Home KRYESORE NJË HAP I DREJTË, QË DUHET TË PASOHET NGA TË TJERË

NJË HAP I DREJTË, QË DUHET TË PASOHET NGA TË TJERË

Nga Erion Dasho

Ideja e vendosjes së një detyrimi kontraktual për studentët e rinj të Fakultetit të Mjeksisë, që ose të shërbejnë tre vjet në sistemin shëndetësor publik, ose të paguajnë 18 mijë euro për shkollimin, më duket e drejtë.

Po kështu më vjen mirë që paketa e përfitimeve të mjekëve nuk po ndalet tek paga, por po shtrihet edhe tek kreditë e buta. Mendoj se për qytete të veçanta, kjo mund të shtyhet edhe më tej. P.sh. nëse një mjek punon në një vend të largët si Bajram Curri, Delvina, ose Devolli, shtëpia duhet t’i ofrohet falas nga bashkia dhe, pasi të shërbejë për një periudhë 5 deri 7 vjeçare, t’i falet.

Por mbi të gjitha, është koha që të merren ato masa të shumëpritura, për të cilat ka realisht nevojë sistemi shëndetësor shqiptar: reformimi i thellë, autonomia e plotë menaxheriale dhe financiare, si dhe një plan për zëvendësimin e infrastrukturës shëndetësore, sidomos në sektorin spitalor.

Për arsimimin e studentëve dhe mjekëve të rinj, duhen hapur edhe 2-3 universitete të tjerë publikë, në bashkëpunim me partnerë të huaj. Ndërsa për specializimet pasuniversitare duhet të liberalizohet tregu dhe të njihet e drejta e çdo spitali rajonal për të ofruar specializime sipas nevojës dhe kapaciteteve për trajnim.

Vetëm nëpërmjet masave gjithëpërfshirëse dhe reformave të thella, mund të parandalohet katastrofa e pritshme e mbetjes së vendit pa mjekë dhe specialistë.

Share: