Home KRYESORE Blushi e pushkatoi për herë të dytë Nosin

Blushi e pushkatoi për herë të dytë Nosin

Nga Ina Kosturi

Nga një studio televizive teksa promovohej libri” Kandidati” i Ben Blushit më ngjau se u pushkatua për herë të dytë Lef Nosi. Pas kaq vitesh, në Shqipërinë moderne ndodhi ajo që nuk realizoi as Enver Hoxha, tallja, denigrimi, e deri tek thirrja për të tërhequar zvarrë momumentin e një njëriu të pushkatuar, pa varr… U trishtova se këtë herë ishin çuna borduarash as 50 vjeç që i shqetësonte kaq shumë një përmendore, një vepër arti e realizuar mjeshtërisht, që në fakt e quanin bust ! Shqipëria e sotme u përshi në një debat mediatik në shkrime, statuse, blogje, njerëzit rrëmbyen penën moderne të rrjeteve sociale, e si shkrimtarë treguar respekt dhe hera herës padituri, mosnjohje të historisë.

Nga një studio më e vogël dikush tjetër, akoma më i ri komentonte se Lef Nosi vuloste pulla !Të tjerë personalitete, historianë reaguan ndaj këtij debati, mirëpo akoma dhe sot për një lexues të gjerë nuk u saktësuan shumë fakte. Flas për njeriun e zakonshëm që dëshiron të blejë një libër ku gjen figura historike dhe njerëz realë të ndërthurur enkas për ta ngatërruar, për atë që përtej mbeturinës së dikurshme të luftës së klasave, përtej lëndimeve, ngacmimit, pasionit, kërkon të vërtetën. Duhen përmendur ato 52 kumtesa të mbajtura nga historianë, studiues, në Konferencën shkencore në Elbasan në nderim të Lef Nosit, atje ku rendën të gjithë duke filluar diskutimin nga kodikët e vjetër e deri tek historia e hebrenjve…

Personalisht nuk më intereson inati që ka Ben Blushi me Lef Nosin, ndonësë më bën çudi, majde më skandalizon, nuk më interesojnë as ato që media përdor kundër Blushit. Kjo histori nuk është një histori gjyshërish si dikush përpiqet ta ngjyrosë, as familjesh, as brezash. Lef Nosi nuk ishte gjysh, një nga mbesat që i qëndroi pranë në momentet e vështira është ndarë nga jeta që në 2008. Në një moment kur në media janë botuar vazhdimisht shkrime, fakte, dokumenta për Lef Nosin, dalja e Blushit ngjan paksa teatrale. Kjo është vetëm historia e tij, inati i tij, fantazia e tij për Lef Nosin real dhe pasardhësit që janë të shumtë dhe me emra në botën intelektuale shqiptare, e që gjoja fantazisht i denigron deri në shitje të dokumetit të pavarësisië ! Kjo ndërthurje e personazheve reale dhe fantazi e çorienton lexuesin e thjeshtë.

Nuk e kam lexuar librin dhe nuk dua ta lexoj për të ruajtur qetësinë…,ndoshta për mos shtuar inatin a frenuar dëshirën për të shkruar një tjetër libër… Më skandalizon brutaliteti për të vendosur gjithçka vetë nga një studio, për ta shkruar historinë sipas dëshirës. Më tremb nocioni i historisë pronë e politikës, e deputetëve. Nëse kjo është një sindromë e luftës së klasave e shfaqur sot, sigurisht ka vetëm një palë dhe ky është vetëm Blushi. Pak javë më parë u nderua Dhimitër Shuteriqi, dhe si në shumë aktivitete të Akademisë së Shkencave mund të isha atje, pa ditur këtë inat të madh…

Ajo që vërtet përben interes në tërë këtë zhurmë të stisur, tallje pa sens, është figura e Lef Nosit. Kaq shumë urrejtje nuk kam parë tek asnjë artist burgosur e vuajtur nga diktatura… Sigurisht, askujt, as Blushit e askujt nuk do ti vinte mirë që t ja përmendnin njërëzit nëpër libra, t ja bënin përsonazh e aq më tepër ta ngatërronin fantazinë me realitetin… Pak vetë do merrnin guximin për të tillë letërsi. Pa dashur të ndalem në atë që një pjesë e njohin e pak të tjerë nga njerëzit e zakonshëm e kanë lexuar këto ditë, veprimtaria e Lef Nosit gjendet në fondin prej mijëra faqesh në arkivën e shtetit. Për njerëzit e thjeshtë që fatkeqësisht duan pak histori të shpejtë, ata që historinë ua rrënjosi komunizmi, kontributi i Lef Nosit u pëlqen ose jo është i çmuar.

Teksa përmendim vitin 1909 kur themelon dhe drejton shoqërinë “Afërdita”, apo 1910 kur boton të parën gazetë të qytetit të tij të Elbasanit, “Tomorri” ndihmesën e madhe në punimet e Kongresit të Elbasanit si dhe hapjen ne shkollës Normale, kuptojmë se shpejt u bë personalitet i shquar në gazeta, ku botoi shkrime, artikuj të përkthyer nga shtypi europian duke pasqyruar problemet dhe interesat kombëtare shqiptare. Dy artikuj të përkthyer nga shtypi europian asokohe u bënë shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe t’i jepnin dënimin kapital. U deshën ndërhyrjet e patriotëve dhe opinionit ndërkombëtar që dënimi të kthehej me internim në Bursë të Turqisë. Firmosja më 28 nëntor 1912 e Aktit e Pavarësisë dhe emërimi si ministër i Postë Telegrafëve e bën më të rëndësishëm. Pjesëtar në delegacionet e Qeverisë së Vlorës në Konferencën e Paqes për kufijtë e Shqipërisë, si dhe në delegacionet e pritjes së Princ Vidit duket se është prezent në ngjarjet më të rëndësishme shqiptare, falë zotësisë, personalitetit, zotërimit të shumë gjuhëve dhe falë përkushtimit si shumë personalitete të tjera për fatet e Atdheut. Mirëpo sot të bërit humor me personalitetet duket se është në modë ! E nëse sot përpiqemi të imitojmë Konicën për të nxjerrë inatin me Lef Nosin, siç lexova rëndom, tregojmë se nuk kemi lexuar shumë, madje fare.

VELIU2Letërkëmbimi i Konicës me Lef Nosin dëshmon për fuqinë e personalitetin e këtij të fundit për zgjidhjen e një sërë problemesh që Konica i shikonte të rëndësishme në Shqipëri dhe Lef Nosin e konsideronte si njeriun e aftë e të mençur për ti zgjidhur. Nëse vazhdojmë rrugëtimin në histori viti 1919 shënon pjesëmarjen e Lef Nosit në Kongresin e Durrësit, si dhe përshendetjen nga jashtë vendit me telegram të Kongresin e Lushnjës. Si mik i Fan Nolit, fanolist, antizogist u tërhoq nga jeta politike dhe iu kushtua studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, fushave të filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë tonë. Sado të përpiqemi të flasim si fëmijë, si nxënësit e prapë të shkollave në fillimet e demokracisë shqiptare që zhgarravisnin portetet e rilindasve, të bëjmë modernin, të duam të heshtim, kontributet e Lef Nosit nuk mundemi sërish ti mohojmë. I internuar në Itali si antifashist për organizimin e demonstratave të rinisë dhe popullit të Elbasanit që kërkonte armë për të pritur me luftë pushtuesit fashistë italianë duket se përsërit qëndrimin e mbajtur dhe më parë, në vitin 1914, kur bashkë me 300 burra nga Shqipëria e mesme shkoi të mbrojë Korçën nga grekët.

Veliu-3Faktet tregojnë se “fashisti” Lef Nosi, i cilësuar kështu rëndom këto ditë, pa dashur të përmend një numër të madh shkrimesh që e nderojnë si figurë të rrallë, është pjesë e fantazisë dhe mosnjohjes së historisë. Krahas letërkëmbimeve, disa akoma të panjohura me përsonalitete si Fan Noli, Konica, Luigj Gurakuqi e shumë të tjerë mbetet interesant letërkëmbimi me të riun komunist Qemal Stafa. E nëse do flisja apo imitoja atë që media na servir do duhej të shkruaja; Hej, njerëz, paska patur letërkëmbim me vetë Qemal Stafën, simbolin e të riut komunist, dhe vetëm disa muaj para themelimit të Partisë Komuniste ! Nga ky letërkëmbim ruhet gjer më sot vetëm një letër që Qemal Stafa, më 15 mars 1941, student në Firence i drejton Lef Nosit që ishte i internuar në Itali. Lef Nosi paska qenë dhe i internuar në Itali! Pra , disa muaj para themelimit të Partisë Komuniste… Letra fillon “ I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones , por si një realitet………. Letra përfundon …….. Pëherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet . Ju lutenm të pranoni shprehjen e nderimi ma të thellë. Qemal Stafa Via Nicolini 5 Casellai.

Nëse do vazhdonim rrugëtimin në momentet kryesore të historisë së Lef Nosit janë 11 muaj që do duheshin të zbardheshin dhe të lexoheshin drejt. Periudha e mëvonshme shënon dy momente, së pari nënshkrimin e pavarësisë nga Italia, duke e bërë kështu dy herë nënshkrues të pavarësisë së Shqipërisë. Cdo përpjekje për ta krahasuar me të tjera personalitete shqiptare është e stisur duke ngatërruar faktet, e qëllimshme për ti ulur meritat. Duhet kujtuar se një Asamble Kushtetuese më parë i kishte dhuruar kurorën e Shqipërisë Imperatorit Viktor Emanuelit të tretë, pra nuk ekzistonte Shqipëria e pavarur e 1912. Nga territori shqiptar në vitin 1940 ushtritë italiane sulmuan Greqinë. Me kapitullimin e Italisë Fashiste në shtator 1943 boshllëkun që krijoi largimi i trupave italiane e zunë gjermanët të cilët i trembeshin zbarkimit aleat në Ballkan. Për të treguar që gjermanët hynin në Shqipëri dhe jo në Itali u mblodh Kuvendi Kombëtar i cili në 22 tetor 1943 miratoi dhe dekretoi 5 vendime duke bërë të mundur shfuqizimin e asamblesë së 12 prill 1939 e cila kishte votuar për bashkimin personal midis Shqipërisë dhe Italisë dhe rrjedhimisht shfuqizimin e gjithë ligjeve, duke shpallur asnjanësinë nga konflikti botëror.Pra një shtet i pavarur dhe asnjanjës.

Në këtë periudhë Lef Nosi zgjidhet sipërfaqësuesi ortodoks në Këshillin e Naltë të Regjences së bashku me Mehdi Frashërin, Fuat Dibrën dhe Patër Anton Harapin… Pra në këto vendime dhe në procesverbale të Kuvendit Kombëtar 1943- 44 ribotuar nga Kuvendi me rastin e Pavarësisë nuk gjendet asnjë rresht dhe asnjë firmë e Lef Nosit kundra Shqipërisë. Për të faktuar asnjanësinë dhe pavarësiënë e Shqipërisë në këtë kohë, që është ngjashme me gjestin e Themistokli Gjermenit me Republikën e Korçës, midis shumë faktorëve mund të theksojmë se pavarësisht nga urdhrat e prera dhe masakrat çnjërëzore të bërë me porosi personale të Hitlerit, për zgjidhjen përfundimtare të problemit Hebre, sipas dokumentave të publikuara së fundmi nga historianët tanë “Qeveria shqiptare e quan çeshtjen hebreje çështje të brendshme të saj, pra në Shqipëri nuk mund të veprohet…

mehdi frasheri lef nosi rauf ficoKjo përbën bazën e qëndrimit të popullit shqiptar mbi hebrenjëtë vendas dhe ata që u strehuan gjatë Holokaustit. Nuk është për tu çuditur që gjyqi komunist dënoi për fshehje të Lef Nosit dhe një të ri hebre si inxhinier Marko Menahemi që ish arratisur nga kampet e përqëndrimit. Makina ushtarake gjermane nuk mundi të vinte në përdorim në Shqipëri market e okupacionit dhe u detyrua çdo gjë ta blinte në Shqipëri me valutë. Shteti shqiptar i dha shtetit gjerman 20 milion franga kredi të cilat u kthyen pas luftës. Marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe gjerman bëheshin midis ministrive të jashtme dhe konsullatave. Një situatë e tillë zgjati deri në 26 tetor 1944 kur qeveria shqipare dhe Regjenca dhanë dorëheqjen. E gjithë kjo mjegullnajë mbi “kolaboracionizmin “sqarohet duke hulumtuar në arkivat në dokumentat … Arsyet pse Lef Nosi e të tjerë ndërmorën këtë hap e shpjegon Patër Anton Harapi në fjalimin e tij, si dhe rrëfimi i Hafëz Musa Basha, teksa tregon përgjigjen e Lef Nosit me një frazë :”Cunat janë të rinj, serbi jua ka me hile”. Kjo frazë shpjegon dhe zgjedhjen në momentin e vështirë. Nëse sot duhet nderuar Lef Nosi, mjafton emri i Shqipërisë i përmendur në castet para pushkatimit. Shqiptarët kanë nevojë ta njohin historinë nëpërmjet fakteve, me urtësi, paqe, në të kundërt e shkuara, diktatura është gati të trazojë pa mëshirë ditët tona deri sot.

Share: