Home KRYESORE Biseda ime me fizioterapistin që donte të jetonte pa fëmijë…

Biseda ime me fizioterapistin që donte të jetonte pa fëmijë…

Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ i Çapajep Gjokutaj

Javën e kaluar një dhimbje mesi më bëri të çapitesha si Rigoleto ndaj m’u desh të bëja disa seanca trajtim. Fizioterapisti rastisi njeri që kishte qejf të fliste. Gjithsesi nuk hynte në fjalëshumët që krijojnë bezdi. Natyra e kishte pajosur me një sens të hollë humori. Ndërkohë që admiroja elokuencën e tij, duke qeshur e buzëqeshur, harrova dhimbjet e s’po e vija re që kishte kaluar te procedura me rryma të dobëta.

Rrofsh – i thashë – kushedi sa qeshin e kënaqen fëmijët darkave. Po jam beqar, mor i uruar – ma ktheu duke trashur zërin për të imituar atë ariun e teatrit të kukullave. Pastaj me ton serioz shtoi: Martesa pret.

Më tingëlloi disi anormale që një burrë si ai, mbase në fillimet e të dyzetave, me zanat të mirë, me klinikë private e me goxha aftësi shoqërizimi, të mos kishte krijuar akoma familje.

Brezi juaj – ia pata – i ka gjithë të mirat, keni shumë më tepër informacion e mundësi sesa kishim ne, kur ishim në moshën tuaj. Vetëm një gjë e keni gabim: shtyni martesën. Ti thua se krijimi i familjes pret dhe mund të kesh të drejtë. Po nuk pret bërja e fëmijve, se biologjia është biologji dhe s’para fal.

E pse duhet të kesh medoemos fëmijë – ma priti. Me sa dukej vërejtja ime druvarçe e pa takt e kishte prekur, ndaj kaloi në një regjistër serioz bisede dhe nisi të më argumentonte se kanë ndërruar kohët, nevoja për të patur fëmijë s’është aq ekzistenciale sa ka qenë më parë.

Atëherë – vazhdoi shtjellimin – mungonin shërbimet sociale, s’kishte pensione e shtëpi të moshuarish, ndaj për ata, që s’kishin fëmijë, pleqëria afrohej e frikshme, mbushur me vetmi e varfëri, pa njeri mbi krye që t’u jepte qoftë dhe një gotë ujë. Tani, edhe në u plaksh, jeton jetën tënde pa u rënë në qafë të tjerëve. Kur ta mba xhepi paguan të të shërbejnë në shtëpi, po mund të shkosh edhe në një shtëpi të moshuarish, pleqëron me shokë e shoqe dhe, po të të ndihë fati, mund të kesh edhe ndonjë romancë, dashuri në të perënduar – iu rikthye shakave fizioterapisti.

Por tani humori i tij më ngjante pa shije. Pse duhet që një gjë kaq sublime si fëmija ta shohësh si instrument, si diçka që do të të gjendet në kohë të vështira? Fëmija për njeriun- po thoshja me vete – është si rrënja për pemën, ushqen gjithë ekzistencën tënde dhe të krijon ndjesi vazhdimësie, jetëgjatësie. Jo aq se kur të mos jesh do të kujtojë, do psherëtijë e lotojë; do trashëgojë mbiemrin, do i bëjë të tjerët të të sjellin herë pas here në mënd.

Përtej gjithë këtyre fëmija është mjet realizimi, vetpërmbushjeje. Të jep ndjesinë e një jete të realizuar, lehtësimin e një detyrimi të shlyer, detyrim jo ndaj bashkësisë së ngushtë, fisit, po ndaj llojit, njerëzimit.

Lënë mënjanë abstragimet e filozofitë, fëmija është gëzim e shqetësim i përditshëm, ta bën ekzistencën më reale, më të perceptueshme dhe të shtyn të njohësh e të përjetosh gjithë nuancat e kësaj jete.

Nga grekët e lashtë kemi trashëguar mitin se njeriu gjithë jetën kërkon gjysmën tjetër të vetes, për të arritur plotërinë që kishte në gjenezë, para se Zeusi ta ndante më dysh. Dhe gjysma tjetër është partneri a partnerja e jetës. Por fëmija është shumë më e çmuar, në kërkim të tij njeriu nuk synon gjysmën tjetër, po thelbin e vet, kuptimin e ekzistencës.

E more një sy gjumë, do më paguash dhe hotelin – dëgjova të më thoshte fizioterapisti, ndërkohë që po hapte kalendarin për të fiksuar seancën tjetër.

( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )

Share: