Home KRYESORE Mbetem i bindur se Ne jemi ajo që mendojmë se jemi.

Mbetem i bindur se Ne jemi ajo që mendojmë se jemi.

Nga Artur Beu

Kur isha i vogël ëndërroja dhe doja shumë një biçikletë. Unë e krijova një të tillë. Ndoshta ishte e shëmtuar dhe me dy rrota të ndryshme, por ishte e imja dhe isha i lumtur per atë që kisha krijuar. Unë kisha një bicikletë. Më vonë pata një tjetër të re dhe të bukur, por ky ishte vazhdimi i ëndrrës sime. Pastaj ëndërrova për një motor. Nuk kisha hipur kurrë në një motoçikletë. Punova, fitova para dhe e bleva. Mësova vetë ta drejtoja. Pastaj mendova se jeta ime duhej të ishte ndryshe e të shkoja në universitet. Shkova atje dhe mora dy diploma. Pastaj doja një makinë dhe e mora. E para ishte e vjetër, por më ka dhënë më shumë lumturi se të gjithë të tjerat që kam blerë më pas. Normale them unë. Doja fort të kisha një familje të mirë dhe e arrita ta kem. Gjithçka që doja shumë e kam arritur. Kjo ka qenë dhe është filozofia ime.

Mbetem i bindur se Ne jemi ajo që mendojmë se jemi. Ne bëhemi ajo që mendojmë se do bëhemi. Ne nuk jemi siç mendojnë të tjerët. Fuqia qëndron brenda nesh. E thotë shkenca dhe e thotë teologjia. Kë të doni ju të merrni në konsideratë po atje të shpien. Trupi i njeriut është një forcë e jashtëzakonshme. Truri i njeriut ka një kapacitet të madh. Ne duhet të kemi një ndërgjegje më të gjerë rreth kësaj. Ne nuk dështojmë në një provim sepse dëshirojmë, por sepse nuk dijmë si ta kalojmë atë provim.

Jetohet duke menduar, duke studiuar, duke ndërmarrë veprime bazuar në objektiva të qartë e të dëshiruar. Kundërhelmi i injorancës është dija që fitohet vetëm duke studiuar. Ndërmarrja e veprimeve është e rëndësishme, por vetëm pasi të keni menduar dhe dashur fort. Para se të bësh diçka, duhet të jesh diçka. Ne duhet të kuptojmë se kush jemi.

Asnjëherë mos u anko për gjërat në përgjithësi. Të kemi synime po, por duke u ankuar jo. Nëse ankohemi, do të jemi vetë ankesa. Duhet të jemi mirënjohës për atë që jemi dhe për atë që kemi. Mendoni për atë që keni, jo për atë që nuk keni. Ne nuk jemi mendimet e të tjerëve. Dhe nëse ata të tjerët nuk janë të lumtur?

Mendimi i tyre padyshim do të jetë i pakënaqur. Ne jemi gjithmonë ato që mendojmë vetë. Konteksti është i rëndësishëm. Çdo gjë duhet raportuar bazuar në kontekst. Nuk mundet të krahasoni dy kontekste të ndryshme. Do të gjeni padrejtësi dhe do jeni të palumtur. Kjo s’do të thotë të mos guxoni e të kërkoni për më mirë. Dëshirat, mendimet, veprimet janë pjesë e lojës së arritjes së objektivave.

Paqja mendore është pasuria më e madhe.

Të përballesh me atmosferat e këqija të njerëzve të këqij është një gjë krejt normale. Mos lejoni që vibracionet e tyre të hyjnë brenda jush. Lërini këto vibracione të rrjedhin si ujë nëpër pendët e patës.
Lumturia qëndron në mendimin tuaj. Nëse mendoni për lumturinë, atëherë ajo do të jetë aty me ju.

Një ditë të bukur të gjithëve e larg vibracioneve negative!

Share: