Situata e krimeve, dhunës dhe arbitraritetit social, po behet dukshëm një nga patologjitë sociale mbytëse të qytetërimin tonë. Herë pas here ka njerëz që më shkruajnë me argumentin e gabuar sipas të cilit “është qytetërimi liberal që po e prish njeriun”. Kjo sipas meje nuk është fare e vërtetë. Nuk janë “kufijtë e lirisë” individuale ato që prishin qytetërimin, as karakteri individualist i jetës, e cila është shënja e sigurt që edhe ne shqiptarët jetojmë në epokë moderne.
Problemi është se ne paradoksalisht konvencionalitetin e dikurshëm të jetës së ngurtë sociale po e zëvendësojmë, për fat të keq, me arbitraritetin e shëmtuar të sjelljes individuale.
Arsyeja pse shumë njerëz nuk janë qytetarë, lidhet me faktin se ata humbasin kontrollin e vetes dhe administrimin qytetar të jetës personale. Në këto kushte ne kemi nevojë urgjente që në familje, shkollë, komunitet e kudo, të forcojmë tek njerëzit kulturën e vetpërmbajtjes qytetare. Por nga ana tjetër, më duket se duhet pranuar e vërteta se nuk mund të ndërtohet shoqëria e lire, në se nuk zbatojmë “ligjet shtrënguese” publike mbi ata që trazojnë rregullat e përbashkëta të qytetërimit tonë…