Home I pakategorizuar Artan Lame, in memoriam dei casi perduti

Artan Lame, in memoriam dei casi perduti

Historia e Shqipërisë moderne, është një varg i gjatë shansesh të humbura. E pra sot është 100 vjetori i të parit prej tyre. Plot 100 vjet më parë, më 7 mars 1914, zbriti në Durrës princi Vilhelm von Wied, sovrani i parë i Shqipërisë së Pavarur, për të filluar një prej faqeve më absurde të historisë shqiptare. Eshtë folur shumë, por njëkohësisht edhe pak, për këtë figurë kaq enigmatike të historisë sonë, të cilën edhe rregjimi komunist me një shenjë indulgjence të pazakonshme për të, çuditërisht ja kurseu sharjet. Ata gjashtë muaj të aventurës shqiptare të Vidit, përfaqësojnë herën e parë në historinë moderne të Shqipërisë, kur porta u hap nga ana e Përëndimit.

Pas qindra vjetësh që qëndronim në furrikun osman, të ngrohtë, të palëvizshëm, të pandryshueshëm, ku nuk ndodhte kurrë asgjë, papritur porta u hap me vringëllimë nga krahu tjetër, ai i Evropës.

Ca se u trembëm, ca se era e fortë që fryu brenda na futi dridhmat, ca se nuk ishim përgatitur për botën e zhrmshme dhe gjithë lëvisje që ma paraqitej nëpërmjet asaj bore të re, të gjitha këto bënë që pas gjashtë muajve ta mbyllnim sërisht portën nga ai krah dhe të kërkonim ti riktheheshim botës së vjetër lindore, pa dashur të kuptojmë se ajo epokë ishte mbyllur përgjithmonë.

U desh të kalonin edhe disa nga vjetët më të vështirë të shekullit XX, që Shqipëria vetëm në vitin 1920 të riformatohej si shtet dhe si vend që domosdoshmërisht do të orientohej nga Perëndimi.

Nga ana e vet, edhe aventura personale e Vidit, është një rast gati unikal, e mbushur me ngjarje dhe ndodhi të një densiteti të paparë, që fillojnë që nga dita kur vuri këmbën në dërrasat e kalbura të limanit të Durrësit, e deri më 3 shtator të po atij viti, kur nëpërmjet po atyre dërrasave të kalbura, mori anijen që do ta kthente në Gjermani.

Mbretërimin e tij të pafat, po e përmbledh vetëm me një frazë të Fan Nolit, që gjithsesi nuk qe pro-monarkist: ”Princ Vidi mund të akuzonet vetëm për një gjë: që nuk qe në gjendje të bënte mbrekullira”.

Share: