Këto ditë doli në treg, nga Shtëpia Botuese “Fast Print” me editore Semi Haxhiu edicioni i 2-të i romanit: SHPIRT I BURGOSUR nga autorja Angela Kosta.
“Në këtë roman, – thotë autorja në fjalë, do të gjeni vuajtje, dhimbje por mbi të gjitha do të gjeni shumë dashuri dhe miqësi të cilat shpesh na lidhin me njëri-tjetrin. Duhet të theksoj se me këto ndjenja të sinqerta, çdo gjë mund të përballohet, çdo pengesë, çdo vështirësi dhe ky është pikësynimi: ta ndihmojmë në çdo moment, brenda mundësive tona, çdo njeri që ka nevojë për cilindo nga ne, nga të gjithë ju, nga mua vetë.
Në shfletimin e këtyre faqeve, midis shumë tematikash të tjera, do të lexoni edhe historinë e thjeshtë por me një rëndësi tepër të madhe, të një vajze e cila në mars të vitit 1997 lë Shqipërinë, atdheun, tokën ku u lind dhe u rrit. Ajo niset drejt të ardhmes, bashkë me familjarët e saj, të cilët për fat të keq, si shumë shqiptarë të tjerë, humbën jetën në fund të detit, në kanalin e Otrantos, i cili do të mbetet i vetmi dëshmitar që mund të tregojë tmerrin, realitetin e hidhur të asaj nate të pafat, të atyre qindra personave që lanë në shpirtin dhe zemrën tonë një brengë të madhe.
Të gjitha ngjarjet që do të lexoni në këtë libër, shumë herë janë pjesë e vetë jetës sonë dhe për këtë e ndiej t’ju them, se çdo herë u mundova të jap diçka nga vetja ime dhe jo vetëm në krijimin e këtij romani, që, megjithëse është një libër i krijuar mbi personazhe dhe fantazi të imagjinuara, bazohet tek një histori e vërtetë shqiptare, e cila tronditi mbarë vendin tonë.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite, dëshiroj të shpreh keqardhjen time të thellë që ndieva dhe ndiej akoma për ata njerëz, të cilët humbën jetën në kanalin e Otrantos në Itali”.
Disa faqe u janë përkushtuar represionit, censurës nga dikatura e egër si dhe ardhjes së demokracisë gjatë viteve ’91 – 97, è cila e çoi në shkatërrim total Shqipërinë.
Gjatë periudhës 50 – vjeçare të diktaturës, pakënaqësia prej varfërisë, duhej të prezantohej në fytyrat e qeshura të njerëzve, të një vendi në të cilin fjala “mjerim” nuk kishte vend. Gëzimi shfaqej në mënyrë hipokrite dhe egoiste, me një maskë të vënë aq bukur, saqë edhe nëse dikush mund të kishte mundësinë dhe dëshirën për ta çjerrë dhe flakur tej, nuk do të mundej dot. Diktatura kishte thurur një rrjet të tillë, jo thjesht me fije që mund të priteshin kollaj, aspak! Ajo e kishte thurur këtë rrjet me zinxhirë të egër nga ku nuk mund të dilte i gjallë askush, në qoftë se tentonte të lirohej. Mjerë ata të cilët provonin ta bënin këtë! Por ja që dikush pati guximin dhe nuk iu bind më atij ligji.
Duke shkatërruar hallkat e zinxhirtë të didakturës, të gjithë e ndjenë veten të lirë, madje mësuan dhe filluan të shpresonin tek fjala “demokraci”. Duke shkatërruar hallkat e zinxhirtë të didakturës, të gjithë e ndjenë veten të lirë, madje mësuan dhe filluan të shpresonin tek fjala “demokraci”, gjithmonë duke shpresuar tek diçka e re, fare e panjohur për ta, tek një ndryshim më të mirë për të ardhmen.
Në vend të diktaturës, tashmë liria po shfaqej me një pamje tjetër. Po ndodhnin gjëra të padëgjuara ndonjëherë. Për të mposhtur mjerimin, njerëzit filluan të vrisnin këdo që dëshironte t’u merrte atë çka u përkiste, e cila nuk ishte më e shtetit, por vetëm e tyrja. Për ta siguruar që ajo të mbetej e tillë, e lanin me gjakun e të afërme të tyre. Thua të ishte kjo demokracia, të cilën ato e kishin mbajtur shtypur brenda katër mureve të shtëpisë, gjatë kohës së diktaturës për më se katër dekada?
Njerëzit habiteshin akoma dhe më shumë, kur në parlament shiheshin deputetë të cilët nuk shiheshin me sy të mirë nga vetë shoqëria ku ata bënin pjesë. Tashmë mëngjesi ndryshonte nga nata. Dita – ditës papunësia mbizotëronte kudo. Gjithçka ishte shkatërruar, për të mos lënë asnjë shenjë e cila mund t’i kujtonte vitet e didakturës së egër. Populli kishte pritur dhe menduar, se demokracia do të rindërtonte çdo gjë nga e para, për nuk u desh shumë që ta kuptonin se mjerimi ia kishte lënë vendin mjerimit.
Njerëzit ishin kudo të papunë. Endeshin kafeneve, duke shijuar pamjen e makinave luksoze të cilat linin pas pluhurin e varfërisë. Premtime, premtime dhe vetëm premtime. Dukej sikur vetë djalli kishte vënë dorë për ta përmbysur atë vënd. Ata armatoseshin deri në dhëmbë, për të marrë hak kundër atyre të cilët mund t’i kërcënonin qoftë edhe me një shikim. Madje bota filloi të çuditej, si ishte e mundur që shqiptarët ishin kaq të egër dhe trima? Kudo në rrugë, shiheshin edhe fëmijë të armatosur. Mos vallë po afrohej Lufta e Tretë Botërore? Ne ishim mësuar ta mbronim vetë, me forcat tona atdheun. Didaktura na kishte rritur me këtë ideal, kurse demokracia po e përforconte akoma dhe më shumë këtë.
Këtë e tregonte vetë fakti se, deri dje, njerëzit të cilët stërviteshin me detyrim nëpër zbore me fishekë fallco, sot kishim mundësinë t’i përdorin ato prej vërteti, qoftë për t’u zbavitur apo për të bërë shaka. Pikërisht këtu njerëzit u ndalën dhe pyetën: – Cili ishte armiku?
Kundër kujt po i konsumonin fishekët dhe armët për të cilat kishin punuar një jetë të tërë? Atëherë, disa nga ata u ndalën tek kjo pikë: Përse duhet të limitoheshim vetëm me kënaqësinë që ndjenin teksa vrisnin shokun apo dikë tjetër? Në fund të fundit, përveç atij momenti i cili zgjaste disa sekonda, po shkaktonin veç zi.
Shumë nëna dhe gra veshur me të zeza, madje disa nga ato fare të reja, visheshin me rroba korb. Për këtë ajo kënaqësi sekondash, duke parë kudo fatkeqësi, filloi t’u zhdukej. Ata duhet të nxirrnin të paktën çerekun e djersës së prindërve të tyre, të cilët kishin punuar duke mbetur gjithnjë në varfëri, për prodhimin e atyre armëve, ndaj kështu, filloi tregtia e tyre.
Mjaftonte të jepje në treg dy bomba dore apo një automatik dhe të jepej mundësia të çoje në shtëpi dy bukë dhe ndonjë gjë tjetër të nevojshme. Tregtarët filluan të ngrinin çmimet, kështu që njerëzit po e kuptonin se armët nuk vlenin më, ndaj duke iu bindur urdhrit të qeverisë, filluan t’i dorëzonin ato. Në fund të fundit, e kishin nxjerrë dufin, kështu që ato armë nuk u hynin më në punë.
Papritur, menjëherë në mbarë vendin, filluan llotaritë e telebingut. Atëherë vëmendja e njerëzve, u përqendrua tek biletat e panumërta “gërvisht dhe fito”. Kudo filluan të shiteshin me një shpejtësi çoroditëse, por edhe për këtë, nuk u desh shumë që njerëzit të bindeshin, se fati u qesh vetëm atyre të cilëve u kishte buzëqeshur gjithmonë.
Kot nuk thonë: paraja shkon tek paraja. Për këtë, ato u habitën kur morën vesh së paratë, mund të jepeshin edhe falas: mjaftonte që të shkruaje në një listë të gjatë me emra pambarim njerëzish, emrin tënd, të lije në dorën e atyre që organizonin këto lista një pakicë lekësh dhe brenda disa muajve, zemra do të mbushej plot gëzim, pasi shuma e tyre nuk ishte më e pakët por tri herë më e madhe se ajo që kishe lënë.
Atëherë njerëzit nuk i merrnin fare ato para, shkruanin përsëri emrin e tyre duke menduar se tre muajt do të kalonin shpejt dhe do të bëheshin të pasur. Kishte edhe disa nga ata, që filluan të shisnin shtëpinë, duke falenderuar Zotin se pas disa muajve, do të kishin mundësinë të ndërtonin një vilë ku nuk do u pikonte më çatia apo lagështira në dimër.
Të gjithë ndjeheshin të lumtur, por njëkohësisht edhe të çoroditur. Nuk ishte parë apo dëgjuar ndonjëherë, të jepje një sasi lekësh dhe të fitojë tre e megjithatë, ata vazhdonin mos t’i merrnin paratë, sërish shkruanin emrat, vetëm emrat. Ato para po shtoheshin, vetëm po shtoheshin; por edhe këtë herë njerëzit mbetën shumë keq. Jo më, nga pasuria për përsëri nga varfëria.
Organizuesit bamirës e dhënies së parave, (të firmave piramidale) u zhdukën pa lënë asnjë lloj gjurme. Atë moment njerëzit e kuptuan sa të pafat dhe të pallogjikshëm kishin qenë. Ata duhet të kënaqeshin me aq sa fati u kishte ofruar. Të dëshpëruar dhe të mllefosur, shkuan në shtëpitë e tyre të çorientuar, duke i rënë kokës me grushta, ata, që të paktën e kishin një strehë të fusnin kokën e tyre, por kishte disa të tjerë të shkretë, të cilët nuk dinin ku të shkonin dhe të përplaseshin.
Në vend të vilës së ngrohtë që e kishin ëndërruar për sa e sa muaj rresht, gjetën srehë tek bunkerët e ftohtë. Lavdëruan Zotin dhe atë që i kishte ndërtuar dhe nuk kishte qenë askush tjetër, veç didaktorit që i kishte bërë të vuanin aq shumë. Duke menduar këtë, atëherë njerëzit ulërinë dhe mallkuan diktaturën, por në të njëjtën kohë edhe atë që kishte sjellë demokracinë, sepse tashmë e kishin kuptuar se kjo nuk ishte demokracia e vërtetë.
Në të njëjtën kohë, ata mallkuan edhe tokën mëmë, atdheun e tyre, ku kishin parë veç varfëri përjetësore, ndaj për t’i shpëtuar asaj, menduan se rruga e vetme e shpëtimit, ishin të kalonin brigjet përtej kufirit të vendit të tyre dhe kështu bënë: u nisën drejt detit, duke menduar se këtë radhë fati nuk do t’i tradhëtonte, por nuk e mendonin se edhe aty do të ndodhte ajo që do t’i rrënonte dhe do t’u merrte gjënë më të çmuar: JETËN!
Angela Kosta ka lindur në Elbasan dhe jeton në Itali që nga viti 1995. Ajo është Drejtore e revistës fizike MIRIADE, përkthyese, eseiste, gazetare, kritike letrare, botuese dhe promovuese. Ka botuar 16 libra: romane, poezi, përralla, antologji në shqip, italisht, turqisht dhe anglisht. Veprat, artikujt, esetë dhe përkthimet e saj janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme letrare në disa vende kontinentale dhe ndërkontinentale.
Angela Kosta përkthen dhe shkruan artikuj dhe intervista për gazetën “Calabria Live”, revistën Saturno, Revistën Alessandria Today, (Itali), revistën ndërkombëtare “Orfeu”, revistën “Mirdita”, gazetën “Nacional”, Gazeta Destinacioni, Perqasje Italo – Shqiptare, revista “Atunis”. Bashkëpunon me revistat: “International Literature Language Journal, Creativity Magazine, Artistic Visions (Michigan), Wordsmith International Editorial (Florida), Raven Cage (Gjermani), Kavya Kishor International (Australi & Bangladesh), Friendship Of People (Taxhikistan), Sindh Courier (Pakistan), Güncel Sanat (Turqi), Literary Barcellona (Spanjë), Al – Masida (Egjipt), etj.
Ajo është bashkëautore në disa antologji në shumë vende të huaja.
Angela Kosta është Zv. Presidente e Shoqatës së Shkrimtarëve në Korenë e Jugut, Zv. Presidente e Organizatës Botërore Humanist World në SHBA, si dhe Ambasadore për Kulturë dhe Paqe në shumë Organizata pa përfitim në shumë vende të huaja botërore.
Ajo është gjithashtu Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve LSHASH dhe BSHBSH në Itali, Anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Artit (AAA) në Amerikë, Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (SAPS) në Poloni, (CIPS) në Hungari, Meksikë, Rumani, Greqi, Kroaci, Indi, Yemen, etjer…
Angela Kosta është përkthyer dhe botuar në 33 gjuhë dhe vende të huaja. Vetëm në vitin 2024, ajo është autore në 108 gazeta, revista kombëtare dhe ndërkombëtare me: poezi, artikuj, intervista, ese, recensione, etj.
Angela Kosta ka promovuar 580 autorë, 60 artistë, kombëtarë e ndërkombëtarë si dhe ka përkthyer 160 autorë në gjuhët italisht – shqip dhe anasjelltas dhe 3 libra autorësh nga Shqipëria e Kosova. Gjithashtu, Angela Kosta ka përkthyer shumë poetë klasikë në gjuhën shqipe.
Angela Kosta është botuar si personazhi i muajit, në kopertina të revistave ndërkombëtare.