Nga Artur Nura
Ata janë nga botuesit më të njohur në vend! Punojnë burrë e grua së bashku dhe shtëpinë botuse, nuk e di pse, por e kanë quajtur: “Hija”.
Kisha fituar një çmim modest për Poezi dhënë nga një revistë kulturore dhe ata kishin marrë përsipër ti botonin fitusit të konkursit një libër me Poezi, pa shpenzime nga ana e autorit.
Takimi me ta filloi me rreth një ditë e një orë vonesë! Arsyetimi kishte lidhje me punët tejet të ngarkuara dhe se, sipas tyre të merresh me biznesin e botimit sot, është vetëm cmenduri! Ata shtuan se e bënin këtë punë, thjesht si kontribut intelektual ndaj shoqërisë, aspak për të fituar!
Më bëri përshtypje një interpretim i tillë sepse pavarësisht kësaj edhe Shtëpitë e Botimit janë shtuar shumë dhe kjo, padyshim duhet të jetë tregues i një tregu që garanton të ardhura!
– Situata duhet të jetë e vështirë! Personalisht blej botimet e reja, por për fat të keq, nuk mund ti lexoj…të gjitha! Thjeshtë për dy arsye: e para sepse nuk kam kohën e duhur dhe e dyta, sepse jo të gjithë librat më tërheqin deri aty sa ti lexoj deri në fund ”“
Në fytyrën e burrit pati një nënqeshje kënaqësie!
– Të paktën ti i blen, por jo të gjithë bëjnë të njëjtën gjë! – tha ai dhe nuk u mor fare me faktin që shumë prej botimeve nuk janë të lexueshme deri në fund! Por, mesa dukej i interesonte fakti që isha blerës. Padyshim që bëja pjesë në një shumicë relative të shoqërisë!
– Plus fakti që shpenzimet përgjithësisht i investojnë vetë autorët për këtë gjë ndiheshe plotësisht i sigurtë! – mendova, por atyre për etikë qytetare nuk ja u përmënda dhe sigurisht duke konsideruar faktin që botimi im do sponsorizohej prej tyre! Kjo sipas marrëveshjesh që kishin bërë me Revistën.
Pastaj folëm për letërsinë, poezinë në vecanti dhe sigurisht specificitetin e shoqërisë në lidhje me librin i cili, sipas meje dhe atyre po ashtu, formon individin, ndërsa cdo mjet tjetër i publicistikës vetëm informon individin dhe shoqërinë!
Na rezultoi të dyja palëve që tashmë për fat të keq të vetë shoqërisë, prapë se prapë lexohet më pak se nevojitet! Ramë dakort që kjo mangësi reflekton në qytetarinë e munguar si e metë themelore për një shoqëri me të ardhme europiane!
Sigurisht që nënvijëzuam faktin që pjesa qytetare e shoqërisë duhet të jetë shumë aktive për t’iu kundërvënë politikës dhe politikanëve, të cilët në dialogun tonë që zgjati mbi një orë, u panë si modeli më i keq që i jepet individit dhe shoqërisë si themel socio-kulturor i moskorrektësisë!
”“Ç’të them! Të të tregoj se gruaja e një deputeti që banon në këtë pallat i lë plehrat e saj tek shkalla! Nuk njohin as qytetarinë as korrektësinë, e cila më bën mua që për etikë të mos u them dhe emrin! Ç’pret nga këta politikanë…! ”“ Tha e shoqja duke i dhënë vetes një pamje pompoziteti i cili fitoi qartazi edhe konfirmimin e të shoqit!
Ai, burri i saj dhe ortaku njëkohësisht, pasi më përgëzoi që kisha zgjedhur edhe Poezinë për komunikim me publikun, më premtoi se në javën e tretë të tetorit libri do ishte gati dhe do dilte në shitje!
Në nëntor në kryeqytet u realizua një Panair shumë i madh i botimeve shqiptare! Ata të dy i pashë në edicionet informative ndërsa me buzëqeshje të shtirur servilosëse i dhuronin libra kryeministrit të vëndit…!
Sigurisht që nuk ka asgjë për tu habitur, ndonëse takimi ynë ishte realizuar ne fillim shtatori, tashmë kemi hyrë në vitin pasardhës e libri im akoma nuk është në dorë të lexuesit, por ka mbetur në hije…!