Nga Viki Cipi
“E gjithë bota është e korruptuar, unë s’do jem. Asnjë student s’po mëson, unë do mësoj.” – H.Feraj
Megjithëse studimet universitare janë një e drejtë kushtetuese, sot universitarët, pedagogët dhe studentët, po përjashtohen nga universiteti gjithnjë e më shumë, duke u nxjerrë në tregun e interesave për shkak të aktorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Universitarët përballen me një universitet që prodhon veçse papunësi, drejtues burokratë që privatizojnë publiken si dhe persekutojnë (heqin nga puna) çdo zë kritik akademik.
Studenti, nga ana tjetër, në një kohë kur e tashmja e vendos në kushte pasigurie, trajtohet si klient në konvikte, në universitet dhe në qytet. Atij i duhet të paguaj për gjithçka, për koston e lartë të jetesës, për mungesën e mensave publike, për rritjen e papërballueshme të tarifave, për të mos folur për marrëdhënien pedagog-student apo raportin e studentit me dijen. Dyert e universitetit aktual trokasin vetëm për arsye personale dhe jo ato publike. Për këtë arsye universitarët kërkojnë arsim publik falas, që universiteti t’iu përkasë atyre që vijnë në universitet, për veten, për dijen dhe publiken si krijim i përbashkët.
Për këto arsye, lind si detyrë për pedagogët dhe studentët që të angazhohen në ndërtimin e një universiteti të çliruar nga kolonizimi i interesave private, që ta jetojnë universitetin dhe ta mbrojnë atë nga sulmet e jashtme dhe kalbja e brendshme. Nga kjo domosdoshmëri ka lindur edhe Lëvizja Për Universitetin”, e themeluar dhe e përbërë nga universitarë, pedagogë dhe studentë. Prej më se një viti Lëvizja Për Universitetin nëpërmjet veprimtarive të saj informuese, ndërgjegjësuese, emancipuese dhe kontestuese, si tryeza diskutimi në universitete, zaptime e protesta, ka arritur të depërtojë te mijëra universitarë. Me ta kemi kuvenduar mbi plagët e sistemit arsimor e shoqëror shqiptar dhe më specifikisht pasojat shkatërrimtare të reformës së sapomiratuar në arsimin e lartë, mungesën e cilësisë së kushteve të studimit dhe jetesës, rritjen e tarifave, problemet me burokracinë universitare dhe korrupsionin të bërë tashmë sistem.
Universitarët, studentët dhe pedagogët që e kanë jetësuar lëvizjen kanë qenë të shumtë. Historiku i Lëvizjes deri tani ndahet në katër periudha: Organizohu Për Universitetin, Zapto Universitetin, Protesto Për Universitetin, si dhe periudha Për Universitetin! Për Shoqërinë!.
Periudha e parë, “Organizohu për Universitetin!” fillon nga 27 shkurti i vitit 2014 deri në fund të vitit akademik 2013-2014, ku studentë dhe pedagogë kanë zhvilluar takime informuese mbi reformën dhe tryeza diskutuese si në universitet ashtu edhe në ambiente të ndryshme studentore. Ishte pikërisht Fakulteti i Shkencave Sociale shkëndija fillestare ku një grup studentësh dhe pedagogësh, disa prej tyre ish-aktivistë të lëvizjes Universiteti Në Rrezik, u organizuan në formë asambleje përpara oborri i këtij fakulteti dhe diskutuan për problemet administrative të fakultetit dhe më gjerë. Fakulteti i Shkencave Sociale, ku janë zhvilluar tre tryezat e para të konceptualizimit të kësaj lëvizjeje, pavarësisht shtrirjes së lëvizjes në disa fakultete të universiteteve publike, është ende sot vatra kryesore e rezistencës. Tryeza e parë diskutuese ka trajtuar “idenë e universitetit”, duke e ballafaquar universitetin faktik me idenë e plotësisë së tij kritiko-emancipuese. Në të dytën, u trajtuan raportet e universitetit siç është dhe siç duhet të ishte me marrëdhëniet shoqërore aktuale dhe potenciale, ku u theksua se autonomia e universitetit nga shoqëria është relative, pra ai ka një distancë prej saj që ta mendojë dhe ndikojë më mirë atë. Në të njëjtën tryezë u fol edhe për raportin midis trajtës aktuale që kanë universitetet shqiptare dhe mundësive social-ekonomike të studentëve për të mos u përjashtuar prej tij. Ndërsa prej tryezës së tretë e në vijim vëmendja u përqendrua tek informimi, trajtimi kritik dhe ndërgjegjësimi i studentëve rreth projektreformës së atëhershme qeveritare në arsimin e lartë, kontestimi i të cilës ka qenë shtylla kurrizore programore e Lëvizjes Për Universitetin.
Kjo reformë nuk ka qenë e rastësishme, por shprehje logjike e reformave tregtare dhe klienteliste të qeverive të njëpasnjëshme. Në thelb të saj qëndron mekanizmi i shpërndarjes së fondeve shtetërore drejt universitete private, tërheqja e shtetit nga mbështetja për institucionet publike, rritja e kontrollit shtetëror mbi universitetet private, përjashtimi studentor nga vendimmarrja universitare dhe, kryesorja, rritja e mëtejshme e tarifave të studimit. Ndaj aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin për dy vite akademike rresht kanë lënë shenjë në çdo universitet publik të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, duke informuar studentët për pasojat shkatërrimtare të kësaj reforme dhe duke i ndërgjegjësuar që të reagonin dhe të mbronin të drejtën e tyre, të drejtën për t’u arsimuar si e drejtë universale. Pas gjashtëmbëdhjetë tryezave të zhvilluara brenda tre muajve, Lëvizja doli nga muret e fakulteteve dhe u shfaq publikisht dhe pasivisht në shoqëri me protestën e 2 qershorit 2014, efekti i të cilës u pa edhe në ndërgjegjësimin mediatik ndaj një reforme të kaluar në heshtje deri atëherë.
Në periudhën e dytë, “Zapto Universitetin!”, nuk janë zaptuar vetëm hyrjet e fakulteteve, por është zaptuar edhe vëmendja publike, ku është trazuar qetësia qeveritare dhe shpura burokratike. Ajo datoi nga 20 tetori, dita e parë e vitit akademik 2014-2015, deri në dhjetor të atij viti, gjatë të cilit me organizimin dhe/ose nxitjen e ndihmën e Lëvizjes Për Universitetin janë zaptuar tri fakultete: Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Fakulteti i Shkencave Sociale. Zaptimi në shoqërinë tonë është një formë rezistence e pathyeshme, aq më tepër kur institucionet përfaqësuese të vullnetit universitar ose janë jofunksionale si në rastin e këshillave studentorë dhe senateve akademikë, ose nuk na përfaqësojnë në rastin e dekanëve dhe rektorëve. Gjatë atyre zaptimeve është mundësuar anulimi i vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 15 tetor për vendosjen e mesatares si kusht për regjistrimin në studimet master, vendim i cili kishte dalë vetëm disa ditë para se të fillonin regjistrimet duke ndryshuar kësisoj rregullat në mes të “lojës” në kurriz të studentëve.
Gjithashtu gjatë kësaj periudhe i është dërguar Këshillit të Ministrave një peticion me 7000 firma studentësh dhe pedagogësh me një sërë kërkesash, kryesorja ndër të cilat ishte ndalimi i projektreformës privatizuese në arsimin e lartë. Sigurisht nuk kemi marrë asnjë përgjigje. E vetmja përgjigje e tërthortë ka qenë një letër e hapur e Ministres së Arsimit drejtuar studentëve e mbushur me gënjeshtra dhe keqinterpretime, në të cilën studentët trajtoheshin si numër matrikullimi që nuk kishin ditur të lexonin një tekst të rëndomtë si ai i projektreformës së saposhndërruar në projektligj.
Periudha e tretë, “Protesto Për Universitetin!”, ka qenë ajo në të cilën “utopia” u kthye në realitet: Organizimi dhe mobilizimi i studentëve dhe pedagogëve lulëzoi pranverën e 2015-s me protesta të përdyjavshme para selive të Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në të cilat në total kanë marrë pjesë mijëra studentë, pedagogë dhe qytetarë të shqetësuar për fatin e arsimit të lartë.
Sidoqoftë, pavarësisht pesë protestave masive, sa e sa akteve simbolike dhe ndërhyrjeve mediatike, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e kaloi dy herë, edhe pas kthimit nga Presidenti i Republikës, ligjin e arsimit të lartë duke e shndërruar veten në nofkën që lëvizja i vuri paskëtaj: Kuvendi i Republikës së Privatëve. Koha e zgjedhur për të dyja votimet, korriku dhe fillimshtatori i këtij viti gjatë të cilave masat studentore nuk janë në fakultete, tregon frikën e qeverisë nga reagimi studentor i organizuar prej Lëvizjes Për Universitetin.
Edhe pse kjo reformë u miratua në parlament, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin zotohen se nuk kanë për të lejuar që kjo reformë të kalojë në universitete. Universiteti iu përket universitarëve, ndaj reformimi duhet të nisë prej tyre dhe jo prej interesave të pronarëve të privatëve shushunja.
Periudha e tretë ka shënuar gjithashtu edhe botimin e gazetës “Universitari”, e para gazetë e konceptuar dhe e prodhuar nga universitarë, studentë dhe pedagogë, në raporte të barabarta bashkëpunimi. Ajo ka shërbyer dhe do të shërbejë si agorë në të cilën ftohet çdo student, pedagog e qytetar që të shpalosë shqetësimet, kritikat, idetë dhe vizionet e veta për mëkëmbjen e karakterit publik të universiteteve. “Universitari” mëton të shërbejë edhe si farkëtues i “utopisë” së një universiteti të ri, të çliruar nga vargonjtë e interesave private tregtare dhe burokracisë shtetërore.
Periudha e katërt, “Për Universitetin, Për Shoqërinë”, e cila po nis sot në çdo fakultet, është ajo e organizimit të strukturuar fakultet më fakultet për të thelluar ndërgjegjësimin studentor për rreziqet e implementimit të ligjit për arsimin e lartë dhe për të gjitha problemet që i përjashtojnë universitarët nga ndërtimi i universitetit që duan, duhet dhe meritojnë. Intensiteti dhe masiviteti i përpjekjeve tona kolektive do të afrojë synimin emancipues dhe moton e lëvizjes sonë: Arsim publik falas! Diçka e cila nuk reduktohet vetëm në heqjen e tarifave studimore, por edhe në përmirësimin e prekshëm të kushteve të studimit (biblioteka, hapësira vetorganizimi kulturor) dhe jetesës (konvikte njerëzore dhe mensa të përballueshme) së mijëra studentëve që jetojnë e punojnë me sakrifica të panumërta.
Ne mbajmë shënim! Rezistenca vazhdon! Për Universitetin, Për Shoqërinë!
***
Opinion nga Viki Çipi, aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin, botuar në numrin e nëntë të gazetës “Universitari”