Tribunali për krime të luftës i Kombeve të Bashkuara, sot do të shpallë aktgjykimin për ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç.
I njohur si “Kasapi i Bosnjës”, Mlladiç është i akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, ndërsa pritet që vendimi të jetë dënim me burgim të përjetshëm.
Mlladiç akuzohet si përgjegjës për ekzekutimin e 8 mijë burrave myslimanë në korrik të vitit 1995, që njihet si mizoria më e madhe e kryer në Evropë pas Holokaustit.
Vendimi për Mlladiçin do të jetë gjykimi i fundit nga tribunali që ishte themeluar në Hagë në vitin 1993 për dënimin e krimeve të kryera në luftërat Ballkanike në vitet 90′.
Ndër të tjera, Mlladiç, akuzohet për vrasje, torturë, dhunime, shfarosje dhe bombardime.
Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij. /360grade.al