Home Gjeo-Ekonomia Si e huqi Samuel Huntigtoni me analizën mbi “përleshjen e qytetërimeve”, në...

Si e huqi Samuel Huntigtoni me analizën mbi “përleshjen e qytetërimeve”, në luftërat e Ballkanit?

Nga Fadil Maloku

1. Samuel Huntingtoni, ishte një profesor i njohur i Harvardit dhe Drejtori i John M. Olin, Institutit për Studime Strategjike. Në vitin 1993, kur ai botoi për herë të parë punimin e titulluar “Përplasja e Civilizimeve?”, në revistën prestigjioze “Foreign Affairs”, pasuan një seri reagimesh, të cilat, sipas editorëve të kësaj reviste, nuk mbaheshin mend në 50 vitet e fundit të shekullit të kaluar!

Nga kjo distancë kohore, fitohet përshtypja se kur njerëzit hetojnë nevojën dhe pasionin që të reagojnë kështu në një numër kaq të madh, atëherë autori, ose ka qenë shumë i bindur në atë që ka thënë, ose ka qenë tërësisht ‘out’! Samuel Huntingtoni, i shtyrë nga një numër aq i madh i reagimeve publicistike, shkencore e besa edhe politike, para shtatë viteve botoi librin (i cili po ashtu do të bëhet objekt i shumë kritikave, por tashmë çuditërisht kishte edhe lëvdata!) me një titull identik:

“Përplasja e civilizimeve dhe rikonfirmimi i sërishëm i rendit botëror”. Është interesant, se tani pas titullit të lartpërmendur, mungonte pikëpyetja e mëhershme e apostrofuar në punimin e parë, që d.m.th. se ndërkohë ai bëhet edhe më i sigurt në prejudikimet e tij të mëhershme për mundësitë reale të “përplasjeve të civilizimeve” botërore! Por, për çfarë prejudikimesh të këtij autori në të vërtetë ishte fjala, që atëbotë e patën tronditur botën me prognozimet e tij pesimiste? Apo, cila ishte esenca e tezave të Huntingtonit dhe sa në të vërtetë tani, pas një distance kohore prej kaq vitesh, ato kanë dalë si të vërteta, apo afër të vërtetës së tij?

Duhet theksuar se Huntingtoni mendonte se në fund të shek. të XX-t kultura do të bëhej madhësi mesatare e kulturës së një rrethi civilizues apo kulturës së një qytetërimi. Ku ai e identifikon kulturën si koncept dhe veçanti të grupeve apo komuniteteve të caktuara me konceptin e civilizimit, që në esencë (për mendimin tonë) janë dy kategori të ndryshme mes vete. Kultura, përkatësisht civilizimi, sipas Huntigtonit është një mënyrë e të jetuarit, përmbledhje e të jetuarit, të besuarit, institucioneve, strukturave sociale. “Civilizimet – thotë ai, jemi “ne” më të mëdhenjtë, brenda të cilës ndihemi në shtëpinë tonë – ndaras nga të gjithë “ata” të tjerët, dikun atje”, që dosido nuk ndihen në shtëpinë e tyre. 

2. Civilizimet, si entitete më të gjëra kulturore, kanë karakteristikat e tyre objektive, siç janë: historia, gjuha, religjioni tradita, institucionet, dhe ato subjektive, që prejudikohen përmes vetë identifikimit të njerëzve si pjesëtarë të një civilizimi të caktuar. Huntingtoni, në të vërtetë, kur përmend identitetin kulturor, mendon se ai sot sërish është bërë një cilësi dominuese e identitetit personal dhe atij social, me fjalë të tjera sot, sipas këtij vetëformulimi, njerëzit vetë identifikohen dhe “ata” i identifikojnë ekskluzivisht të tjerët si pjesëtarë të njërit ndër civilizimet e caktuara, apo, thënë më shkurt, si pjesëtarë të njërit ndër tetë (sa edhe ai i identifikon) civilizimeve kryesore të shek. të XX-të.

Sipas Huntingtonit, këto civilizime të identifikuara janë: civilizimi kinez (apo konfuçian), civilizimi japonez, civilizimi hindus, civilizimi islam, civilizimi perëndimor, civilizimi latino-amerikan, civilizimi ortodoks, civilizimi budistik, e ndoshta edhe civilizimi afrikan. Duke e shikuar këtë identifikim civilizimesh nga ana e Samuel Huntingtonit, nuk është vështirë të hetohet që numri më i madh i kategorizimit të këtillë i përket apo i përgjigjet, në esencë, ndarjes sipas kriterit religjioz, kriter të cilin autori e përdor me qëllim si mjet identifikues tek këto civilizime.

Për Huntingtonin, shkaqet ekonomike dhe ato ideologjike nuk do të jenë më shkaqe determinante, të cilat do t’i cilësojnë dhe do t’i tërheqin pas vetes turmat e mëdha të njerëzve, e aq më pak determinante të cilat do t’i ndajnë ata mes vete. Falë modernizimit të pjesës më të madhe të botës dhe prosperitetit të madh ekonomik të Azisë juglindore dhe të Lindjes, antagonizmat mes të pasurve dhe të varfërve, do t’i përcaktojnë gjithnjë e më pak kahet themelore të politikës ndërkombëtare. Dobësimi i ndikimit të Perëndimit në skenën globale botërore do të vijë gjithnjë duke u rritur në vitet në vijim. Në anën tjetër, mungesa e luftës së ftohtë mes dy superfuqive do ta zhdukë vijën e demarkacionit lindje-perëndim. Principi i tubimit dhe i drejtimit të zhvillimit ekonomik, si edhe ai i bashkëpunimit të botës së sotme, është i përcaktuar, siç thotë Huntingtoni, në rend të parë nga limitet e përkatësisë së këtij apo atij rrethi civilizues.

Duke ndjekur një rrugëtim të tillë të strukturës dhe të dinamikës së raporteve në botën bashkëkohore, e në anën tjetër edhe të ridefinimit të sferave të ndikimit, do të thoshim se reale, apo potenciale në botën e sotme do të mund të bëheshin, si pasojë, së pari, tendencat universale të cilitdo civilizim, e para së gjithash atij perëndimor, pra dëshira (dhe nevoja), që drejtimet themelore të këtij civilizimi (sundimi i ligjit, pluralizmi social, individualizmi, etj.) t’u imponohen vendeve, apo civilizimeve të tjera si diçka e mirë, e dëshiruar dhe diçka universale; dhe, së dyti, nga fakti se një numër mjaft i madh i vendeve gjendet në vijën e ndarjeve të dy, e më rrallë edhe të tri civilizimeve.

3. Huntingtoni, në këtë rast, shfrytëzon nocionin e thjeshtë shkencor mbi dridhjet e tokës, për të ilustruar pozicionin e këtyre vendeve të fundit, që gjenden në hapësirën e kryqëzimit të dy civilizimeve. Shtrohet pyetja: sa në të vërtetë është paradigma civilizuese përcaktuese e marrëdhënieve në botën e sotme, apo sa njerëz, në të vërtetë, të periudhës postbllokiste mund ta identifikojnë konceptin e asaj që u përket “atyre”, në mesin e atyre të “tjerëve” që nuk i ndajnë as muret e civilizimit (kulturës), përkatësisht religjionit të tyre? Huntington është shumë i vetëdijshëm se etnokulturat, në realitet kulturat autonome, po bëhen gjithnjë e më shumë cak identifikues i shumicës së njerëzve rreth e përqark kopshtit të Krijuesit, me siguri, më pak për shkak të pasojave të modernizimit dhe të anomizitetit të përcjellë në raportet e ndërtuara mes njerëzve të ambienteve urbane (lëvizshmëria e madhe hapësinore, etj.), e më shumë, mes të tjerash, edhe për shkak të reaksionit ndaj fenomenit të globalizimit, domethënë ndaj uniformitetit planetar të informatave, modës, ushqimit, argëtimit, etj. Ndërkohë, një çështje tjetër është se ku gjendet, në hierarkinë e ndjenjës së përkatësisë dhe besnikërisë së tërë këtij uniformiteti, lojaliteti ndaj civilizimit që i përkasim, me fjalë të tjera, sa mund të jetë e fuqishme në esencë ndjenja e (vetë) identifikimit të njerëzve sipas vijës së përkatësisë civilizuese? E ashtuquajtura sindroma “ne” – “ata”, nuk ka kuptimin e lojalitetit dhe solidaritetit mes vete. Sot, në të vërtetë, kjo sindromë e “neve” – dhe “atyre”, më së shpeshti ekspozohet në vetëdijen etnocentrike, pra në ndjenjat etnonacionale (siç do të mund të thoshim se ishin rastet e luftërave identifikuese mes serbëve dhe kroatëve; shqiptarëve dhe serbëve; serbëve dhe boshnjakëve; maqedonasve dhe shqiptarëve; etj.). Pyetja e përbashkët për tërë këtë sindromë, do të thoshim se është: sa e fortë është ndërlidhja që ushtrohet me paradigmat e quajtura civilizime mes njerëzve? Ose a mundet civilizimi, si një ndër grupimet më të gjëra njerëzore (disa thonë vetëm më e vogël se raca!) të shërbejë si mjet identifikimi, apo disi ai, si koncept (kazan) shumë i gjerë i identifikimit të vetvetes, është i tepërt dhe, si të themi, i papërthekueshëm për mentalitetet apo identitetet të cilat ende notojnë në ujërat e etnosit, racës, religjionit dhe identifikimeve të tjera? Kjo për Ballkanin, ku janë zhvilluar dhe zhvillohen ende luftëra në baza etnike (prapa të cilave me siguri fshihet ajo fetare) do të thoshim, është e paimagjinueshme! Për këtë shkak, përkatësia e identitetit të civilizimit i shkrin barrierat e etnosit, religjionit dhe përkatësisë regjionale në një kazan krejtësisht tjetër, që kërkon si identifikim disa segmente të tjera identifikuese. Përveç kësaj, shumë vende në kuadër të regjionit përkatës, pra në kuadër të të njëjtit civilizim, kanë si “argumente” kontestuese mes vete në të shumtën e rasteve: kulturën, mitet, kujtesën historike, etj., aq sa që është e vështirë të shkrihen në kazanin e përbashkët të zhvillimit dhe emancipimit ekonomik, politik, religjioz, etj.

4. Ndarjet mes vetë grupimeve që i përkasin të njëjtit civilizim, ngandonjëherë, dinë të jenë aq kundërthënëse sa që janë më të shprehura se sa mes vetë civilizimeve të ndryshme (p.sh. papajtueshmëritë e shprehura mes sunitëve dhe shi’itëve në civilizimin islam; apo ai mes protestantëve dhe katolikëve në krishterimin perëndimor, etj.) Dhe, më në fund, vetëdija mbi përkatësinë e një civilizimi nuk është e thënë të jetë gjithnjë e njëjtë tek të gjitha civilizimet. Sot p.sh. ajo është më e thelluar në Islam se sa te civilizimi perëndimor, në mes të tjerash edhe për shkak se përkatësia e ndonjë shteti (nacionaliteti), luan një rol më të vogël në vetë perceptimin dhe vetë identifikimin e anëtarëve të civilizimit të parë.

Duhet cekur se Samuel Huntingtoni e hetoi shumë mirë se në fund të shek. të XX-të, çështja e identitetit filloi t’i preokuponte (sërish) fuqishëm njerëzit dhe se njerëzit nevojën për identifikimin e vetvetes do të mund ta kënaqin më me sukses me ndjenjat e përkatësisë etnike, se sa me atë të bashkësisë shtetërore, pra të entitetit politiko – territorial, në mes të tjerash edhe për shkak se përkatësia etnike, apo ndjenja etnike, është më pak racionale se sa, bie fjala, përkatësia e ndonjë entiteti shtetëror; për shkak se, përkatësia etnike, në esencë, jehon nga e kaluara dhe është shumë më e qëndrueshme.

Pse mund dhe duhet të kontestohet “etnosi global” i Huntingtonit? Sipas Huntingtonit, civilizimi nuk është asgjë tjetër përveçse një etnos global. Mirëpo, shtrohet dilema në formë pyetjeje: a mos është ende herët të mendohet se vetë etnosi global i Huntingtonit është disi i pamjaftueshëm për të globalizuar shumicën e njerëzve të etnoseve të ndryshme, në mënyrë që ata të mund të ndihen psikiqisht e sociologjikisht të identifikuar me të? Si duket, Huntingtoni harron se fuqia, apo niveli i identifikimit të njerëzve me civilizimin që i përkasin, varet shumë edhe nga pjesa e territorit se ku gjenden këta njerëz të këtij civilizimi të përzier me etnose të ndryshme.

P.sh. njerëzit që jetojnë në thellësitë e Siberisë, me siguri se janë më pak të ndërgjegjësuar për përkatësinë e vet specifike të ortodoksizmit si civilizim, se sa bie fjala rusët të cilët janë të ngulitur kryesisht në pjesët jugore kufitare të këtij vendi.

Raca, po ashtu, që është një grupim i madh komunitetesh, sikurse civilizimi, që si objekt i identifikimit të njerëzve i ofron dhe i largon ata nga rrënjët e përkatësisë së një civilizimi, mund t’i konkurrojë seriozisht konceptit Huntingtonian të civilizimit. Zezakët, bie fjala, e civilizimit amerikano-latin, të cilët e kanë pranuar krishterimin, në të shumtën e rasteve më shumë identifikohen me vëllezërit sipas racës, se sa me vëllezërit e civilizimit latino-amerikan dhe atij perëndimor. Ose p.sh. Australia edhe sot e kësaj dite vuan ekonomikisht nga paragjykimet racore, të cilat janë evidente, ngase atje ndarjet demarkative ende sponsorizohen në vijën e racës së verdhë dhe asaj të bardhë, e jo të përkatësisë shtetërore, popullsi kjo që në aspektin kulturor, të traditës, religjionit, etnosit, etj. i përket civilizimeve të ndryshme, duke përjashtuar këtu identifikimin e jashtëm se ata i përkasin një civilizimi perëndimor.

5. Thënë më ndryshe, atje “njerëzit e Azisë” nuk perceptohen si përfaqësues të civilizimit japonez, konfuçian apo atij budist, por si aziatikë, pra si përfaqësues të racës së verdhë! Meqenëse, Samuel Huntingtoni gjen te civilizimi, siç shprehet ai, etnosin global, atëherë politika lokale është një politikë e etnoseve, ndërsa politika globale politikë e civilizimeve, ku përplasjet e ardhshme do të ndodhin mes këtyre civilizimeve. Por ngjarjet e fundit, të shekullit të kaluar dhe të fillimit të mileniumit të ri, sikur dëshmojnë se politika globale nuk është vetëm politikë që zhvillohet mes civilizimeve, por para së gjithash politikë që zhvillohet për shkak të interesave.

Në Luftën e Gjirit, bie fjala, mes dy vendeve të civilizimit islam, SHBA-të (si personifikim i civilizimit perëndimor) e sulmuan furishëm Irakun, i cili pretendonte të merrte rolin e prijësit të civilizimit islam. Në luftërat e Bosnjës dhe atë të Kosovës, civilizimi perëndimor ishte në anën e boshnjakëve dhe të shqiptarëve, që kurrsesi nuk përputhet me pikëpamjet e profesorit të Harvardit. Ai, në një prononcim të vetin në gazetat me renome amerikane, intervenimin e NATO-s (lexo: Amerikës!) e pat cilësuar si jo civilizues dhe një anomali të llojit të vet.

Si duket, Huntington i ngazëllyer nga teoria e tij e pastërtisë civilizuese dhe ideja se secili nga civilizimet e identifikuara nga penda e tij do të duhej t’i përmbahej “vetvetes”, mendon se SHBA-të po e rrezikojnë gjithnjë e më shumë për brenda multikulturalizmin e tepruar, që ajo u ofron civilizimeve të tjera! Ai, në të vërtetë, është ithtar i mendimit se mbyllja hermetike ndaj civilizimeve është shumë më e suksesshme se sa hapja. Në këtë drejtim, koncepti i shpjegimit të raporteve njerëzore dhe civilizimeve, nga ana e profesorit të Harvardit, më tepër i ngjason një projeksioni të tepruar dhe paragjykues se sa ndonjë kahu të përshkruar me optimizëm.Gjykoj se dilema kryesore, që sillet sot në kokat e shoqërive të lindjes vërtitet kryesisht rreth asaj se çka në të vërtetë duhet të provojnë dhe të “dhurojnë” ato diç nga tradita, kultura dhe etnopsikologjia e tyre, në mënyrë që të ridëshmohet, apo refuzohet koncepti i demokracisë?

Ose thënë më ndryshe, i duhet apo jo sot një lloj protestantizmi civilizimit lindor? E themi këtë ngase, sot, ky është provim i pjekurisë së miliona e miliona njerëzve në planetin tonë. Duket se në këtë drejtim, sistemi dhe filozofia lindore do të mund të zinte, në mënyrë të pakontestueshme, vendin e frymëzuesit dhe udhërrëfyesit të këtij rrugëtimi të njerëzve të rëndomtë në të ardhmen, ngase nuk ekzistojnë dallime aq të mëdha civilizuese midis vlerave universale, të cilat do të mund të ngërthenin kundërshtitë e shfaqura alarmuese në këtë milenium mes civilizimit perëndimor dhe atij lindor që kanë filluar ta përjashtojnë njëri-tjetrin.

6. Dinamika e diktuar pikërisht nga perëndimi, ose thënë më drejtpërdrejt nga Amerika, ka bërë që këto institucione apo mekanizma të huazohen apo të shartohen në kontekste dhe rrethana të reja historike në këtë shekull.

Shpjegimi i dytë, për mendimin tim, ka të bëjë me teorinë e Fukujamës mbi “fundin e historisë”, sipas të cilit perëndimi, me rënien e murit të Berlinit, përkatësisht me triumfin që konsistoi ndaj lindjes (përkatësisht ndaj perandorisë së “kuqe”), tani duhet t’ia imponojë përgjithmonë modelin globalist gjithë botës. Shpjegimi i tretë, do thoshim në mënyrë indirekte, është i ndërlidhur me teorinë e prof. të Harvardit, Samuel Huntingtonit, i cili botën e shek. të XXI-të e parasheh përfundimisht si projekt të pushimit të konflikteve: kombëtare, etnike, politike, ekonomike, etj. dhe fillimit të përplasjeve mes civilizimeve! Për të, konflikti i tanishëm në Lindje, bie fjala, nuk është asgjë tjetër veçse zbatim i mirëpërpunuar i projektit mbi inicimin e përplasjeve mes dy civilizimeve (atij perëndimor dhe atij islam) kryesore për supremacion global.

Në anën tjetër, ky Huntington, gjykon kundërthënshëm (!) sepse sipas tij tash (me siguri pas bindjes së fituar në lidhje me pushtimin e lehtë të Irakut) Perëndimi nuk ka nevojë të flasë për dy civilizime (ashtu siç kishte pretenduar në fundshekullin e kaluar), por për “Perëndimin (qendrën, shën. i aut.) dhe pjesën tjetër (periferinë, po ashtu shën. i aut.) që nënkupton ekzistencën e disa jo-perëndimeve”, ku pikësëpari aludohej për Japoninë, pastaj Kinën dhe ato shtete të Lindjes. Një ndër dobësitë më kryesore, që i adresohet kësaj teorie dhe vet autorit të saj, është edhe ajo se diskursi i civilizimeve Huntingtoniane i anashkalon, apo më mirë me thënë, i përjashton dallimet (organizative, politike, ekonomike, etj.) brenda vetë shteteve që bie fjala e favorizojnë uniformitetin kulturor dhe atyre që e përjashtojnë pluralizmin kulturor.

