Home KRYESORE Bëhemi të mirë vetëm kur të kuptojmë se sa keq jemi!

Bëhemi të mirë vetëm kur të kuptojmë se sa keq jemi!

Kemi mësuar në shkollë se jemi të mirë, të drejtë dhe burra të mëdhenj. Të tillë në fakt jemi pakica. Pjesa dërmuese jemi oportunistë dhe të gatshëm për t’u shitur. Për lekë shesim çdo gjë…

Mendoni pak në këto dy fakte: stalinisti në Shqipëri formoi parti demokratike. Ne shqiptarët e bëmë kryetar dhe e votuam si kryeministër. Ky stalinist që furnizonte Millosheviqin, që u zu duke shitur dhe detin, akoma ka peshë në skenën shqiptare. Në asnjë vend tjetër europian, nuk do të kishte qenë jashtë, por në burg.

Mendoni pak tek tjetri: Punoi për Millosheviqin derisa iu nevojit atij, pastaj u fut në kazanin e madh të quajtur LDK, u dezinfektua dhe sot është Kryeministër i shqiptarëve të Kosovës, edhe atë, me ndihmën dhe mbështetjen e atij që deri dje e konsideronte tradhtar. Tash ky Kryeministër ndjek Albin Kurtin, siç bëri shefi i vet, Millosheviqi para lufte.

Ne nuk jemi as atdhetarë, as nuk jemi mirënjohës, as të drejtë, as nuk na intereson interesi nacional, por vetëm ai personal. Ne jemi kombi më i çuditshëm në Europë. Kudo atdhetarët janë njerëz modestë, tek ne janë milionerë. Kudo tradhtarët burgosen, tek ne janë në krye të vendit dhe prandaj kanë lejuar degradimin tërësor në të gjitha fushat.

Dhe të themi se jemi normal, nuk është e vërtetë, nuk jemi normal, sepse nuk njohim parime dhe burrëri. Nuk jemi normal sepse kemi pjesëtarë që urrejnë ata që na nxorën nga malet dhe na kthyen në shtëpi; ata që na rindërtuan shtëpitë dhe na falën shtet. Hebrenjtë janë bërë hi, por pas lufte nuk ka dalë një hebre të vrasë një gjerman. Ne kemi vrarë pilot amerikanë, që kanë bombarduar Serbinë dhe disa tjerë qenë arrestuar në SHBA që po përgatisnin sulmin kundër çlirimtarëve.

Mënyra më e butë për ta definuar veten tonë është: ne nuk jemi popull normal. Jo vetëm pse votojmë maskarenj, jo vetëm pse durojmë ata në pushtet që nga viktima, na shndërruan në kriminel, por pse nuk njohim parime bazë edhe pse nuk mund të lidhemi për asnjë kunj. Copëtimi jonë nuk është vetëm rezultat i agresionit të fqinjëve, por edhe i gatishmërisë tonë për t’u shitur.

Edhe ata që synojnë pushtetin, nuk e bëjnë për interesa nacionale, por pse kanë frikë se do të vdesin pa vjedhur.

Se nuk jemi popull normal, tregues është edhe Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Universitetet dhe spitalet dhe Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Policia. Një popull në këtë gjendje, as nuk mund të ndihmohet sespe ai popull, gjithmonë beson se është viktimë, por kurrë nuk gjen fajin tek oportunizmi i vet dhe tek zvarrritja e vet…

Bëhemi të mirë vetëm kur të kuptojmë se sa të keq jemi, por jo duke fshehur të metat tona kronike…

Share: