Në Shqipëri, asgjë nuk kalon pa sherre, sa tani do na bënte përshtypje nëse një event do mbaronte pa një fenomen të till. Sherrit dihet që nuk lë mangët as politika, as sporti, as kisha, as xhamia, as dasma, bile as funerali… dhe tani më së fundmi, as Urdhri i Psikologut. Mesa duket, edhe ata që janë trajnuar për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të ndihmuar të tjerët të rregullojnë brendinë e tyre të trazuar, kanë harruar të përballen me të tyren.
Ironia është therëse: kur profesionistët e shëndetit mendor përfundojnë në grindje, akuza, ambicie dhe thirrje për përjashtime, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një “Urdhër Psikologësh”, por me një kaos kolektiv neurotik të certifikuar me vulë.
Në vend që të ofrojnë një shembull të institucioneve të qeta, të mençura, të balancuara, duket se edhe këta janë kapur nga virusi i përhershëm shqiptar: lufta për karrige, për egon personale dhe për kontrollin mbi një strukturë që për momentin ka më shumë status simbol sesa funksion real.
A ka ndonjë kuptim të flasim për shëndet mendor në një shoqëri ku vetë psikologët kanë nevojë për ndërhyrje emergjente të grupit të tyre të mbështetjes? A mund t’i besosh një institucioni që nuk arrin të rregullojë vetveten, por pretendon të rregullojë mendjet e të tjerëve?
Kjo nuk është vetëm një çështje profesionale, por kulturore. Ne jemi një shoqëri që e kemi kthyer sherrin në mënyrë komunikimi, mosbesimin në bazë bashkëpunimi dhe krizën në normalitet. Dhe ky normalitet i kalbur depërton ngadalë në çdo hallkë të institucioneve, edhe në ato që duhej të ishin më rezistente ndaj sëmundjeve të sistemit.
Në fund të ditës, një pyetje mbetet pezull:
Kush do t’i shërojë shëruesit?
Sepse nëse edhe ata bien në të njëjtat gropa ku bien politikanët, juristët, inxhinierët dhe pronarët e kafeneve, atëherë e vetmja gjë që na mbetet është të bëjmë një “urdhër popullor” për t’u marrë me gjithë këta urdhra që urdhërojnë vetëm përçarje.
Tiranë më 06.06.2025.