Home KRYESORE Pushteti i fjalës dhe fjala e pushtetit! Nga Behar Gjoka

Pushteti i fjalës dhe fjala e pushtetit! Nga Behar Gjoka

Në këtë betejë epokash, rendesh dhe sistemesh, të pushtetit të fjalës si përjetësi, me fjalën e pushtetit të përkohësisë, së diktatorëve dhe sharlatanëve, të secilit sistem, në Shqipëri, prej kohësh e ka fituar fjala e pushtetit, që e ka kthyer artin dhe letërsinë në shërbëtor të pushtetit të radhës. Ironi e fatit dhe një realitet tronditës:

  • Në ceremonitë fetare, të besimeve te ndryshme, të festave dhe kremtimeve të ndryshme, fjala e parë dhe e fundit është fjala e pushtetit, të djeshëm dhe të sotëm, fjala e kokëtarëve të partive, të bashkive, e tërci e vërci… sa e hidhur, të pafetë lëshojnë mesazhe për vlerat fetare…
  • Ndahen nga jeta figura të artit dhe letërsisë, personalitet te shkencës dhe kulturës, e sërish fjala e parë dhe e fundit është e politikanëve, kur pjesa dërrmuese e tyre nuk ka lexuar qoftë një libër, apo nuk kanë parë një shfaqje… Ironi e poshtër, ku politika na ka marrë peng edhe shpirtin, edhe artin dhe letërsinë… Sapo kaluam tallavanë mediatiko-letrare, për Agollin, ku mbrojtës dhe sulmues, parathënës të Kadaresë sulmuan Agollin, që iku në amshim, u hodhën në përdhunimin e fjalës së lirë, e pushtetit të fjalës…
  • 100 vjetori i Musine Kokalarit, habitshëm në qendër ka fjalën e Ramës, kryeministrit të vendit, ku duket se akademikët e lodhur, burokracia e kulturës, e univeristeteve, nuk bën dot pa rolin udhëheqës të liderit, të mendimit të pushtetit, pa rolin udhëheqës të partive, pa përkuljen e kurrizit para fjalës së pushtetit… Nëse Rama e ka seriozisht këtë punën e disidencës, pati rast ta niste betejën që në 2016, së paku duke uruar ditën e lindjes së Kasëm Trebeshinës, disidentit të gjallë, i cili, këtë demokracinë që po jetojmë, shumë herët e pati shpallur si një foshnjë që ka lindur e vdekur…

Letërsia dhe arti, o njerëz të mirë, është streha e fundit e lirisë. Fjala e pushtetit dhe shërbëtorët e tyre, që janë me libra dhe pa libra, ka tmerr nga pushteti i fjalës së lirë. Të flasësh për lirinë, nuk mjafton, distancimi nga shërbimi ndaj pushtetit, që dhunon, ndanë dhe përçanë artistët dhe shkrimtarët, e jo altoparlantët e pushtetit, krijon gjasa që të rikthehet klima e lirisë, që kërkon çdo ditë sakrificë…që fjala e artit të endet e lirë në gjithë hapësitë…arti e mund pushtetin, sepse përkon me përjetësinë…

Share: