Home KRYESORE Bazë ruse në Luginën e Preshevës?! Kush përfiton, përveç Rusisë?!

Bazë ruse në Luginën e Preshevës?! Kush përfiton, përveç Rusisë?!

Nga Enver Bytyçi

Mediat kanë njoftuar se kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka rënë dakord me presidentin e Rusisë Vladimir Putin për rritjen e pranisë ushtarake ruse në Serbi, për rrjedhojë edhe në Ballkan. Madje flitet për ngritjen e një baze ushtarake pranë Preshevës, ku do të instalohen raketa ruse të tipit të fundit, të cilat do të përdoren për mbrojtjen e sferës sllave të Rusisë në Europën Lindore dhe Juglindore. Janë dy miliardë e gjysëm euro, të cilat Vuçiç ka premtuar t’i përdorë për ngritjen e ushtrisë serbe në nivelin e fuqisë që ajo kishte në kohën e Milosheviçit.
Thuhet se Lugina e Preshëvës është gjetur si mjedisi më i përshtatshëm gjeopolitik për një investim të tillë ushtarak nga ana e Moskës dhe Beogradit. Nga Lugina e Preshevës ato mund të kontrollojnë të gjitha rrugëkalimet e Ballkanit dhe kontrolli i këtij territori nga ushtritë antieuropiane dhe antiperendimore ruse e serbe do ta mbajë kontinentin e vjetër nën terrorin e Kremlinit. Por mësë shumti nga kjo ujdi e udhëheqësve serbë dhe rusë do të tronditet paqja dhe stabiliteti në Ballkan. Prania ushtarake ruse në Serbi do ta trimërojë Beogradin për t’iu rikthyer politikave shoviniste e fashiste të Milosheviçit, Rankoviçit e Pashiçit përkundër popujve të tjerë joserbë, veëmas shqiptarët, por edhe boshnjakët, kroatët, hungarezët e Vojvodinës e muslimanët e Sanxhakut. Të kërcënuar do të jenë gjithashtu bullgarët dhe rumunët. Shkurt Rusia në Serbi është rreziku më i madh që i është kërcënuar ndonjëherë rajonit tonë.
Po si është e mundur që Aleksandër Vuçiç të pranojë që vendi i tij të bëhet fushë stërvitje dhe beteje e një ushtrie agresore në kohët e sotme moderne së paku në Gjeorgji e Ukrainë? Si është e mundur që kryeministri serb të pranojë që Moska nga vendi i tij të kërcënojë popujt e rajonit dhe gjithë Europën, ndërkohë që përbetohet për marrëdhënie të mira me vendet e Ballkanit Perendimor?! Mesa duket asnjë politikan në Beograd nuk ka stabilitetin e duhur politik, kur vjen puna për lidhjen e aleancave dhe integrimin në BE. Dilema e këtyre 15 viteve pa Milosheviçin e stampuar në paradigmën “Me Europën apo me Rusin딝 ka bërë që prioriteti të jetë Moska në vend të Brukselit.
Megjithatë ka mundësi që Vuçiç ta përdorë marrëveshjen me Rusinë si presion ndaj europianëve. Ka mundësi që Moska dhe Beogradi të jenë marrë vesh që ujdinë midis tyre për vendosjen e një baze ushtarake në territorin serb, saktësisht në atë shqiptar të Luginës së Preshevës, me qëllim që të provokojnë Brukselin. Llogaria ka mundësi të jetë kjo: Ne e kërcënojmë Europën me një bazë ushtarake, ndërkohë Europa nga frika e kësaj ujdie do të heqë dorë nga amandamentet e kapitullit 35 të Marrëveshjes për Hapjen e Negociatave të Pranimit të Serbisë, pra do të përpiqet për një zgjidhje kompromisi sa i përket Kosovës. Dhe zgjidhja e kompromisit do të jetë ndarja e saj. Serbia do të marrë terriroret më të pasura të Kosovës, pjesa tjetër le t’i bashkohet Shqipërisë ose të ndërtojë shtetin e pavarur. Për Beogradin kjo nuk do të kishte më asnjë rëndësi praktike e teorike. Me këtë zgjidhje merr fund konflikti në rajon dhe për pasojë Serbia nuk do të kishte më asnjë pengesë për të qenë anëtare e Unionit Europian.
Ndërkohë Rusia do ta ketë Serbinë si vendin e vetëm me të cilën do t’i mbronte interesat e Moskës në Bruksel, qoftë dhe duke përdorur veton në vendimet e BE-së kundër Kremlinit. Kjo ujdi ka shumë gjasa të jetë një koordinim punësh në prapaskenë midis Vuçiç dhe Putin. Më tej ujdia ushtarake ka shumë mundësi që të shërbejë si presion ndaj Brukselit për alternativën e ndërtimit të gazsjellësit rus i cili do të duhej të kalonte sipas planeve deri tani të bllokuara përmes territorit grek, maqedonas, serb e do të shkojë drejt Hungarisë dhe Austrisë. Ndërtimi i këtij gaz e naftësjellësi do ta shtonte varësinë e Europës ndaj Rusisë dhe për pasojë Moska do të diktonte politikat dhe interesat e veta në kontinentin europian, para së gjithash në Europën Lindore dhe Juglindore. Diku duke rikthyer fantazmën e ish-Bashkimit Sovjetik, diku tjetër duke bllokuar proceset integruese në strukturat euro-atlantike, diku tjetër duke ndërtuar strukturën e sundimit rus pa pushtimin rus e më në fund pse jo, edhe duke aneksuar në modelin e Krimesë territoret në kufi të saj, ku edhe flitet gjuha ruse.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Moska nuk është e interesuar që në Luginën e Preshevës të mos kishte një bazë të fuqishme ushtarake e raketore. Ndërtimi i një baze të tillë do t’i jepte Rusisë shansin e padiskutueshëm për ta mbajtur gjithë kontinentin europian nën ankthin e ndonjë sulmi ushtarak rus të tipit të Hitlerit. Historikisht, prej gati tre shekujsh, sa kohë Rusia ishte një nga fuqitë e mëdha europiane, Europa nuk pati jetuar në ankthin e rrezikut rus. Përkundrazi, Fuqitë Europiane, Franca parasëgjithash, por edhe Britania e Madhe, madje edhe Italia në Luftën e Parë Botërore, ishin aleatë të Rusisë kundër Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë. Pas Luftës së Dytë Botërore Europa Lindore u shndërrua në vasale e Moskës, ndërsa Europa Perendimore u detyrua të pranojë bazat ushtarake e bërthamore amerikane për t’u mbrojtur nga fantazma e rrezikut rus.
Vladimir Putin me një bazë ushtarake në Serbi, pra në Preshevë, do të mund ta rikthente këtë fantazmë dhe qytetërimi europian në vend të të drejtave të njeriut e të luftës kundër terrorizmit do të duhej të mobilizonte fuqitë e veta për t’u mbrojtur nga agresioni i Rusisë. Por ka dhe një problem tjetër për të cilin Serbia është në dilemë. Historikisht Beogradi ka synuar që aleatin politik, gjeostrategjik dhe ushtarak ta ketë në Moskë, ndërsa lidhjet ekonomike, tregtare dhe marrëdhëniet financiare t’i mbajë me vendet e Europës Perendimore. Kjo për njëmijë arësye.
Po a do të mundet që qeveria e Vuçiçit ta ruajë këtë lloj ekuilibri, pra të përfitojë nga Europa në ekonomi e financa dhe njëkohësisht të sigurojë mbështetjen politike dhe ushtarake të Rusisë?! Në një Europë jo kompakte gjithëka mund të ndodhë. Megjithatë nuk do të besoja se Angela Merkel ose dikush tjetër pas saj si kancelar i Gjermanisë, do të ishin aq naivë në raportet me Serbinë. Edhe pse Beogradi ka të drejtë kur shpreson të sigurojë mbështetjen e Europës në këtë lloj politike, pasiqë jo pak europianë e gjermanë mendojnë se “Serbisë i duhet ruajt fytyra”, pavarësisht krimeve të saj të pashembullta kundër popujve joserbë që ajo ka bërë në dhjetëvjeëarin e fundit të shekullit të kaluar. Ndërkaq NATO nuk do të qëndronte duarkryq. Ajo, pas krizës në Ukrainë ka mobilizuar e stacionaur mijëra forca special në vendet e lindjes europiane për të qenë në gjendje t’i përgjigjet provokacioneve ruse, sidomos në vendet anëtare të saj të Balltikut, por edhe në Rumani e gjetkë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shtojnë përpjekjet për të krijuar balancën në vendet e Ballkanit Perendimor minus Serbisë. Ndoshta do rikijohej një perde hekuri e re në marrëdhëniet midis Perendimit dhe Lindjes dhe për këtë “meritën” do ta merrte përsëri Gabrieli i shekullit XXI, Aleksandër Vuçiç.
Shkurt, ajo që thuhet për një marrëveshje ushtarake dhe një bazë raketash ruse në Serbi, është sa provokim, aq edhe një projekt, që nuk mund të implementohet në një afat kohor të shkurtër. Por një gjë është e sigurt: Nëse do të fillojnë përpjekjet e zbatimit të një marrëveshjeje të tillë, atëherëe Europa Juglindore, rajoni ynë, nuk do të gjejë më qetësi, Europa do të duhet të rritë shpenzimet ushtarake dhe të rikthejë mbrojtjen raketore amerikane në territorin e saj, për ëka opinion public gjerman e më gjerë nuk është i përgatitur. Ndërsa projektet e pajtimit shqiptaro-serb, kroato-serb, boshnjako-serb do të dështojnë me sukses, pa i dhënë shansin Edi Ramës të bëhet De Gol dhe Aleksandër Vuçiç të thirret Adenauer. Dhe më tej akoma, Maqedonia, Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës do të përfshihen në një konflikt të ri, pasojat e të cilit nuk do të mund t’i parashikonte askush.

Share: