Home KRYESORE Nga “Shëtitjet e së hënës” Nga Arben Iliazi

Nga “Shëtitjet e së hënës” Nga Arben Iliazi

MES PARQEVE STRUKET NATA

Mes parqeve struket nata
Dremit në gjunjët e të dashuruarve
Ti matesh me shtratin e pemëve
Ndërsa i çik me flokët e praruar.

Tej rrahin krahët zogj të kaltër
Ndërsa bota jashtë vete e vjen
Me një të fshehtë të madhe kyçur

Mbi ëndërrën tënde rrinë si antenë
Qiejt e ikur…

AKORDE

Çrrënjosen ndjenjat nga gjoksi im
Me mjegull vitesh të shkuara
Mbi akorde dridhen gishtërinjtë
Si gjit’ e tua…gjinjtë!

ZËRI IM

Zëri im ulërin pas pranverës
Mes buzëqeshjeve të tua
Lëndinë e ngërdheshur kujtimesh
Pyje të blertë
Ku pamja jote vegjeton
Ujdhezave të padukshme
Si përqafim Amazonash.

Mbrëmjet dridhen në shi
Një e nga një
Diçka lind
Dhe diçka humbet përgjithnjë….

UJËRAT ZBRESIN NGA QIEJT

Ujërat zbresin nga qiejt
Si britmat e fëmijëve të erës
Mbi fushat e çara pas dimrit
Nuk kam shumë që të pres.

Statuja muzgjesh, papiruse
Mbështjellin orët e ngrira
Erërat fryjnë mbi kaktuse
Na shtijnë turbullira…

ORËT PAKËSOHEN

Orët pakësohen si një yll
Që sillet rrotull në orbitën e vet
Në pafundësinë e verdhë të një shkretëtire
Dëgjoj botën që përmes teje më flet.

Mbi reflekse të largët rrëshqas
Me rrëkeza mjegulle ngecur në buzë
Blerimi i drurëve më ndjek pas
Në orët e ngeshme të muzës.

Kam mbetur aty ku bota zë fill
Mbyllur si kujtim pas një reje
Horizonti ku ulen hënat u mbyll
Ngjyra e lumenjve shkalloi pas teje…