Home KRYESORE Si mund ta mbrosh veten nga rreziku i energjisë negative?

Si mund ta mbrosh veten nga rreziku i energjisë negative?

Nga Albert Vataj

Secili nga ne është shpërblyer nga një aftësi për të qenë i/e mbrojtur nga çdo rrezik që e tashmja e ekspozon gjithnjë e më kërcënueshëm. Por ne gjithnjë do të duhet të kërkojmë për të mësuar më shumë në sofistikimin e kësaj fortese, ku ne duhet të mbajmë të “kyçur” veten si në një koracë mbrojtëse. Ka shumë përsiatje dhe këshillues, pozitivitete dhe mëtime, kumti i të cilave e pasuron aftësinë tonë njohëse në një realitet që evoluon në një rritëm që tejkalon aftësinë tonë për t’iu përgjigjur. Hapat e mëposhtëm janë mënyrat efikase për të mbajtur energjinë pozitive rreth jush dhe për të ushtruar një forcë mbrojtëse nga çdo negativitet që vjen në rrugën tuaj. Sa më shumë që energjia juaj të jetë e pastër dhe e fuqishme, aq më shumë ndihet, aq më pak ndikim do të ketë çdo negativitet tek ju. Kjo përfshin forcat shpirtërore, siç janë sulmet psikike, negativitetet, zymtësitë, alarmet e rreme, etj., të cilat formohen nga energjia dhe mendimet negative të të tjerëve që trysnojnë ndaj nesh.

Meditoni duke thirrur dritën nga thellësia juaj
Meditimi i shndërron situatat e kaosit, rrëmujës, mosorjentimit dhe panikut, në pushtet të paqes në mendjen tuaj. Medito me qëllimin për të harmonizuar vibracionet e zemrës suaj nga jashtë me mjedisin rrethues. Kur meditoni, ju krijoni qetësi për të akorduar në rrethinat tuaja dhe ndjeheni të udhëhequr në një rrugë që ju mban të mbrojtur. Kur meditoni, zërat thërritës bëhet një mbrojtje e fuqishme shpirtërore dhe engjëlli që rrethon energjinë tuaj me dritë. Mundësia për ta bërë këtë është përqendrimi, është aftësia që secili nga ne ka të dëgjojë pëshpërimën e atij zëri, pa e lënë atë të shndërrohet në britmë. Duhet ta dëgjojmë heshjen e tij pa u bërë alarm. Vetëm kështu ne mund të përcjellim pozitivistet nga brenda jashtë dhe përreth nesh.

Tërhiqni energjinë tuaj pozitive duke shmangur njerëzit negativ

Shmangni shikimin e njerëzve në sy, shtrëngimin e duarve ose bisedimin me njerëzit, dridhjet ose energjia e të cilëve janë negative. Fshini të gjitha lidhjet nga Facebook, telefoni dhe posta elektronike të atyre që i konsideroni si negativ ose xheloz. Nëse komprometoni këto hapa, rrezikoni energjinë tuaj, rrezikoni të ktheheni edhe ju viktima e radhës së kësaj shtjelle që përpin.

Përdorni cilësimet e bllokut në Facebook për lidhje shumë toksike dhe hiqni lidhjet tuaja me miqtë e tyre, pasi ato bëhen një lidhje e dobët e energjisë suaj pozitive. Njerëzit që priren të gjejnë veten tek gjërat që përmbajnë negativitet dhe këtë kërkojnë ta ndajnë miqtë e tyre, përgjithësisht nuk janë të vetëdijshëm për aftësinë e bombardimit me valë toksike të gjithë rrethit ku ata ndodhen. Ata kanë tendencë të mbajnë shumë toksicitet brenda vetes dhe çdo ditë në shoqërinë e tyre dhe ndjekësve të tyrë është një mundësi më shumë për të qenë të rrezikuar.

Gjithashtu duhet të hiqni sendet ose dhuratat që keni marrë nga këto persona. Sendet dhe kujtimet mbajnë energji negative, e cila ju mban të lidhur me to. Qëllimi themelor është të zvogëloni çdo lidhje që ata kanë me ju, pra, të zvogëloni ndikimin dhe efektin e tyre mbi ju.

Dëgjoni muzikën që ju pëlqen juve dhe jo atë që është në trend

Një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efikase për të ndryshuar gjendjen shpirtërore ose potencuar energjinë pozitive rreth jush është duke dëgjuar muzikë e preferuar dhe jo atë që sygjeron trendi dhe imponon shija e masës. Do të ishte avantazhuese edhe të këndoni, të kërcëni, pa e vrarë mendjen sëse përformanca juaj është qesharake ose jo, sepse jo thjeshtë po e ushqeni me oksigjen zjarrin që ndez diellin brenda jush. Po kaq me mundësi përfituese është të luani muzikë në ndonjë nga instrumentat që pëlqeni, kjo ju zgjon përfshirjen emocionale në një nivel sipëror. Bota juaj do të rrethohet sakaq nga një solemnitet mahnitës dritash, ngjyrash dhe aromash.

Do të arratiseni nga apatika, nga boshi dhe mërzia azgjesuese e kotësive, me të cilat zakonisht merremi për të vrarë kohën dhe jo për ta mbushur atë.
Kësisoj ju po ushqeni fushën tuaj të energjisë me përmbajtjen e asaj që është përreth jush, kështu që sigurohuni që ato janë vibracionet e duhura.

Kaloni kohë me natyrën dhe ajrin e thellë

Zhyt veten në natyrë, shkoni për të notuar ose qëndruar para oqeanit. Bëhuni një përqafues i çmendur i një peme, ose jepni një përzemërsi të zjarrtë një kafshë. Të gjitha këto aktivitete janë qetësuese, shëruese dhe do t’ju mbajnë të forcuar dhe të harmonizuar. Qëllimi i këtij ushtrimi është të krijojë një fushë të fortë ndriçuese, në mënyrë që të tjerët të mos mund të depërtojnë në të. Nëse mundësitë e momentit nuk i’u favorizojnë për të përthithur këtë energji të nevojshme pozitive, i kërkoni këto stimulues në burime alternative, siç janë ndjekja e dokumentareve për natyrën dhe kafshët, përzgjedhja e një dritareje ngaku mund të hyjë shumë dritë dhe shumë ajër dhe duke mbyllur sytë përfytyroni detin ose një vend idilik, ndërsa mbusheni thellë me frymë, me frymë që ju përshkon si një rrymë tejpërtej. Mjafton të keni dëshirë dhe ju mund ta ktheni veten tuaj në një gjenerator të fuqishëm energjie pozitive, drite, paqeje shpirtërore dhe ekuilibri.

Mbani një trup të shëndetshëm

Mbajtja e një trupi të shëndetshëm është tashmë një sfidë e gjeneratës. Filozofia e të jetuarit e ka ballafaquar njeriun modern me një kërcënim serioz, i cili rrezikon potencialisht jo vetëm përçueshmërinë e energjisë pozitive, por edhe ekuilibrat e shëndetit si atij fizik edhe atij psikik. Sa më shumë të përshtateni fizikisht, aq më të fortë e ndërtoni atë pengesë kundër energjisë së dëmshme, që hyn në fushën tuaj të energjisë. Ky është një nga aspektet më të rëndësishme për ta mbajtur veten të mbrojtur, pasi një organ jo i shëndetshëm bëhet një objektiv i lehtë dhe përçues dhe për të lejuar hyrjen e energjisë negative, e cila shfaqet me ankimet, ankthet, frikën dhe zhvleftësimin e gjithçkaje të bukur rreth teje, zhbërjen e të gjitha ngjyrave dhe dritave. Ushtroni rregullisht dhe zhvilloni zakone pozitive të ngrënies. Gjendja e shëndetit tuaj luan një pjesë të madhe në mbrojtjen tuaj “energjike”.

Pastroni energjinë tuaj

Një tjetër metodë e fuqishme për të shmangur dhe shpërndarë negativitetin është të pastroni energjinë tuaj. Është një domosdoshmërie emergjente ta bëni këtë duke e çliruar veten nga vargonjtë e emocioneve negative; si xhelozia, urrejtja, frika, faji, lëndimi, turpi, paaftësia, padrejtësia dhe mosrespektimi i drejtuar të tjerëve, si dhe ndaj vetvetes. Lexoni këshilluesit shpirtëror, shfletoni librat fetar, ndiqni mediume pozitiviste ose emisione televizive që përmbajnë mënyra efikase çlirimi. Mënjanoni sa të jetë e mundur gjendje dhe situata, agravimi i të cilave mund t’u përfshijnë në një masë të tillë saqë ju; në pamundësi për të dhënë zgjidhje ose për të lënë vulën tuaj të heroit, pësoni një rrëzim brenda vetes të gjithë asaj ngrehine altruizmi dhe bujarie, dhembshurie dhe zemërgjerësie. Mbushjani mendjen vetes se nuk keni ardhur të shpëtoni botën, por të kërkoni që të jeni njëri i mirë në mirësi.

Ndiqni instinktet tuaja

Ju keni një sistem personal GPS të quajtur intuitë, e cila ju udhëprin gjithnjë larg rrezikut për t’iu dërguar atje ku ju shpie zemra dhe për të bërë atë që ju urdhëron shpirti. Pranoni, zhvilloni, përdorni dhe konsiderojeni atë si një nga sistemet më të fuqishëm, me të cilin ju ka armatosur natyra.

Binduni në mënyrë të verbër këtij udhëzuesi. Vazhdimi i lëvizjes nëpër këto binarë është i sigurt pasi është thelbësore e përçimit të energjive pozitive dhe përparësi, përndryshe do të rrezikoheni. Ndjekja e një orientimi të gabuar nuk do të jetë vetëm faji i busullës dhe i hartës, por edhe i injorimit të instinkteve tuaja, atij udhërrëfyesi të pagabueshëm.

Ndërtoni një fortesë dhe krijoni Karma të mirë
Drejtuesit që triumfojnë në një luftë e rrethojnë veten me një fortesë të përbërë nga ushtarë të besuar, të ditur dhe trima. Rrethoni veten me njerëz që janë të vërtetë, të dashur dhe mbështetës. Bëni kujdes në përzgjedhjen e miqve në rrjetet sociale, tek ata ju duhet të kërkoni dhe të gjeni jo vetëm gjërat e përbashkëta që keni, por edhe parimet, kauzat dhe obligimet që ata dëshmojnë në atë që i përfaqëson.

Nuk ka se çfarë tu duhet si mik në Facebook një i afërm që nuk e duroni as në rrethin familjar. S’ka asnjë leverdi për ju “miqësia” e një VIP-i, cilado qofshin rrethanat që ju kanë shtyrë ta keni në statistikën e miqve, sepse qasjet e tij/saj janë të një natyre false, shtirje dhe manipulimi, që fare mirë mund të shndërrohen në një torturë për ju. Çdo gjë e tepërt dhe e sforcuar, destinon të shndërrohet në katalizator kokëdhimbjeje dhe zemërplasjeje. Kërko veten dhe pjesë plotësuese të sajë në këtë mundësi që të ofrojnë kaq bujarisht rrjetet sociale.

Krijoni një rrjet pozitiv të energjisë, e cila është e vështirë të depërtohet nga të huajt duke u përpjekur t’ju rrëzojnë. Kur është e mundur, ndërtoni karma të mirë dhe bekoni të tjerët për çdo mundësi që keni. Ky koncept përkthehet gjithashtu në sferat shpirtërore, dhe ju do të tërheqin qenie / engjëj të ndriçuar që ju mbrojnë nga sulmet dhe energjia negative e të tjerëve.
Secili nga ne meriton atë që ka dhe çdonjëri që beson është i sigurt se lutja do të dëgjohet dhe shpërblesa e çdo deyrese meriton mirënjohje.

Albert Vataj

Share: