Nga Elton Metaj
Plot 35 vjet pasi shqiptarët kapërcyen frikën dhe kangjellat e ambasadave të huaja në Tiranë për t’i dhënë një ndër goditjet më vendimtare regjimit komunist, pikërisht në kryeqytetin shqiptar do të nisë një proces historik. Nga 1 korriku rreth 500 mijë shqiptarëve do t’u lindë e drejta të marrin pension për vitet e punës në Itali.
I mbetur disi në heshtje dhe pa shumë vëmendje në mediat vendase, ndoshta nga zhurma e zgjedhjeve parlamentare apo zhvillimet ndërkombëtare, procesi mbart brenda vetes diçka historike, si për vitet e lodhshme të punës në një vend të huaj për çdo shqiptar, ashtu edhe për të vulosur një “status” tjetër për çdo emigrant shqiptar të ligjshëm në Italinë fqinje.
Të përballur me varfërinë e një vendi të sapodalë nga sistemi komunist, shqiptarët mbushën anijet në mars 1991, pasi 2 korrikun e një viti më parë kishin “pushtuar” paqësisht selitë e huaja diplomatike, mes tyre edhe godinën në “Rrugën e Elbasanit”, ku sot valvitet flamuri amerikan. Valë të tjera ikjesh masive nuk munguan as në vitin famëkeq 1997, pa përmendur “linjat” e rregullta vetëm vajtje me gomone, që morën edhe jetë njerëzish në Adriatik. Qëllimi ishte një dhe i vetëm: Puna në Itali.
Por pas shumë vitesh punë, shpeshherë edhe me paragjykime negative, për mijëra e mijëra shqiptarë vinte pjesa më e dhimbshme, mungesa e një pensioni në Itali dhe kthimi në Shqipëri për të marrë çfarë kishte mbetur nga pensionet minimaliste të sistemit të sigurimeve shoqërore. Shumë pak të ardhura për të përballuar vitet në një moshë të thyer dhe shumë pak dinjitet pas dekadash lodhjesh e mundimesh.
Ndaj hapja e sporteleve në Tiranë prej mëngjesit të 1 korrikut 2025 do të jetë, jo vetëm një lehtësim financiar për shqiptarët e shumtë me kontribute në ekonominë italiane, por mbi të gjitha kthimi i një dinjiteti të munguar prej shumë vitesh. Sigurisht me disa euro më shumë në portofolet e tyre, pensionistët e rinj e të vjetër shqiptaro-italianë do të jenë domethënia më e mirë e mbylljes së një kapitulli të mundimshëm. Një kapitulli lodhjesh e vuajtjesh, që për fat të mirë do të dalë në pension më 1 korrik 2025.
Shqipëria🇦🇱 dhe Italia🇮🇹 nisin kështu konkretisht diçka të shumëpritur, duke dëshmuar se vullneti i mirë rregullon shumë gjëra. Me shpresën se i njëjti vullnet do të gjendet edhe në Greqinë🇬🇷 fqinje për t’u dhënë atë që u takon mijëra e mijëra bashkëatdhetarëve tanë.
Elton Metaj, 30.06.2025