Në kuadër të këtyre kontestimeve shkencore hyjnë edhe analizat dhe studimet e bëra po nga vetë diskursi perëndimor se numri më i madh i konflikteve etnike nuk kanë ngjarë si pasojë e konfliktit në vija të trasha civilizuese, por, para së gjithash, si pasojë e interesave ekonomike, territoriale, ekzistenciale, etj. Pra, shumica e konflikteve etnike në botë nuk kanë si shkak përplasjet e qytetërimeve. Gjithashtu, shumica e anketave në vendet e Evropës lindore tregojnë se, pavarësisht prej përkatësisë në qytetërime të ndryshme, sipas kritereve të Huntingtonit, të intervistuarit kanë perceptime dhe pritshmëri të njëjta mbi demokracinë, integrimin evropian dhe çështje të tjera politike (White, Oates & Miller, 2003).

7. Gjithashtu, sondazhet në vendet me shumicën e popullsisë të fesë islame dalin në përfundimin se, në mikronivelin e këtyre shoqërive, demokracia parapëlqehet nga shumica e popullsisë. Fakti se, në një numër vendesh myslimane janë në pushtet regjimet jodemokratike, nuk do të thotë se shumica e qytetarëve të këtyre vendeve nuk janë mbështetës të një alternative demokratike, diçka që implikohet prej studiuesve, që e etiketojnë islamin si kundërdemokratik” (Hofman, 2004: 672).

A ia qëlloi Huntington me teorinë e tij për përleshjet e mëdha? Po ashtu, Huntingtonit mund t’i adresohen vërejtje të theksuara, ngaqë asnjëherë, në asnjë periudhë historike, nuk ka pasur kacafytje, apo si të themi përleshje mes civilizimeve. Historia na mëson se pothuajse të gjitha luftërat e ndodhura deri tani ishin, pak a shumë, luftëra të një dimensioni tjetër, që nuk kishin për motive hasmëritë mes kulturave apo civilizimeve si të tilla, por para së gjithash ishin përplasje mes interesave të ndryshme që kishin kombet, apo më mirë më thënë shtetet, që kishin rolin prijatar të zhvillimeve ekonomike, politike e kulturore me kombet, apo vendet (shtetet), të cilat i kundërshtonin këto procese avancuese jo vetëm për këta të fundit, por edhe për ata vetë.

Duket që edhe “përplasja” e fundit, që nga disa po identifikohet edhe si përleshje apo konflikt mes civilizimeve, nuk ka të bëjë edhe gjithaq me shpalljet për shkatërrim të njërit (në këtë rast, civilizimit perëndimor) civilizim ndaj tjetrit (civilizimit islam), se sa me përplasjet e vetë civilizimit perëndimor me problemet e identifikuara në kuadër të tij, siç janë ato që kanë të bëjnë me: ksenofobinë, stereotipinë ndaj ardhacakëve të lindjes (rasti i incidenteve në Francë, Holandë, etj.), rrezikun ndaj të huajve (në Gjermani p.sh. debatet e vonshme) dhe me frustrimin evident në Islam, që aktualisht, për mendimin tonë, është më tepër pasojë e një gjurmimi të një identiteti të ri, apo si të themi një dileme hamletiane mes modernitetit (si ofertë) dhe konservatorizmit (si traditë qindravjeçare). Oferta moderniste, në një mënyrë, është ofertë perëndimore që aktualisht, në kushtet dhe stadet e një procesi apo tendence globalizuese, po faturohet nga të gjitha civilizimet…

Në luftërat e Bosnjës dhe atë të Kosovës, civilizimi perëndimor ishte në anën e boshnjakëve dhe të shqiptarëve, që kurrsesi nuk përputhet me pikëpamjet e profesorit të Harvardit. Ai, në një prononcim të vetin në gazetat me renome amerikane, intervenimin e NATO-s (lexo: Amerikës!) e pat cilësuar si jo civilizues dhe një anomali të llojit të vet. Si duket, Huntington i ngazëllyer nga teoria e tij e pastërtisë civilizuese dhe ideja se secili nga civilizimet e identifikuara nga penda e tij do të duhej t’i përmbahej “vetvetes”, mendon se SHBA-të po e rrezikojnë gjithnjë e më shumë për brenda multikulturalizmin e tepruar, që ajo u ofron civilizimeve të tjera…
Share: