Home KRYESORE “Pas vdekjes” në stilin e brazilianit Baltazar!

“Pas vdekjes” në stilin e brazilianit Baltazar!

Nga Çspajev Gjokutaj

Javë më parë braziliani Baltazar Lemos u bë lajm botëror, emrin e tij e përmendën media të njohura, sidomos ato të llojit tabloid. Bëma për të cilën përflitej prestonte fort për lajm: u përpoq të merrte pjesë në funeralin e vet.

Kuturia ishte e çartur, po ngjarja ishte ngjizur fare thjeshtë. Baltazari, pronar i një shërbimi funeral, një ditë prej ditësh, pasi kishte parë se në një nga përcjelljet mortore kishin ardhur vetëm dy vetë, vendosi të shihte për së gjalli se si do t’i jepnin lamtumirën atij vet, sa do të vinin dhe si do ndjeheshin.

Me të thënë e me të bërë. Një ditë para funeralit të rremë botoi në instagram një foto të vetën duke hyrë në spitalin rajonal, kurse të nesërmen publikoi lajmin e vdekjes si dhe kohën e ceremonisë mortore.

Pikërisht gjatë organizimit të kësaj ceremonie, hyri në sallë nga një derë anësore për të parë sesi do reagonin familjarët, të afërmit e miqtë që kishin lenë punët dhe planet e tyre dhe kishin ardhur t’i përcillnin kufomën e t’i lavdronin kujtimin.

Ajo që pasoi ishte krejt e kundërt me pritjet e Baltazarit. S’u gëzua kush se ai s’paskësh vdekur e qënkej shëndosh si molla, përkundrazi në pak çaste provoi sharje e përbuzje sa s’kish provuar gjithë jetën.

Me logjikë të thjeshtuar duhej të kishte ndodhur e kundërta, njerëzia duhej t’i ishte hedhur në qafë, puth e përqafo e pëshpërit: Shyqyr që qënke gjallë! Diçka të tillë pat përjetuar Tom Sojeri i Mark Tuenit🤫

Me logjikën reale, atë që na udhëheq në jetën e përditshme, autori i rengut, meritonte atë që mori: përbuzje, mllef e përçmim.

Me sa duket njeriut nuk ia ka ënda të përziejë të gjallin me të vdekurin, paçka se në shekuj është rrënqethur e ka provuar kënaqësi, duke dëgjuar balada e përralla të tipit ‘Kostandini dhe Doruntina’, ku të gjallë e të vdekur japin e marrin me njeri tjetrin.

Por arsyeja e mllefit kundër Baltazarit mund të ketë qenë më e thjeshtë: njeriut i lejohet të bëjë humor, po jo me gjëra sublime si vdekja, ceremonia funebre, fjalimet mortore e të tjera gjëra të këtij lloji.

Ndër ata që shkruan për rrengun e Baltazarit pati edhe që rizbuluan proverbin ‘vdis pa të të dua’ ose thënë me fjalët e njerit: e vetmja rrugë që njerëzia të thotë vetëm fjalë të mira për ty është të vdesësh me të vërtetë🤪

Po a ia vlen? Sa t’i japim zgjidhje kësaj dileme, dalim më të fituar të durojmë ato që thuhen për secilin prej nesh, të lara e të palara😂🤡

( Nga cikli ‘Monopatet e ironisë’ )

Share: