Nga Teuta Nunaj*
Ekonomia e luginës së Preshevës, mbështetet te biznesi i vogël, ai familjar. Infrastruktura është shumë e dobët, ndërkohë që partitë politike shqiptare janë krejt jashtë rolit të tyre, shkruan Nunaj. Është koha që kjo gjendje të ndryshojë, përmes projekteve sipërmarrëse.
Tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që përfshihen në territorin që njihen si Kosova Lindore apo Lugina e Preshevës, janë sot, territoret shqiptare me përkrahjen më të pakët politike, ekonomike dhe sociale në rajon. Ndërkohë që, politika vendore, kryesisht e 15 viteve të fundit në Luginë është ngritur mbi bazën e interesave të ngushta personale të drejtuesve të tyre, se për interesa publike, as që flitet. Kjo vërtetohet lehtësisht me mungesën e vazhdueshme të politikave zhvillimore për këtë rajon shqiptar.
Në bazë të censusit të vitit 2002 në Serbi, në tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, jetojnë 61.647 shqiptarë ose 0.82% e popullsisë totale. Duke qenë se censusi i vitit 2011 është bojkotuar nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, nuk kemi një rezultat të ri dhe të saktë të popullsisë shqiptare në këto troje, ndërsa faktet flasim për një rënie të numrit të popullatës shqiptare në këto 14 vite, kryesisht në Medvegjë, që është edhe komuna më e rrezikuar. Në mënyrë metaforike, mund të themi se sot Medvegja është muri rrethues mbrojtës i këtyre tri komunave. Nëse ky mur rrëzohet, rreziku ndaj dy komunave të tjera (Bujanoc dhe Preshevë) është i pashmangshën dhe e ardhmja e mesme mund të sjellë atë çka nuk do të donim dhe nuk do të mundnim më ta ndryshonim…
Në të tri komunat, ushtrojnë veprimtarinë e tyre politike 10 parti ose 1 parti për 6.000 banorë. Një mesatare kjo që e “lakmojnë” edhe vendet më të zhvilluara. Prej tyre, vetëm një parti ka përfaqësi në Parlamentin e Serbisë me 2 deputetë, ndërsa 8 parti, kanë përfaqësuesit e tyre në këshillat komunal në të tria komunat. Ky inflacion partish dhe aktiviteti i tyre, dëshmon se ato nuk po punojnë në funksion të demokracisë në Luginë, mirëqenies së popullatës atje, apo në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, që ju kanë dhënë votën duke marrë në këtë mënyrë të drejtën ligjore të përfaqësimit të tyre. Kjo gjendje shërben si një fakt i arsyeshëm dhe i logjikshëm, për nevojën e madhe që ka kjo zonë për mbështetje dhe përkrahje reale politike nga Tirana dhe Prishtina, ndihmesë, e cila nuk duhet dhënë vetëm se është një detyrim kushtetues për politikanët në Shqipëri dhe Kosovë. Shërbimet komunale si dhe infrastruktura e qyteteve, lënë shumë për të dëshiruar në Luginë. Ndërkohë që në Preshevë, qyteti më i madh i shqiptarëve, të bie në sy errësira e gjatë përgjatë rrugës kryesore, se ndriçimi mungon; ajo nuk ka një park dhe kjo për një arsye sa të thjeshtë po aq dhe banale, sepse zona me pamjen më të bukur në Preshevë, po kryen funksionin e një fushe mbeturinash qytetase dhe zonës përreth saj. Kur vjen nga Prishtina dhe hyn në Preshevë, mbeturinat e shumta që kanë marrë gjerësi dhe terren, janë e para gjë që sheh. Ato janë si një përshëndetje e keqe dhe paralajmërim i shëmtuar për gjendjen që të pret. Ekonomia në Luginë është e ngritur mbi bazën e biznesit të vogël apo atij familjar. Investimet mungojnë, kjo edhe sepse i kanë larguar apo se pushteti lokal e ai qendror nuk kanë zbatuar politika për përthithjen e tyre. Edhe ata pak investitorë që kanë patur dëshirën e mirë për të investuar, nuk iu është dhënë mundësia dhe hapësira, ku edhe korrupsioni ka një ndikimin themelor në tkurrjen e investimeve.
Pak ditë më parë, nën kujdesin e veçantë të kompanisë “Medita Development”, me qendër në Venezia, Itali, dhe të biznesmenëve të komunës, që zhvillojnë aktivitetet e tyre ekonomike në Itali, Zvicër dhe Austri etj., u organizua Forumi i parë Rajonal për Zhvillimin Ekonomik të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në qendër të tij, ishte prezantimi i pesë projekteve konkrete për investime në rajon, të cilat janë: (i) ndërtimi i një impianti për përpunimin e mbetjeve; (ii) për prodhimin e peletit; (iii) për zhvillimin e bujqësisë, përmes rivitalizimit të terrenit që do të sjellë kultivimin e produkteve sezonale, të vreshtarisë dhe më tej zhvillimin e blegtorisë; (iv) për prodhimin e energjisë përmes gjeo-termisë; (v) dhe prodhimin e ujit të pijshëm duke qenë një zonë shumë e pasur, kryesisht Baja Siarina, Medvegjë. Këto projekte u prezantuan profesionalisht nga investitorët italianë, të cilët theksuan në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Ne jemi gati të investojmë. Na jepni hapësirën e nevojshme dhe mbështetjen ligjore”, gjë të cilën duhet ta bëjë administrata lokale. Sesa do të realizohen këto projekte, kjo varet edhe nga votat e qytetarëve të Luginës në zgjedhjet e afërta vendore dhe mbështetja që do të japin drejtuesit e rinj.
E veçanta e këtij forumi, ishte se u mbajt përtej politikës. Çfarë do të thotë kjo? Që nuk ishin drejtuesit e qeverisjes vendore që e organizonin, siç logjikisht duhet të ndodhte, por biznsmenë shqiptarë nga këto troje dhe që i ushtrojnë aktivitetet e tyre ekonomike në vendet e Evropës Perëndimore. Investitorët nuk ishin vetëm të qartë në ide, por shumë konkretë me projektet e tyre. Kur bisedoje ne organizatorët, ata u shpehën të sigurt se tashmë janë të gatshëm të investojnë në Luginë, duke patur burimet e nevojshme financiare, por kërkojnë vetëm mundësinë ligjore të veprojnë. Edhe reagimi i qytetarëve ndaj projekteve, ishte shumë pozitiv. Të dukej sikur të thonin me një gjuhë të thjeshtë trupi dhe fjale: “Sa mirë që ja arritëm kësaj dite”. Gëzimi i tyre ishte besimdhënës, se ata nuk ndiheshin më të harruar dhe të braktisur. Shpresa ishte rikthyer pas një mungese të gjatë.
Ndërkohë në prag, kemi një tjetër forum që do të zhvillohet në javën e parë të muajit prill. Kësaj here do të zhvillohet në Medvegjë. Synimi i të cilit do të jetë hedhja e themeleve për aplikimin e një strategjie unike të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të komunave Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Sipas ideatorit të krijimit të kësaj strategjie, përmes “Medita Development”, ‘fitues nuk janë ata që nuk kanë humbur kurrë, por ata të cilët nuk janë dorëzuar asnjëherë. Prandaj nëse duam të mbijetojmë këtu, nuk guxojmë asnjëherë të dorëzohemi’. E gjitha kjo të çon në një përfundim, tashmë mund të themi se Lugina nuk është më rajoni shqiptar i harruar.
*pedagoge UET