Home KRYESORE QERSHOR ISHTE AJO DITË. (Tregimi i së dielës)

QERSHOR ISHTE AJO DITË. (Tregimi i së dielës)

Nga Agim Xhafka

Kur punoja te gazeta “Koha Jonë” kisha një motor as të madh,as të vogël. Ishte 100 kubikë dhe për ca sekonda kapte 100 km/orë. Ndjehesha mirë majë tij se në ato mote Tirana nuk ishte shumë e populluar me makina.

Një drekë më kapi aq keq malli për prindērit sa mora gruan në telefon nga redaksia dhe i thashë po nisem për Korçë.

I dhashë gaz e sa hap e mbyll sytë ngjita Kërrabën,u lēshova poshtë në Elbasan e pranë Librazhdit më dridhej timoni. Ndalova në çast e pashë se po dridhesha dhe vetë. Ishte qershor,por shpejtësia ma ftohte ajrin që më rrihte para. Kujtova çiklistët që vendosnin gazeta në trup. Ashtu bëra e deri në Pogradec ia dola. Më tej ecja dhjetë minuta e ndaloja po aq. Kështu arrita e trokita te dera e prindërve. E hapi nëna dhe gazin e shoqëroi me thirrje sikur ra zjarr atë çast. Pas saj babai qeshte dhe te sytë i pashë lumturi.

Hyra në dush se po mbërdhija sikur ishte janar.Banja ishte ngjitur me kuzhinën,me një dritare lart nga merrte ndriçim. Kur po fshihesha dëgjoj nënën:

-Sa emocion ka Gimi kur na takon.
-Nga e nxorre këtë?!-çuditej babai.
-Ua,nuk e pe si dridhej. Me trup e me kokë. Është shumë i ndjeshëm.
-Të ka ngjarë ty,-tallej im atë.
Dola nga dushi drejt e në tavolinë. Me meze e birra. Por ende nuk isha qetësuar,më dridhej trupi hera-herës.
-Epo mbaje veten de,-tha babai e u përlot nga emocioni.

Atëhere nuk u tregova shkakun. Nuk u thashë që më vinte nga e ftohta,nga udhëtimi me motor. Ata e ngulitën se malli për ta më krijoi atë emocion të fortë.

Tani që te ajo derë nuk më pret as nëna,as babai e kam bërë prapē atë rrugë me motor. Dhe me Harly të madh e me shpejtësi të frikshme. Por nuk jam dridhur aq si atë qershor,nuk kam futur gazeta në gjoks. Udhëtimi ka shkuar monoton dhe me çudi. Kishe të drejtë mama. Ato dridhje qenë puro emocion. Malli është vullkan,dallgë,stuhi.

Malli është tërmet me shumë shkallë Rihter. Ato dridhje i dua,i dua shumë,por ikën,u larguan si dallga që kthehet pas kur ndeshet me shkëmbin. Ato dridhje tash i shoh në ëndērr dhe i shijoj. I shijoj shumë,ah sa shumë …

Te garazhi ngjitur me makinën rri motori i vjetër. E shoh me nostalgji. Ndonjëherë e ndez për shëtitje si ata që nxjerrin qenin andej nga liqeni. Më pas kur e mbështes te fundi i garazhit timoni merr drejtimin nga Korça. E ka magnetizuar dashuria për prindërit,i them vetes. Më dëgjon veç syri,që e rrëshket një lot e zemra që rrit pulsin në duet me mallin. Ah,çfarë malli! Mall 24 karat…

Share: