Nga Skender Braka
Udhëve të botës ngado ku u enda,
shkumën e duarve të tua të kaltra
dhe imazhin e valëve të muzgjeve të vona,
me lot mërgimtari, prej mallit tënd, i njoma.
Vij sot të puth sytë prej lotësh të për-kripur,
si një trëndafil i lagur, të prek buzëve të tua
që zjarrmojnë në përvëlim.
Të puth ujërave flakëruese, koralet e zvetënuara
e mbi qerpikët e tu prej shkume të ulem,
të thith dritën e një ylli të heshtur, pa shkëlqim.
E ndjeva zërin tënd, o det i brigjeve të mia!
Këtë psherëtimë të zemëruar, të trishtuar e ndieva,
siç ndien nëna rënkimin e birit të saj në djep.
Petalet e bregut dhe stërkalat me të cilat kam kënduar
“ Përjetësisht të dua, o i magjishmi, o i mi det!”
Me veshje të vjetra emigranti të rropatur,
t’u ktheva i lodhur prej mallit që më ka marrë.
Një mal me të fshehta të përvuajtura ngarkuar,
të solla dhuratë kësaj nate transparente, të bardhë.
Të jam kthyer djalosh i heshtur, i menduar,
për të gjetur përsëri gjithçka që kam të shtrenjtë.
Përkëdheli-të e tua që shumë më kanë munguar,
dhe thellësitë e kristalta ku ngula thellë rrënjët.