Home Gjeo-Ekonomia Pse nuk funksionojnë marrëveshjet Serbi Kosovë?

Pse nuk funksionojnë marrëveshjet Serbi Kosovë?

Nga Irena Beqiraj

Në vitin e largët 2002 punoja për një program të Bankes Botrore . Programi shtrihej në Bosnje Herzegovinë , Shqipëri , Maqedoni edhe Serbi . Unë isha prurja me e re në program . E ndërsa telefonoja kolegët e Maqedonisë apo të Bosnjes për një ndihmë, nuk merrja kurrë pergjigje . Ajo vinte sa hap e mbyll sytë sapo telefonoja zyrën e Beogradit . Në udhëtimet e mia të shpeshta në rajon do të darkoja e vetme në hotel në Shkup e Sarajevo, por kurrë në Beograd . Kolegët e Beogradit nuk më lanë kurrë të darkoja e vetme as në ditët kur bora kishte mbuluar qytetin .
Ndërsa mund të dëgjoni me mijëra mikro histori të tilla të një bashkëpunimi të frytshëm e aspak hostil midis serbëve edhe shqiptarëve te thjeshtë përfshi edhe ato të Kosovës , të bën përshtypje që tash 10 vjet marrëveshjet Serbi – Kosovë nuk funksionojnë .

Këtë vit mbushen plot 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë Kosovë -Serbi në Bruksel, e cila në kohën e nënshkrimit u quajt një nga arritjet më të qënësishme të diplomacisë së BE-së. Megjithatë ngjarjet e fundit tregojnë që problemet janë po aty , të pa zgjidhura . Ndërkohë lufta e Rusisë në Ukrainë duket se ka bindur përfundimisht Evropën për nevojën e zgjidhjeve të qëndrueshme të ngërçeve te përhershme në Ballkanin Perëndimor. Madje ka pasur sugjerime që pranvera e vitit 2023 ishte në thelb një afat kohor, për zgjidhjen e tyre. Afat që rezultoi tepër optimist me atë cfarë po ndodh ditët e fundit.

BE-ja beson se ekziston një dritare jetike për të arritur një marrëveshje detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Udhëheqësit aktualë në Beograd dhe Prishtinë edhe pse gëzojnë mbështetjen e nevojshme për të marrë vendime të vështira me sa duket nuk janë të gatshëm për këtë.

Pavarësisht nga anon peshorja e fajit për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mosfunksionimi i tyre lidhet me procesin e arritjes së tyre .

Së pari në të gjitha marrëveshjet “e mira “ të arritura në Bruksel prioritetet i ka vendosur Brukseli , dhe shpesh “ua imponon ato ” grupeve negociuese duke lënë jashtë dhe të papërfshirë komunitetet në terren të cilat janë të implikuara drejt për së drejti në konflikt.

Së dyti në implementimin e të gjitha marrëveshjeve te mira të Brukselit ka pasur vështirësi në interpretimin e “dykuptimësive” konstruktive të tyre, të cilat janë të pashmangshme kur arrihen kompromise të vështira.
Këto lloj “paqartësish apo dykuptimësish ” janë të nevojshme dhe “konstruktive”, sepse nësë do të tentohej që cdo situatë të parashikohej qartazi në marrëveshje, arritja e saj do të bëhej praktikisht e pamundur .

Ndërkohë që zgjidhjet e mundëshme duhet të gjenden rast pas rasti, në bazë të frymës së marrëveshjes , sepse ne marrëveshje nuk është përcaktuar e zezë mbi të bardhë një zgjidhje për cdo konflikt. Dhe që kjo të arrihet duhet shmangur dezinformimi dhe retorika përçarëse, duke ndërtuar besimin brenda dhe ndërmjet komuniteteve.

Ndërkohë BE ka preferuar procese dialogu ku janë përfshirë vetëm elitat politike edhe ku negociatat janë kryer në fshetësi , pa trasparencë. Eshtë neglizhuar tërësisht fakti që ndërtimi i paqes së vërtetë dhe të qëndrueshme në një kontekst historik armiqesor dhe të pafavorshëm, ka nevojë për një pjesëmarrje aktive të komuniteteve .

Mungesa e figurave me ndikim të shoqërisë civile, është një mungesë thelbësore në të gjithë proceset e politikëberjes në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shoqëritë tona gjithëmonë janë mjaftuar më vendimet e klasave politike të cilat jo rrallë hërë janë treguar egoiste, edhe të përqëndruara më së shumti tek arritjet afatshkurtra politike, por mosperfshirja e tyre në procesin jetik të zgjidhjes së një konflikti kaq afatgjatë është fatale . Sepse janë pikërisht këto njerez të cilët mund të përballen më mirë se cdo lider politik me dezinformimin dhe retorikën përçarëse, duke ndërtuar besimin e nevojshëm brenda dhe ndërmjet komuniteteve.

Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të hapet për zërat konstruktivë të shoqërisë civile serbe e kosovare të cilët ndryshe nga politikanët kanë të gjitha shtysat të përfaqësojnë në mënyrë të paanshme komunitet e tyre dhe të artikulojnë një vizion të panashëm për të ardhmen.

Share: