Home KRYESORE Mbërrijnë letër-porositë nga Kosova dhe Italia për trafikun e drogës

Mbërrijnë letër-porositë nga Kosova dhe Italia për trafikun e drogës

Grupet e trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në Kosovë, Itali, Holandë dhe Britaninë e Madhe. Kjo është konfirmuar nga dy letër-porosi të ardhura nga Italia dhe Kosova në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Grupi i Adylajve, grupi i drejtuar nga Hajri Seferi, grupi i cili kishte ngritur laborator heroine në Has si edhe zgjatime të rrjetit të trafikantëve në Fier dhe Delvinë ushtronin aktivitetin e trafikut të drogës në disa vende të Europës.

Mësohet se këto të dhëna janë pjesë e një hetimi sekret në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të drejtuar nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Nga hetimet tregohet se shtetasi Esat Mehmeti drejtonte trafikun e kanabisit përmes Semanit drejt Italisë. Roli i tij është konfirmuar nga letër-porosia nga autoritetet italiane.

Nga ana tjetër është konfirmuar se shtetasi Abedin Kuci mbulonte shpërndarjen e drogërave të forta si kokaina dhe heroina në jug të vendit, kryesisht Fier dhe Sarandë. Kuci njihet ndryshe si djali i tezes së Klement Balilit.

Letër-porosia nga Kosova konfirmon se sasia prej 159 kg heroinë e bllokuar në fund të vitit 2018 në Kosovë, ka lidhje me laboratorin e Hasit. Kjo sasi vinte përmes linjës së Iranit, përmes trafikantëve të tjerë kosovarë, turq po edhe shqiptarë, të cilët kishin arritur të instalonin një laborator heroine.

Për këtë çështje deri tani janë arrestuar 74 persona prej të cilëve 44 për narkotrafik dhe pjesë të grupeve të strukturuara kriminale. /Opinion.al

Share: