“Ishte vetë ajo që e kërkoi divorcin, edhe pse për pak do të kishim festuar 15-vjetorin e martesës”. Këto janë fjalët e kantautorit Sajmir Çili, pak ditë pas publikimit të lajmit se ai kishte akuzuar për dhunë bashkëshorten Suela Kalaja duke kërkuar urdhër mbrojteje.
Ky lajm bëri bujë në media pasi dy protagonistët janë personazhe të njohur të skenës dhe njëherësh prindër të një vajze 9-vjeçare. Çili nuk ka pranuar të japë shumë detaje lidhur me këtë histori duke u mjaftuar vetëm me këtë fjali thënë për numrin e sotëm të gazetës “Panorama”. Në të njëjtin artikull shkruhet gjithashtu se gjykata ka marrë vendimin për divorcin e çiftit në muajin maj të këtij viti por ata vazhdojnë të enden nëpër gjyqe për shkak të dhunës që pretendojnë se kanë ushtruar ndaj njëri-tjetrit.
Gjyakata konfirmoi se fillimisht marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë të mira dhe korrekte, të ndërtuara mbi bazën e dashurisë dhe respektit reciprok. Me kalimin e kohës midis palëve kanë lindur mosmarrëveshje si pasojë e koncepteve të ndryshme që kanë për jetën dhe duke mos pasur mirëkuptim bashkëjetesa është bërë e pamundur. Pas divorcit Suela Kalaja dhe e bija Isea jetojnë me qira.