Home KRYESORE Tradicionalisht të besës, tani dalka që s’i besojmë as njeri – tjetrit…

Tradicionalisht të besës, tani dalka që s’i besojmë as njeri – tjetrit…

Nga cikli ‘Kafe për llafe’ I Çapajev Gjokutaj

Më në fund dalkemi të parët Evropë, tha Beqiri pa i ngritur sytë nga celulari.

Hair ishalla, në ç’fushë e paskemi bërë namin?, ironizoi Lilua.

Në mosbesimin ndaj tjetrit, u përgjegj Beqiri.

Ky tjetri që s’e besojmë është sërbi e greku ma do mendja, hamendësoi Qebiri.

Jo, jo, tjetri është komshiu, kolegu, bashkëfshatari, ai që ke pranë në autobuz; me një fjalë ai me të cilin ndan një hapsirë, bashkëpunon a bashkëjeton – trashi zërin si të fliste nga podiumi i leksioneve Beqiri.

Do ja kenë futur kuturu ata të sondazhit, ndërhyri Ilmiu, tradicionalisht kemi qenë të besës, madje e kemi kthyer dhe në kult. Tani dalka që s’i besojmë as njeri – tjetrit.

Edhe prazmore çeliku të kish qënë ajo e shkretë besë do qe bërë vrima vrima. Ka që në kohën e pellazgëve që e mbajmë me vete ngado që vemi, veshun me besë e mbathun me fjalën e dhanë, u tall hapur Qaniu.

Pas batutave hidh e prit të fillimit, biseda u bë më e shtruar e më medituese. Si rrallë herë të gjithë ishim të një mendjeje: besimi tek tjetri nuk është cilësi që varet vetëm nga individi, madje shumë më tepër ndikohet nga prania ose mungesa e disa konstruksioneve sociale.

Në një vend ku gati gjysma e gjyqtarëve janë përjashtuar nga sistemi për korrupsion, pra në një vend ku sistemi i drejtësisë funksionon rrakazhdraka, ku gjyqet blihen e drejtësia shitet jo rrallëherë, s’ke si i beson tjetrit, po nxiton t’ia hedhësh, fugon të blesh të drejtën se po s’e bleve ti e blen kundërshtari.

Në një vend që s’para e njeh meritokracinë po i punëson dhe i shpërblen njerëzit jo sipas aftësive po sipas militantizmit, sipas lidhjeve nepotike e krahinore, tjetri të shfaqet jo si njeri po si lubi, që mund të gllabërojë ato pak të mira publike e të të lejë me gisht në gojë.

S’mjaftojnë të gjitha këto, konkludioi Qaniu, po vijnë dhe mediat e nga mëngjezi në darkë përbaltin këdo e gjithçka, shpesh për interesa biznesesh e partish. Forcohet imazhi i një ambjenti të molepsur me vjedhje, vrasje e allishverish. Doemos që edhe njerëzit do të të fanepsen duke u ndeshur bri më bri , jo si desh po si djaj.

Besimi e besa paskanë rënë dëshmorë, qeshi kamarjerja dhe nderoi me grusht.

Jo po edhe një krua që keshëm na e dogji jermëni, ironizoi Beqiri dhe pas një pauze të shkurtër, me një zë meditues shtoi: ku ta dish se mitizimi i besës nuk i ka patur rrënjët tek prania e tepërt e pabesisë; uji poetizohet në shkretëtirë🧐😛

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Share: