“Shqipja do të flitet së shpejti në Radio Televizionin Publik Italian Rai”, shkruan Qendra e Studimeve dhe Botimeve për Arbëreshët, në faqen e saj online, sipas mediave italiane.
Ky vendim vjen pas miratimit të rezolutës nga Parlamenti Italian, përkatësisht nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Shërbimit Publik, e cila në mesin e disa gjuhëve të pakicave etnike në Itali ka përfshirë edhe atë shqipe. Ky propozim u prezantua nga senatori i “Forza Italia”-s, Maurizio Gasparri, e cila garanton që për pesë vjet e ardhshme, Radio Televizioni Italian të ofrojë program për arbëreshët që gjinden në Kalabri, Basilicata, Puglia, Molise, Campania, Abruzzo e Sicili.
Kjo nismë e promovuar nga Fondacioni “Crucitti”, me president Demetrio Crucitti, ish-drejtor i selisë Rai në Kalabri, pati një rëndësi të veçantë, pasi në nivel kushtetues i kushtoi vëmendje pakicës gjuhësore arbëreshe falë iniciativës dhe pjesëmarrjes së nënkryetari i këtij Senati, Maurizio Gasparri.
Komisioni parlamentar për menaxhimin dhe kontrollin e përgjithshëm të shërbimeve televizive ka paraqitur ndryshimin e Skemës së Kontratës së Shërbimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Radio Televizionit Publik Italian Rai për vitet 2023-2028.
Amendamenti i paragrafit 4, i paraqitur nga nënkryetari Maurizio Gasparri, shprehimisht thotë: “Komisioni vendos ngritjen e një selie rajonale të statutit të zakonshëm për Rajonet të cilës do t’i besohen nivelet minimale të mbrojtjes për gjuhën arbëreshe”.
360grade.al