Home KRYESORE “Aktivisti”, PS-mediave: Mos publikoni lajme për aplikacionin, do e ndjekim në mënyrë...

“Aktivisti”, PS-mediave: Mos publikoni lajme për aplikacionin, do e ndjekim në mënyrë ligjore

PS u ka kërkuar të gjithë mediave audiovizive dhe atyre online që të mos publikojnë të dhënat e aplikacionit “Aktivisti”,  duke pretenduar se cenohen të dhënat e përdoruesve.

Në njoftimin e forcës politike më të madhe në vend, paralajmërohet se çdo media që nuk i bindet kësaj kërkesë do të përballet me ligjin.

Sipas PS, ky aplikacion është pjesë e infrastrukturës elektornike e partisë, dhe se në të janë bërë ndërhyrje të paligjshme.

“Partia Socialiste e Shqipërisë është njohur me raportimet e mediave për të dhëna personale të personave që pretendohet të kenë shkarkuar dhe përdorur platformën “Aktiv1st”.  Partia Socialiste e ka denoncuar publikisht dhe ka njoftuar ndjekjen e rrugëve ligjore për ndërhyrjen e paligjshme në infrastrukturën e saj elektronike, konkretisht aplikacionin “Aktiv1st” dhe më tej manipulimet e kryera me qëllim mbi të dhëna të caktuara të marra në shkelje të ligjit.  Sikurse është bërë e qartë publikisht, aplikacioni “Aktiv1st” është një mjet komunikimi i Partisë Socialiste i cili mund të shkarkohet lehtësisht nga çdo invidid që ndodhet në Republikën e Shqipërisë. Aplikacioni gjendet lehtësisht në Playstore dhe Appstore për të dyja sistemet e operimit celular Android dhe IOS. Regjistrimi në aplikacion si në çdo aplikacion kërkon disa të dhëna bazike që përshtaten me tipologjinë e aplikacionit. Të dhënat e plotësuara nga përdoruesi, përveç emrit dhe mbiemrit të cilat janë njëkohësisht edhe llogaria e tij në aplikacion, nuk shfaqen tek përdoruesit e tjerë. Këto të dhëna qëndrojnë në llogarinë e përdoruesit, mund ti shohë vetëm individi i regjistruar dhe nuk shfaqen në asnjë hapësirë tjetër. Askush, përfshirë edhe vet PS-ja si krijuese e aplikacionit nuk ka autorizim prej përdoruesve që të kryejë publikimin e të dhënave. 

Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon nga mediat audiovizive, mediat elektronike dhe të gjitha platformat e portalet online që të refuzojnë në çdo rast publikimin e të dhënave të pjesshme apo të plota qofshin ato, që pretendohet se janë siguruar nga ndërhyrja e kundraligjshme në paltformën elektronike “Aktiv1st”, pronë e P.S.SH si dhe të fshijnë cdo informacion nga përmbajtja e faqeve të tyre të internetit të publikuar deri tani.

Sjellim në vëmëndjen tuaj se Kodi Penal i RSH (neni 186/a K.P, 192/b, 239/a, 293/b, 293/c)  ka kriminalizuar ndërhyrjet e paautorizuara kompjuterike, përgjimin e të dhënave kompjuterike, ndërhyrjet e paautorizuara në të dhënat kompjuterike etj, dhe çdo posedim i të dhënave të përfituara nga kryerja e veprave penale sjell pasoja sipas ligjit. 

Gjithashtu, të dhënat e siguruara nga ndërhyrja e kundraligjshme nuk mund dhe nuk duhet të publikohen në asnjë rast nga ana e mediave pasi këto të fundit nuk kanë statusin ligjor për një veprim të tillë në bazë të parashikimeve të ligjit Nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Neni 6 dhe 7 të ligjit 9887/2008 kërkon domosdoshmërisht marrjen e pëlqimit në mënyrë të qartë nga subjekti i të dhënave persoanle, në të kundërt publikimi i tyre bie automatikisht në paligjshmëri.

Publikimi i të dhënave të përfituara nga kjo ndërhyrje vjen në kundërshtim edhe me ligjin Nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe Kodin Etik të medias shqiptare pasi informacioni në fjalë nuk është tjetër veçse një produkt i veprës penale, dhe cënon rëndë të drejtën e fshehtësisë së jetës private të individit.

Partia Socialiste e Shqipërisë do të ndjekë në mënyrë rigoroze këtë rast dhe do të procedojë sipas ligjit për hetime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për çdo media e cila do të vazhdojë të kryejë publikimet e këtyre të dhënave në shkelje të ligjit edhe pas kësaj kërkese publike.”


Share: