Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thyen sërish heshtjen për dosjen “Habilaj”, për Audin e famshëm, për raportin tashmë të ndryshuar me Edi Ramën, Partinë Socialiste dhe karrierën politike.
Tahiri e nisi rrëfimin e tij për TCH me ndjesinë që pati kur në shtëpi hynë për kontroll prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Ai thotë se e parashikonte këtë.
“Ndjesi e sikletshme, por jo e paparashikuar për mua, pavarësisht se detyra më ka bërë që të shikoja anën e atyre që hynin në shtëpinë e njerëzve. Kuptova që është procedurë goxha e vështirë, veçanërisht për familjarët. Kam kuptuar të gjithë ata që janë ndjerë disi të dhunuar nga policia dhe u kam dhënë më shumë të drejtë atyre që në kohën kur më ankoheshin ndoshta i neglizhoja pak”, deklaron Tahiri.
Tahiri thotë se familja e ka pritur me shumë stres.
“Askush nga ata nuk e ka menduar që politika në Shqipëri mund të ketë këto kosto. Kjo e ka kthyer politikën deri diku në një instrument që u është neveritur njerëzve. Ka shkuar përtej limiteve, por mua nuk më është neveritur, sepse mendoj që periudha të tilla për mua, ndoshta shërbejnë që të tjerë pas meje mos e kalojnë padrejtësisht”, thotë Tahiri.