Nga Sulejman Abazi
Mjaftë më me demagogjinë e shpifur politike në gojën e të ashtuquajturve “liderë politik” shqiptar në Maqedoni.
Një tufë parti dhe partiçka që po konfliktohen me njera tjetrën si zorrët e barkut dhe po e coptojnë më keq faktorin shqiptar brenda një shteti dykombësh, duke dhënë natyrën më të shëmtuar të një politike pa kockë e pa bosht, të tërhequr zvarrë pas ngjarjeve dhe interesave të ngushta.
T’i biem problemit në kokë në këtë situatë të favorëshme politike, e cila nuk mund të zgjidhet pa kushte. Në këtë situatë ajo po jep mundësinë të korrigjohen disa veprime kriminale të institucioneve ligjore, deri në kupolën e shtetit.
Nëse këto parti apo partiçka të tipit “Besa” që janë bërë shumë në Maqedoni, apo dhe dy partitë tradicionale BDI dhe PDSH do të mendojnë vërtet për interesat e shqiptarëve, atëherë t’i lënë mënjanë demagogjitë programore me shumë zhurmë dhe të fokusohen në një opsion politik thelbësor, që të bindin opinionin shqiptar për angazhimin e tyre serioz politik.
Problemi është i qartë dhe saktësisht delikat dhe shumë i prekshëm.
Gjithçka duhet të fillojë nga kërkesa për rregjistrimin real të popullsisë në Maqedoni. Ky është dhe mbetet problemi i problemeve.
Mbi bazën e të dhënave serioze, është mundësia të formulohen listat e reja të rregullta zgjedhore. Le të mos bëhen zgjedhjet as në qershor. Gjethja e fikut mbi allatet e pushtetit politik i ka ardhur koha të hiqet dhe të dalë e vërteta në dritë të diellit.
Këtu dhe vetëm këtu fillon pikënisja e zgjidhjes së problemit shqiptar në Maqedoni.
Gjithçka që sot trumbetohet për programet partiake, duke shpresuar “në mirëkuptimin” e palës maqedone janë veç pordhë kali në gojën e Aliut, Kadiut dhe kallauzëve të tyre.
Shëmtimi i listave zgjedhore fiktive, manipulimi i opinionit shoqëror dhe politik, karrshillëku ndaj faktorit ndërkombëtar me shifra – gënjeshtër, është një veprim kriminal që përfshin drejtuesit më të lartë të institucioneve shtëtërore në Maqedoni.
Mjaftë më, mos i bëni shqiptarët të paditur.
Të gjithë sot e dinë që shqiptarët në këtë shtet përbëjnë popullsinë shumicë dhe sëbashku me nacionalitetet e tjera kanë shanset të marrin pushtetin politik në Maqedoni. Kjo e tmerron nacionalizmin e sëmurë maqedon, të cilët kur është fjala për kundër shqiptarëve, nuk kanë dallim as VMRO-DPMNE e as LSDM e partiçka të tjera maqedone, të gjithë rreshtohen në një front antishqiptar.
Kjo është dhe mbetet “Thembra e Akilit” në politikën nacionaliste të Maqedonisë. Të tjerat që dëgjojmë çdo ditë “për integrimet, anëtarësimet, bashkëjetesën”, janë përralla të kuzhinës sllave, të artikuluara me ose pa dashje në gojën e liderëve politik shqiptar.
Këmëngulja dhe serioziteti në realizimin e një kërkese të tillë, vetvetiu në sytë dhe vetëdijen e opinionit shqiptar do të bëj diferencimet midis njerëzve të ndershëm atdhetarë dhe tufës së njerëzve të inkriminuar që janë bërë paterica mbështetëse e pushtetit politik më antidemokratik në Evropë.
Ka ende kohë për të reflektuar.