Home KRYESORE Braçja!

Braçja!

Nga Edison Ypi

Kompania ishte vendosur atje ku fushën e aviacionit dhe lagjen Çole të Vlorës e ndante një kanal i zbuluar plot miza e mickonja që përcillte në det të pëgërat e vlonjatëve.

Kalimi rrëzë atij kanali dhe jo nga ndonjë shteg më i paqëm i të dashururve vlonjatë që shkonin të bënin qef tek pishat në breg të detit, bashkë me shprehjet “burr motre” dhe “qivja udhët”, për Burhan Kalanë, Kamber Kapidanin, Agron Nallbanin, Diogjen Revelin, Maks Dashin, dhe mua, mbetën mistere që nuk u zbërthyen kurrë.

Bateria kundërajrore me 6 topa kinezë kalibër 57, ishte njëra nga disa të tilla, që, siç thoshte propaganda kurviste, “mbronte Vlorën nga sulmet ajrore të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës”.

Unë dhe Braçja nuk bënim stërvitje, nuk mbanim pushkë, kundragaz, helmetë. Ne punonim në prapavijë, unë tornitor, Braçja murator. Aspak si favor. Thjesht sepse mes ushtarëve s’kishte të tjerë.
Braçja nuk kishte asnjë mik, nuk fliste me askend. Braçja rrinte gjithë kohës në një heshtje dhe vetmi sa krenare dhe kërcënuese aq dhe të urtë e të butë, çka Braçen e bënte të mistershëm, të largët, të paarritshëm.

Braçja ishte skraparlli nga “Tre Avgatë”. Gjyshja ime ishte skraparlleshë nga Veleshnja. Ishte ndoshta kjo afërsi gjeografike arësyeja që i vetmi me të cilin Braçja bënte pak muhabet isha unë.

Mua nuk më vinin të bëja roje. Kisha një kushuri që stërviste diversanta në Gjermani. Nuk kishin besim. Më konsideronin armik.

Braçja më kishte thënë se kishte një xhaxha të pushkatuar. Por meqë Braçja vinte nga një fshat i thellë, mesa duket nuk i jepnin rëndësi, dhe Braçen e vinin ndonjëherë të bënte roje, te depot e karburantit, magazinat e municioneve, natën rretherrotull kapanonit etj.

Kur i thoshin Braçes të bënte roje, Braçja bëhej keq, sëkëlldisesj, sëmurej. Vinte më thoshte; Nuk jam unë për këto gjëra. Unë jam çoban që ruaj bagëtinë, dal livadheve, dëgjoj këngët e zogjve, fëshfërimat e pyllit, gurgullimat e përrenjve, dhe kam  mësuar nga babai ca ustallëqe, të bëj gardhe, mure, suvara, tavane. Armët e mia janë sqepari, mistria. Ja kjo është koburja ime. Dhe më tregonte sqeparin që e mbante gjithë kohës ngjeshur në brez, si ngjishet koburja, me bishtin ngulur në rripin e mesit. Nuk i dua armët. Dua veglat. Pushka vret. Sqepari ndërton.

Aman o Braçe, i thosha, aman mos bëj naze se do marrësh veten më qafë me këto lakra që ke në kokë. Nuk po të them të bëhesh revolucionar, marksist, leninist, stalinist, maoist. Po të them të përmbahesh pak. Më vunë edhe mua një herë të bëj roje rrëzë një kanali te ca depo. Me pushkë në krah dhe helmetë në kokë gjithë natën fërshëlleva “Il cuore è uno zingaro” dhe “Sympathy”. Duke fërshëllyer e duke hequr e vënë grrap-grrup shulin e pushkës për ta parë si funksiononte mekanizmi i vetmbushjes, më humbi një fishek, se ku më ra në errësirë. Nuk u lodha ta gjeja. Nuk i dhashë asnjë rëndësi ku humbi 1 fishek, kur në Qafë të Koçiut te depot e repartit kishte miliona fishekë. Mirpo problemi s’kishte qënë sasior. Të nesërmen u bë nami. Nisën të bëhen pandehma të frikëshme; Në dorën e cilit armik ka rënë ai fishek ? Për çfarë qëllimi do përdoret ? Shpëtova nga burgu duke bërë rolin e budallait. Mësoje dhe ti Braçe rolin e leshkos, dhe leri nazet se do gjesh belanë.

Nuk bindej Braçja. Nuk lodhem të punoj papushim ditë e natë, thoshte, ama dërrmohem sa për 1 vit punë po të bëj 1 orë roje. Gjatë atyre 4 orëve që më vënë të bëj roje për të ruajtur pa e ditur se çfarë nga nuk e di se cili armik, mund të ngre një faqe muri, mund të gatuaj 1 metër kub llaç, mund të mbuloj me tjegulla gjysëm çatie, ose plot gjëra të tjera. Po vazhduan kështu për tre vjet që do rri këtu, me aq orë roje sa do bëj do ndërtoja në fshat kushedi sesa shtëpi, stalla, depo, magazina. Tmerrin më të madh e provoj kur më vënë të bëj roje mbi Vendkomandë.
Vendkomanda ishte një si biçim salle gjysëm nën tokë gjysëm mbi tokë në sheshin para kapanonit të fjetjes. Brenda saj rrinin dy telegrafista që merrnin e jepnin urdhëra. Vendkomanda mbulohej nga një terracë betoni nja dhjetë metra e gjatë pesë metra e gjërë. Mbi terracën e Vendkomandës rrinte natë e ditë një roje me pushkë në krah, helmetë në kokë, dylbi varur në qafë. Ky roje që ndërrohej çdo tre ose katër orë, duhej të vëzhgonte qiellin dhe të lajmëronte kur të afrohej ndonjë avion armik, pra një çmenduri e pashoqe.

Ishte ora nja dhjetë paradite. Na kishin mbledhur tek “Dhoma e Kulturës” për të bërë atë që e quanin “Ora e edukimit politik”. Komandanti i kompanisë, një vlonjat faqekuq me një shëndet tipik prej makaronash ushtrie me emrin Nasho rrihte të tërhiqte vëmendjen e të përgjumurve të uritur për rrezikun ushtarak imperialisto-revizionist. Fol e fol Nashua, kur u dëgjua një goditje e shkurtër, një “gup” e mbytur. Hyri pa trokitur njëri nga telegrafistat e Vendkomandës. J’u afrua Nashos i tha diçka në vesh. Dolën të dy jashtë duke u kujdesur të mbyllnin derën.

Pas nja gjysëm ore u muar vesh çfarë kishte ndodhur.

Braçja kishte nja tre orë që rrinte roje mbi terracën e Vendkomandës. Pak minuta para se ta mbaronte shërbimin e rojës, të zbriste nga terraca, të ngjishte sqeparin në brez dhe të vazhdonte punën, kishte mbështetur qytën e pushkës mbi beton, grykën në zemër, dhe e kishte shkrepur pushkën. Plumbi kishte përshkuar kapotën, gjimnastorkën, bluzën, lëkurën, i kishte shpartalluar zemrën. Pra Braçja ishte nisur t’i binte fyellit i qetë mes livadheve të Parajsës, ku ndoshta ka Skrapar e Përmet, por jo NATO dhe Traktat Varshave.

Atë pasdite 30 a 40 ushtarët e kompanisë i morën në spital për të dhënë gjak për Braçen. Mua jo. Mua nuk më thirrën. Gjaku im nuk u duhej as për Braçen me xhaxha të pushkatuar.

Ngjarja e kobshme kaloi e shurdhët sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Pas ca ditësh u muar vesh se Braçja kishte vdekur në vend me kraharor të shqyer. Pse morën gjak për një të vdekur ? Kjo pyetje shkaktoi një habi të frikëshme që na mbajti pezull disa muaj.

Një mjek vlonjat që vinte në atë repart për të bërë Zbor, një ishullar i provincës që fliste nën zë për libra dhe kanconeta, sipas të cilit, jeta pa lexuar të paktën dhjetë romane, pa ditur t’i bijesh një vegle muzikore, pa pasur një dashnore, nuk është jetë por ferr, ma zbuloi misterin e marrjes së gjakut.

Në spitalin e Vlorës, tha mjeku, vjen mesatarisht nga një “Braçe” në muaj. Pavarësisht nëse mbijeton apo vdes në çast, shokëve apo familjarëve të çdo “Braçe” të vetvrarë u merret gjak. Kjo, sepse, që një “Braçe” i vetgoditur të mbijetojë, nuk mund të pritet të vijë gjaku i shokëve që vonon disa orë. “Braçes” që s’ja kishte qefi të bënte roje dhe preferoi t’i binte fyellit anës lumenjve të Xhehenetit i dhamë gjakun e një “Braçe” të mëparshëm që j’u shemb mbi kokë tuneli në një repart tjetër. Gjakun që ua morëm shokëve të mikun tënd “Braçe” do ta ruajmë për “Braçen” e ardhshëm. Me braçera dhe gjakra punon e do punojë në jetë të jetëve, jo vetëm spitali i Vlorës, por të gjitha spitalet e kësaj llaftarie me emrin Shqipëri.

Share: