Pas tensioneve të fundit në Kosovë dhe provokimeve të vazhdueshme nga ana e Serbisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka vizituar dje Kosovën, ka thënë se NATO-ja është këtu për ta ndihmuar Kosovën.
Por, ekspertët e sigurisë në Kosovë kanë vlerësuar se vizita e sekretarit të NATO-s erdhi pikërisht pas tensioneve të fundit në Kosovë e në rajon. Ata madje thonë se situata në Kosovë është tejet e brishtë dhe si rrjedhojë nuk përjashtohet mundësia për esklaim të situatës.
Sipas tyre, edhe atëherë kur Serbia zotohet për paqe e stabilitet, eskalimi mund të ndodhë. Nga ana tjetër, njohësit e rrethanave politike janë shprehur optimistë se situata aktualisht është stabile. Por, ka prej atyre që fare nuk dyshojnë se mund të ndodhë ndonjë skenar i ngjashëm me atë të trazirave të marsit të vitit 2004.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja do të jetë e pranishme në Kosovë për ta ndihmuar atë.
“NATO-ja është këtu për ta kontribuuar paqen dhe stabilitetin. Kjo është arsyeja që kemi vendosur ta mbajmë këtë prani. Një forcë që është më profesionale dhe EULEX-i i cili është i pranishëm”, ka deklaruar Stoltenbergu.
Qehaja: Gjasat për keqësimin e tensioneve ekzistojnë
Nga ana tjetër eksperti i çështjeve ushtarake dhe i atyre të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se sekretari i NATO-s me vizitën e tij synon ta vlerësojë prej së afërmi situatën pas tensioneve të fundit që Serbia ka krijuar në Kosovë.
Qehaja më tej nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë eskalim të situatës.
“Nëse e vlerësojmë dhe analizojmë situatën e sigurisë me sensin e një njohësi të mirë të çështjeve të sigurisë dhe mundësive ushtarake dhe pretendimeve të vazhdueshme serbe ndaj Kosovës, gjasat për eskalim ekzistojnë”, ka deklaruar ai gjatë një bisede për “Zërin”.