Home KRYESORE Familja si sfidë për shoqërinë! Nga Elvira Zeneli

Familja si sfidë për shoqërinë! Nga Elvira Zeneli

Ku po shkon familja shqiptare?
Marr shkas nga një ngjarje e ndodhur sot në bregdetin tonë, duke pushuar nën rrezet e diellit dhe duke lexuar, një zë i lartë më tërhoqi vëmendjen.
Ngrej kokën dhe shikoj një çift që po debatonin. Zotëria që i dukej vetja i fortë para njē gruaja të brishtë, i bërtiste me zë të lartë dhe as nuk i bēnte përshtypje se ishte vendi plot me pushues.
Debati i ashpër, sharjet e tij dhe herë – herë i afrohej dhe e kapte nga krahu me një veprim dhunues, bëri që pranë tij të afroheshin dy – tre persona të afërt me qëllim që ta zbutnin sado pak konfliktin e tyre në publik. Mbi 60- të minuta debati vazhdoi, derisa u larguan për në çadrën e tyre.
Familja shqiptare po tronditet, po i humbet disa vlera tradicionale dhe po shfaq shenja dobësimi të strukturës, sidomos të moralit. Kjo fillon te çifti, tek ata që krijojnë familjen. Aty ndikojnë dukshëm faktorët shoqërorë dhe psikologjikë, të cilët dobësojnë marrëdhëniet në çift dhe pastaj tronditin gjithë familjen dhe shoqërinë. Çifti krijon familjen, këtë qelizë bazë të shoqërisë.
Nga shëndeti i kësaj lidhjeje varet mbarështimi i familjes dhe “produkti” që kjo i jep shoqërisë.
Familja mund të quhet si bashkësi parësore njerëzore, ku individi së pari takohet me kushtet e jetës shoqërore, të cilat ia përcaktojnë atij kornizën, në të cilën ai mund të zhvillohet si person; kështu që mund të themi se personaliteti njerëzor formohet në procesin e ndërveprimit shoqëror.
Në shumë shoqëri, familje quhet vetëm ajo e njohur nga ligji ose sisteme të ngjashme normative. Edhe pse shumë të tjerë duke përfshirë edhe sociologë, marrëdhëniet familjare i kanë konsideruar vetëm lidhjet e gjakut, shumë antropologë kanë kundërshtuar duke thënë se njeriu duhet ta kuptojë nocionin e lidhjes së “gjakut” metaforikisht dhe që shoqëritë e ndryshme duhet ta kuptojnë familjen nga koncepte të tjera dhe jo nga lidhjet gjenetike.
Sociologjia dhe antropologjia, familjen e konsiderojnë si funksion thelbësor të reproduktimit biologjik, shoqëror ose të dyja bashkë-shoqëria. Nga pikëpamja e fëmijëve funksionet e familjes janë drejtuese: ajo shërben për t’i orientuar ata në shoqëri dhe kulturë. 
Familja sot është streha më e pasigurt për gratë dhe vajzat shqiptare, pasi është kthyer në vendin ku ndaj tyre ushtrohet dhunë më shumë se kudo. Të njëjtën krisje kanë pësuar edhe marrëdhëniet ndërmjet brezave, duke përfshirë ato prind-fëmijë dhe ato që kanë të bëjnë me brezin më të vjetër. Familja, e cila te ne historikisht ka përbërë bazën e njësisë, duke zëvendësuar jo rrallë shoqërinë dhe vetë shtetin, familja që duhej të ishte shembull për shoqërinë në tërësi, ka humbur dhe po e humb dita – ditës këtë rol, duke e kthyer shoqërinë në një shoqëri konfliktuale.
Sot me dhimbje mund të themi se familja ka qenë, por nuk është më… Kjo edhe për faktin se familje sot konsiderohet vetëm familja e ngushtë nukleare, duke harruar “familjen e zgjeruar”, pjesë e së cilës janë edhe dajat, hallat, xhaxhallarët, tezet, kushërinjtë dhe farefisi, të cilët, pavarësisht se shkencat sociologjike i trajtojnë si pjesë e familjes, ne i kemi përzënë nga parajsa familjare dhe takohemi vetëm në raste dasme ose vdekje.
Tradicionalisht, familja ka qenë institucioni që jo vetëm ka garantuar intimitetin, dashurinë dhe dhembshurinë ndaj individit, por ajo ka qenë gjithashtu njësia bazë e jetës ekonomike, politike, njësia bazë e strukturave shoqërore, institucioni më i rëndësishëm edukativ, arsimor, kulturor etj. Kurse sot “defunksionalizimi” i familjes ka sjellë shkatërrimin e elementëve më të qenësishëm të jetës sociale të njeriut. Sot familja shqiptare vuan nga: mungesa e edukimit për liri dhe përmungesa e edukimit për liri dhe për përgjegjësi (liria pa përgjegjësi është anarki), privatizimi i lidhjeve afektive (punë për mua, mos ndërhy në jetën time private); largësia me familjen (pjesa dërmuese e kohës kalohet jashtë familjes).Në përfundim dua të risjell në kujtesën e të gjithëve fjalët e Papa Françeskut: “Të kujdesemi. Të kujdesemi për shumë gjëra… Por sidomos, kujdesuni për familjen! Familja është thesar, fëmijët janë thesar. Luani me fëmijët: është kaq bukur. Kjo do të thotë të mbjellësh farën e së ardhmes”. Kjo, që familja, nga faktor dëshpërimi të shndërrohet në faktor shprese, për të përjetuar vlerën e të pasurit familje. Kjo me siguri që do i lehtësonte edhe procedurat që Shqipëria t’i bashkohej sa më parë “familjes evropiane”, ëndrra dhe aspirata e përjetshme, për të cilën “sfiliten” politikanët tanë.