike dhe shoqërore.
    Këto rrafshe, të leximit dhe shtjellimit të veprës letrare, e bëjnë të vlertë, gati të pashmangshme praninë e disa linjave dhe të konkluzioneve praprake, që kërkojnë hulumtime, mbi shenjat letrare, të endura në kapërcyell të dy shekujve, si pjesë e letërsisë së sotme shqipe.

E treta: Pranëvënia e dy optikave verifikuese, pra të shqyrtimit të secilit tekst dhe të tanësisë së krijimtarisë së autores, po kaq edhe të përqasjeve brendatekstore të veprës së gjerë letrare të saj, po kaq të përqasjeve të mundshme të shkrimit të saj, me tekste të autorëve të tjerë, të letrave shqipe dhe më gjerë, gjithnjë si dobi me pa dhe hetu vatrat e shkrimit letrar, në poezishkrim dhe në romanet e Açkës, ku sërish diçka mbetet në terr, madje edhe në leximin më skrupuloz, pra gërmë për gërmë.

E katërta: F. Açka, ashtu si dhe një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë, të aksit të letërsisë së sotme shqipe, ka fatin madh që të jetojë midis dy atdheve, rrethanë që buron nga hapja e Shqipërisë. Duke u endur në hapësirën e dy atdheve, Holandës dhe Shqipërisë, si dhe e dy dashurive, por duke u endur në gjallimin artistik në gjuhën shqipe, pasi ka prekur nga afër jetën dinamike të Perëndimit. Pra, duke vështruar kështu në dy pasqyra, letërsia e shkruar prej saj, pra poezia dhe proza, më saktësisht romanet kanë fituar një përmasë tjetër, një kumt që kapërcen mjegullimat dhe marrinat e dheut tonë, por njëherit bart dhimbjen e madhe, pse përsëri vonohemi pambarimisht, në jetë, politikë, letërsi dhe kulturë, për të qenë me hapin e kohës.

Megjithatë, është një shtegtim, nëpërmjet leximit, verifikimit dhe shtjellimit të shenjimit letrar, në tekstet e shkrimtares, për të shijuar dhe hetuar praninë e shenjave estetike. Ndërkaq, është një shtegtim, që bart edhe rriskun e moskuptimit, duke mbetur gjithsesi me shpresën, pak së paku, të shmangies së keqkuptimit, ndonëse ujdija në letërsi, pra marrëveshja, me gjasë në mënyrën e të menduarit për të, që shpalohet në metatekstet kritike dhe studimore, është pothuajse shkatërrimtare për letërsinë. Kuptohet, shtegtimi në rrathët e ferrit letrar, ndonëse e përçon dritën parajsore, ka si pikësynim të zgjojë dhe rizgjojë, dëshirën e lexuesit, për tu rikthyer te krijimtaria e F. Açkës, veçmas te zbulimi dhe shijimi i hapësirës së pamatshme të teksteve dhe ligjërimit estetik, të projektuar, në poezi dhe romane


*shkëputur nga libri studimor Shenja Açka

Share: