Home KRYESORE Nga cikli ‘Grunari i leximeve’

Nga cikli ‘Grunari i leximeve’

Di Çapajev Gjikutaj

Profesor Tritan Kalo ndan në fejsbuk një lajm të gëzuar: e shoqja e tij, zonja Rozi, ka fituar betejën me kancerin e pankreasit. Lajmi, paçka se familjar, krijon ndjesi të mirë në një rreth të gjerë. Triumfi i jetës mbi vdekjen mbetet burim optimizmi për këdo që sheh tek tjetri të ngjajshmin e vet. Urime zonjës Rozi dhe gjithë familjes Kalo😍

Profesori nuk mbetej në rrafshin familjar, por përshkruante me konstruktivitet shërbimin në një qendër mjeksore të trajtimit të kancerit në Kanada, një nga qendrat më moderne në botë, thoshte.

Në botë ka shumë e shumë gjëra moderne që i ëndërrojmë dhe ne, shqiptarët e që mbase një ditë do i meritojmë. Po mua më mbeti në mendje një detaj periferik e njëherësh shumë domethënës.

Në vargun e shërbimeve bënte pjesë edhe një grup pensionistësh vullnetarë që me makinat e tye sillnin të sëmurët për mjekim dhe pastaj i kthenin në shtëpi, jo se mungonin ambulancat dhe shërbimet e transportit, por për të krijuar një atmosferë sa më njerëzore. ‘Psikologjikisht kjo ndikon mirë tek të sëmurët, u krijon përshtypjen se janë me të afërmit e tyre të munguar…. ‘

U bën mirë jo vetëm të sëmurëve por edhe vet vullnetarëve pleq, thashë me vete, i ndihmon të ndihen të dobishëm, të luftojnë ndjenjën e vetmisë dhe të kotsisë, të marrin pjesë në dhimbjen a gëzimin e tjetrit dhe ashtu të purifikohen sado pak.

Njerëz me Nj të madhe, mendova dhe s’di pse mu kujtua ajo anekdota me Perëndinë që, kur krijoi trojet tona u dha gjithë të mirat nga klima, tek pasuritë dhe pamjet mahnitse. Po e mban me hatër, protestuan disa, por i gjithfuqishmi qetë qetë ua ktheu: shihni ç’njerëz lemeri do vë të banojnë këto troje dhe pastaj flisni.

Në mos një ditë, një tjetër ditë klinikat moderne do vijnë edhe në trojet tona. Le të urojmë që bashkë me to të vijnë dhe njerëzillëku, qytetaria e aktivizmi. Deri atëhere le të marrim një sy gjumë se mbase shohim ndonjë ëndërr të bukur; qyl e kemi🤡

( Nga cikli ‘Grunari i leximeve’ )

Share: