Home KRYESORE Bojkoti studentor funksionon…

Bojkoti studentor funksionon…

Ky është artikulli qe ka frymëzuar studenten Klodi Hoxha e cila mendohet qe është studentja qe ka qëlluar me veze makinën e kryeministrit Edi Rama.

Nga Hajdi Bengu

Përse askujt nuk i bëhet vonë nëse studentët bojkotojnë auditorët?
Kur flasim për mundësinë e një bojkoti studentor, njerëzit të kundërshtojnë me pyetjen e mësipërme gjatë gjithë kohës. Nga ana tjetër, në mënyrë të vazhdueshme jemi munduar të shpjegojmë arsyet pse është i nevojshëm një bojkoti i tillë.
Treguesi më i qartë për të treguar se bojkoti studentor funksionon është fakti se ka funksionuar në të kaluarën. Në të gjithë botën, herë pas here bojkotet studentore kanë arritur të fitojnë betejat dhe të imponojnë kërkesat e tyre. Megjithëse në secilin rast kemi kërkesa specifike lokale, trendi i përgjithshëm është i qartë: një ndalesë demokratike e sistemit arsimor mund të përftojë fuqi të madhe kolektive.
Kësaj liste bojkotesh ne mund t’i shtojmë pambarimisht edhe shumë shembuj të tjerë ”“ që nga fitorja më e afërt e bojkotit në Bangladesh për fushatën #NoVATonEducation deri te shembujt më të vjetër si fitorja e bojkotit studentor në Britaninë e vitit 1971 kundër konservatorëve, në kohën kur vetë Margaret Theçeri ishte sekretare e arsimit. Shembulli më tipik i bojkotit studentor që për pak u shndërrua në revolucion shoqëror ishte ai i Parisit të 1968-s. Po ashtu protestat e bojkotet studentore të vitit 1973 në Greqi dhanë ndihmesën e tyre në rrëzimin e regjimit famëkeq të kolonelëve. Mirëpo që të flasim për Parisin e vitit ”˜68 dhe Athinën e vitit ’73 duhen faqe të tëra gazetash.
Meksikë 1999
Në vitin 1999 presidenti i Universitetit Kombëtar Autonom të Meksikës (UNAM) njoftoi se tarifat e shkollimit do të rriteshin nga ekuivalenti i 2 centëve në 150 dollarë amerikanë për semestër. Rritja e tarifave kërcënonte seriozisht që të ndërpriste arsimimin për mijëra studentë. Si kundërpërgjigje, studentët organizuan një ndërprerje të një lloji tjetër: bojkot studentor. Rreth 25 mijë studentë bojkotuan. Vendimet merreshin në grup, përmes diskutimeve në asambletë e fakulteteve dhe kolegjeve, në të cilat merrnin pjesë të gjithë studentët. Kampuset kryesore të UNAM-it u zaptuan duke ndalur mësimin për 270 mijë studentë dhe përforcuar në këtë mënyrë bojkotin.
Pas shtatë javësh bojkoti administrata e UNAM-it ofroi një kompromis: tarifa shkollimi vullnetare (tarifa minimale shkollimi dhe tarifa shtesë për ata që duan shërbime shtesë, si p.sh. biblioteka, konvikte, mensa etj.) për të gjithë studentët. Protestuesit nuk e pranuan propozimin, por në vend të ndryshimeve të vogla vazhduan të zgjeronin kërkesat e tyre deri në ndryshime institucionale. Kërkesat e dyta nuk arritën të realizoheshin, por përpjekja e tyre u bë simbol i rezistencës ndaj një agjende më të gjerë qeveritare për privatizim dhe represion, duke nxitur popullin të dalë në rrugë dhe të kërkojë ndryshim.
Kolumbi 2011
2011-a ishte viti në të cilin qeveria kolumbiane propozoi tregtarizimin ekstensiv të sistemit të arsimit të lartë kolumbian. Studentët thirrën një mbledhje kombëtare në fillim të vitit për të diskutuar se si mund të masivizonin lëvizjen studentore në një lëvizje të gjerë që do të përfshinte segmente të ndryshme të shoqërisë: sportistë, artistë, akademikë etj. Mbledhja rezultoi në shpalljen e MANE-s (Tryeza e Gjerë Kombëtare Studentore).
Strategjia e MANE-s kishte dy komponentë kryesorë: së pari, aksioni i bojkotit kombëtar; së dyti, një vizion pozitiv se si duhet të ishte sistemi i arsimit të lartë. Kjo ishte një listë kërkesash me gjashtë pika që mbulonte tema si nevojat e studentëve, demokracinë dhe pjesëmarrjen sociale në jetën akademike, si dhe kërkesa për liri demokratike. Këto kërkesa ishin në të njëjtën frekuencë me popullin kolumbian, duke e zgjeruar lëvizjen përtej studentëve. Kishte aq shumë presion nga MANE-ja dhe publiku i gjerë, saqë në fund të 2011 qeveria u detyrua të grisë planet për tregtarizim të sistemit arsimor.
Kebek (rajon në Kanada) 2012
Studentët e Kebekut kundërshtuan një përpjekje për të rritur tarifat e shkollimit në atë nivel që ishte rritur inflacioni që prej vitit 1968. Bashkimi studentor më militant ASSE-ja (Shoqata për Solidaritet dhe Bashkim Studentor) mundësoi krijimin e një koalicioni më të gjerë CLASSE (Koalicioni i gjerë i ASSE) dhe filloi të mobilizohej. Pas një fushate të fuqishme edukimi politik dhe një përshkallëzimi të ngadaltë të presionit mbi qeverinë, ata filluan të mblidhnin firmat për bojkotin.
Ajo që ndodhi më pas ishte bojkoti studentor pa afat më i madh në historinë e Kebekut. 250 mijë studentë bojkotuan mësimin për gjashtë muaj. Fushata e tyre e pezullimit të aktivitetit ekonomik, mbylljes së kampuseve dhe demonstratave të jashtëzakonshme bënë që qeveria kanadeze të binte në të tillë krizë sa të mbaheshin zgjedhje të parakohshme dhe të pezullohej rritja e vazhdueshme e tarifave.
Brazil 2015
Në Brazil gjatë viteve të fundit në pushtet ka ardhur Partia e Punëtorëve. Por ndryshe nga emri që mban, partia po zhvendosej djathtas duke shkurtuar me forcë shërbimet publike dhe duke flirtuar me bankat. Në përgjigje të shkurtimeve në buxhetet e universiteteve, studentët, pedagogët dhe stafet administrative të universiteteve braziliane zgjodhën të ndërmerrnin një aksion të koordinuar bojkotimi. Vetëm pak muaj më parë ata filluan bojkotin me një kërkesë të vetme: Mjaft më me shkurtime! Pesëdhjetë universitete u mobilizuan dhe studentët formuan komitetet e tyre për të mbështetur dhe zgjeruar radhët e bojkotuesve. Në këtë moment, në Brazil studentët janë në vijën e parë të rezistencës ndaj neoliberalizmit.
Shqipëria 2016?
Reforma në arsimin e lartë në Shqipëri pritet t’i shfaqë efektet e saj mbi tarifat studentore pak nga pak duke filluar prej 2016-s. Efektet e tjera, edhe më parë. Lëvizja Për Universitetin ka mundur të mbledhë rreth vetes qindra studentë protestues aktivë dhe mijëra të tjerë mbështetës e simpatizantë. Kjo tregon forcën e argumentit tonë.
Nëse këta studentë u bënë aktivistë të Lëvizjes akoma pa kaluar reforma në parlament, ç’mund të ndodhë kur pasojat e saj të ndihen realisht, e jo vetëm si paralajmërime të zymta? Ç’do të ndodhë kur gjimnazistët të mos mund ta vazhdojnë arsimimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë për shkak të tarifave të kripura? Atëherë nuk do të pijë më ujë fakti se ata janë gjimnazistë dhe nuk mund t’i bashkohen protestës sonë studentore. Askush nuk do që të punojë në call-center apo fasoneri. Të gjithë duan të arsimohen. Ç’do të ndodhë kur universitetet e rretheve të falimentojnë? Nuk do të jetë më justifikim fakti se nuk mund t’i bashkohesh dot protestës në Tiranë për shkak të largësisë. Atëherë protestën do ta bëjmë në secilin qytet ku ka një universitet publik. Ç’do të ndodhë me pedagogët kur t’u hiqet edhe ajo pak liri akademike nga burokratët qeveritarë apo, më keq akoma, kur të fillojnë t’i shkurtojnë për shkak se nuk janë agjentë të mirë marketingu? Nuk mendoj se do të shqetësohen më për vendin e punës, por do t’i bashkohen edhe ata masivisht protestës. Disa prej studentëve nuk do të jenë më bijtë dhe bijat e nëpunësve të frikësuar të administratës, por qytetarë që kërkojnë të drejtat e tyre themelore. Kur padrejtësia dhe pabarazia të dojë të ngulet dhunshëm në universitet, as indiferentët nuk do të jenë më indiferentë; as skeptikët më skeptikë.
Bojkot i mësimit. Bojkot i pagesës së tarifave. Bllokim pa afat i jetës universitare. Atëherë kërkesat tona për Arsim Publik Falas dhe Cilësor do të bëhen realitet dhe vetëm atëherë mund ta vendosim Shqipërinë në listën e vendeve me lëvizje studentore me traditë të suksesshme, përkrah Francës, Greqisë, Kanadasë, Kilit, Brazilit e shumë vendeve të tjera.

Share: