Home KRYESORE VLERA E TË DHËNAVE PERSONALE TË SHQIPTARËVE

VLERA E TË DHËNAVE PERSONALE TË SHQIPTARËVE

Nga Erion Dasho

Për shkak të përdorimit të internetit kryesisht për qëllime profesionale, dje më erdhi një reklamë për një aplikacion të quajtur “Blood Pressure App”, që në shqip mund të përkthehet pak a shumë “Aplikacion për Presionin (Tensionin) e Gjakut”.

Mjaftoi një shikim i shpejtë i faqes së parë përshkruese dhe leximi i disa komenteve për të kuptuar se bëhej fjalë për një aplikacion qëllimi kryesor i të cilit është vjelja e të dhënave të përdoruesve.

Së pari, aplikacioni ishte thjesht një vend ku ruhej informacion rreth vlerave të tensionit. Ai as nuk lidhej me ndonjë pajisje për t’i marrë automatikisht ato. Nga komentet e shumë të përdoruesve kuptohej se ata kishin pritur madje që aplikacioni të bënte matjen e presionit të gjakut!!!

Së dyti, prodhuesit e aplikacionit e deklaronin qartë se ata i ndanin të dhënat me palë të treta, çka në pjesën dërrmuese të rasteve nënkupton shitjen e të dhënave.

Së treti, deklaronin se të dhënat “enkriptoheshin”, një përpjekje për të ç’orientuar edhe përdoruesit me njohuri mesatare teknike të cilët “enkriptimin” e lidhin me sigurinë e të dhënave.

Së fundi, deklaronin se të dhënat nuk mund të fshiheshin, pra nëse krijon një llogari dhe hedh disa të dhëna aty, të dhënat mund të përdoren pafundësisht.


Mjaftoi një analizë fare e thjeshtë për të kuptuar se bëhej fjalë për një përpjekje me kosto të ulët për të krijuar një minierë ari.

Ky aplikacion i shkarkuar miliona herë, i jep kompanisë prodhuese qasje tek një e dhënë shëndetësore me vlerë për gjithë këta miliona përdorues.

Vetëm fakti që një person shkarkon një aplikacion të tillë, tregon se personi kujdeset për shëndetin çka nënkupton “bombardim” me reklama për produkte të tilla si vitamina, suplementë ushqimore, etj., apo në përgjithësi me produkte që synojnë (ose pretendohet të synojnë) një jetesë të shëndetshme.

Me një analizë elementare të të dhënave, mund të veçohen personat me presion të lartë apo të pakontrolluar të gjakut. Në vende të caktuara (ku lejohet reklama e medikamenteve) këta persona mund të marrin edhe sugjerime apo oferta për medikamente të caktuara të cilat më pas mund t’i sigurojnë me metoda të ndryshme.

Për të mos përmendur që në vende ku ofrohen sigurime shëndetësore private, të dhënat disa mujore mbi presionin e gjakut kanë vlerë të jashtëzakonshme për ofruesit e policave të sigurimit. Nëpërmjet këtij informacioni të thjeshtë në dukje, por që kur lidhet me informacione të tjerë po aq “të thjeshtë” si pesha, mosha, etj., merr akoma më shumë vlerë, kompanitë e sigurimit bëjnë filtrimin paraprak të klientëve ose modifikojnë tarifën e ofruar.


Të dhënat personale, sidomos të dhënat shëndetësore, sot kanë një vlerë të jashtëzakonshme.

Një shtet dhe shoqëri e përgjegjshme duhet jo vetëm t’i mbrojë ato me çdo çmim dhe mundësi, por edhe të edukojë qytetarët e vet për të mos rënë pre e përpjekjeve që vijnë nga çdo anë për ta vjelë këtë informacion.

Kjo është arsyeja kryesore përse kam qënë kaq i ashpër dhe kam shkruar prej vitesh statuse të shumtë duke paralajmëruar se në Shqipëri çështja e të të dhënave personale trajtohet me papërgjegjshmëri.

Kur del në shesh informacion për pagat, për targat, për numrat e telefonit, etj., apo kur vidhet nga hakerët gjithë baza e të dhënave të e-Albanias, nuk mund të qëndrohet indiferent.

Situata e vjetshme me hakerimin e gjithë të dhënave të shtetit shqiptar ishte pothuajse e pashmangshme kur mendon se midis të dhënave të një personi dhe hakerave qëndron vetëm një fjalëkalim dhe një numër telefoni. Numrat e telefonit janë vjedhur dhe bërë publikë më shumë se një herë, kështu që siguria e të dhënave më sensitive të çdo shqiptari ka qëndruar prej vitesh e varur në një fije peri.

Qeveritë nuk mund të nisin agjenda digjitalizimi pa u kujdesur në radhë të parë për sigurinë e informacionit dhe për edukimin e qytetarëve të tyre.

Prej muajsh tanimë të dhënat e shqiptarëve kanë përfunduar në mijëra, për të mos thënë në miliona duar, një pjesë e madhe e të cilave komandohen nga mendje kriminale.

Është vetëm çështje kohe për t’u përballuar me surprizat e radhës, të cilat vetëm të këndshme nuk mund të jenë. Të presim dhe të shohim…

Share: