Home KRYESORE Nuk e pelqej Vitin e “Ri”

Nuk e pelqej Vitin e “Ri”

Nga Arsela Gjonaj

Më në fund viti “ i ri” hyri dhe të gjithë kane rënë në qetësinë e ditëve të para që e pasojnë fillimvitin, pas tymnajës së madhe të një gëzimi histerik masiv që shoqëron ditët e fund-dhjetorit!

Ndihem më e çliruar tanimë që e hodhëm pas krahëve barrën e ndërrimit të viteve . Nuk jam cinike dhe nuk dua te gjej me patjetër një motiv për te shkuar kundër rrymës. Ndoshta konvencionalja nuk me tërheq, por përtej kësaj, ka kohë që festimi i vitit “të ri” nuk me fal ndonjë emocion të veçantë, madje më bën të ndihem e lodhur prej tij …

Jo, nuk jam e lodhur nga dita e vitit “te ri”në vetvete, por nga koncepti i saj, nga pritshmëritë që krijohen, nga tradicionalizmi që e karakterizon.

Zhurmë, bori makinash të tërbuara, turma njerëzish të hallakatur që vërshojnë si minjtë para stuhisë së madhe, pastrimet me themel nga amvisat e stërlodhura, bilancet e punës qe shtohen e shumohen çuditërisht më shumë ditët e fundit te vitit, dyqanet që joshin me uljet e jashtë sezonit…
Të gjithë rendin e rendin e rendin në drejtim të…vitit “të ri”…

Viti “i ri”…përse festohet kaq furishëm ai?

Koha është e pashtershme, e pandalshme e pandashme. Koha rrjedh, ndërkohë që për njeriun, ekzistenca e të cilit nuk është permanente në këtë toke, duhet të jetë në thelb burimi i një trishtimi.
Segmentimi i kohës është një sajese e njeriut, i cili, ne pamundësinë për të ndryshuar fatin e vet, mund të krijojë iluzionin se e dominon kohen duke koleksionuar prej saj numra …

Ky është treguesi i vuajtjes së thellë të njeriut për fatin e tij të paravendosur nga një forcë më e madhe se ai vetë. Dhe kjo dhemb, oh, sigurisht që dhemb… Çdo vit i ri rrit dhimbjen e brendshme sa më shumë stivohen vitet e “rinj” .Ngushëllimi i vetëm i njerëzve në fatin e tyre të përbashkët është të grumbullojnë sa më shumë segmente nga infiniti i kohës.

E megjithatë, njerëzit i kanë dhuruar vetes kënaqësinë që të festojnë kohën. Pavarësisht finales së përbashkët, koha që na është dhënë në dispozicion është një mundësi e mirë për të gëzuar, sepse, ne, të paktën, në morinë e probabiliteteve, e kemi patur këtë shans të shenjtë. Kemi mundësinë të provojmë shijet e ndryshme të jetës, të qeshim, të qajmë, të luftojmë për të, të përpiqemi për të, të shkruajmë poezi, të dëgjojmë muzikë, të pikturojmë, të thithim nektarin e saj, dhe kjo, nuk është kurrsesi pak. Ndaj të festosh se jeton me duket sa e drejte aq edhe e duhur…

Është viti “i ri”e perceptimi i tij si diçka e vecantë që i kalon kufijtë e ditëve të tjera të zakonshme që nuk shkon, që lodh, që të bën ta përçmosh.

E përse na qenka ndryshe nga çdo ditë tjetër e rrjedhës së infinitit?

E perse u dashka të ndalem në një ditë të caktuar për të analizuar gjithë ecurinë time duke dhënë llogari para vetes sikur koha më ka kaluar pa asnjë qëllim të realizuar madje me shumë përgjegjësi mbi to?

Preferoj ta jetoj si çdo ditë tjetër, siç jam mësuar me rutinën e tyre pa shumë spjegime, pa shumë bilance e pa shumë përgjegjësi…

Më pëlqejnë ashtu siç janë ditët e vitit pa ndonjë diferencim specifik…i ri, i vjetër…

Fati nuk na prin domosdoshmërisht më mirë me vitin “e ri”. Yjet janë pozicionuar sipas dëshirës së tyre derisa të puqen sipas një rastësie të pakontrollueshme prej njeriut, e të dalin me finalen e tyre, sidoqoftë ajo. E, pikërisht, në atë moment, koha do të ndalet në mendjen e njeriut për ta arkivuar atë si një “kujtim”.

Nëse ka diçka tmerrësisht të bukur tek njeriu, është kujtimi që i rezervon kohës, ndërsa koha i fal rrjedhën e saj.

Share: