Gazeta greke Kathimerini publikon në numrin e sotëm tri kushtet në çështjen Beleri që Greqia i ka vendosur Shqipërisë për të pranuar hapat e ardhshëm të anëtarësimit të saj në BE.
Ato përmbahen në një deklaratë me shkrim të depozituar dje në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe i janë bashkangjitur letrës së dërguar Tiranës dhe Shkupit nga 27 vendet e BE për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave. Konkretisht, Greqia kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë si dhe prezumimi i pafajësisë.
Ashpërsimi i qëndrimit grek sipas gazetës, lidhet me intolerancën që Tirana ka treguar këtë periudhë , por është edhe një mesazh për partneret europianë, të cilët konsiderojnë se Greqia po e bilaterizon çështjen Beleri, duke injoruar dimensionin e saj thellësisht evropian.
“Për Greqinë, situata që mbizotëron bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe të drejtën europiane, të cilat janë të panegociueshme”, thuhet në deklaratë. Aty theksohet edhe njëherë se çështja Beleri “përbën një shkelje flagrante të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të pjesëtarëve të pakicës etnike greke. Ndaj Greqia nuk do të bjerë dakord për fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të vlerësimit të standardeve të pazgjidhura.
Deklarata greke jep një historik të shkurtër të çështjes dhe thekson se në prag të zgjedhjeve të 14 majit, z. Beleri kishte qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve të drejtpërdrejta verbale nga lidershipi politik shqiptar. Dhe me gjithë minimin e kandidaturës së tij, ai ishte një nga shtatë kandidatët e opozitës që arriti të zgjidhej në 61 bashkitë e vendit.
Pala greke përfshin edhe dimensionin minoritar të çështjes, pasi akuzon Shqipërinë për praktikë diskriminuese “kundër një anëtari të një pakice etnike të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare”.
Aty thuhet se paraburgimi i Belerit pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjes së tij bie në kundërshtim me ligjin shqiptar sipas të cilit është e qartë se marrja e detyrave nuk duhet të ndikohet nga procesi apo përfundimi i çështjeve të pazgjidhura, pasi është një akt i thjeshtë administrativ, i cili nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit.
Në vijim, arrihet në përfundimin se “parandalimi i betimit të kryebashkiakut të zgjedhur është një vendim politik i ndërgjegjshëm i qeverisë shqiptare, që pasqyron përbuzjen e saj ndaj parimeve themelore të shtetit të së drejtë“.
Vlen të theksohet se kjo deklaratë specifike me shkrim është tashmë qëndrimi i regjistruar zyrtarisht i Greqisë për procesin e anëtarësimit në BE dhe do të shoqërojë çdo hap të Shqipërisë, nëse sigurisht, nuk përputhet me çështjet themelore të ngritura nga Athina dhe që janë pjesë përbërëse e shtetit ligjor evropian.
Top Channel