Home KRYESORE Ku dallon spiuni nga këngëtari?

Ku dallon spiuni nga këngëtari?

Rezart Palluqi

Kohët e fundit, sipas mendimit tim, po i hyhet në hak, spiunit, dhe po lartësohen këngëtarët në periudhën e Diktaturës hoxhise. Në fakt spiuni dhe këngëtari, në atë kohë, kanë qenë motër e vëlla. Që të dy, kanë pasur një mision: legjitimimin e krimeve të Kryekasapit. Spiuni ka qenë si të thuash, kanceri i brendshëm, terroristi i padukshëm, ndërsa artisti, i cilitdo fushe qoftë ai, bekonte punën e spiunit.

E përpos këtyre, që të dy, kanë punuar gjatë natës. Shpesh, shtëpitë e tyre, janë ndodhur përballë. I ka ndarë një rrugë. Të dyja palët, kanë pasur si palestër pune, justifikimin e torturave, burgosjeve dhe vrasjeve apo internimeve të shqiptarëve, që herë dolën totalisht kundër atij sistemi, herë u bënë viktima të disa pakujdesive të vogla, qofshin ato gojore,si devijime të vogla morale ndaj ideologjisë së hekurt diktatoriale.

Është e vërtetë, se disa artistëve u është dashur të spiunojnë më pak, dhe disave të tjerëve, më shumë. Niveli i spiunazhit është nvarur prej talentit të tyre artistik. Parë në kontekstin e asaj kohe, kjo ka qenë mjaft logjike. Përshembull, përse duhej detyruar një skulptor i talentuar të harxhonte pjesën më të madhe të kohës së tij, me spiunime, ndërkohë që ai, kohën mund ta shfrytëzonte duke hedhur në Bronx apo allci ose mermer fytyrën e diktatorit? Ajo fytyrë, sjellë prej artistit, aq bukur, largpamëse, guximtare do të frymëzonte punëtorët cdo mëngjes kur ta shihnin, ose gjunjëzonte, cdo shqiptar të asaj kohe, që ëndërronte ta shihte atë të varur në litar. Kjo vlen edhe për një shkrimtar. Përse ta vriste ai kohën me spiunime, ndërkohë që ai mund të thurte vargje poetike pro-diktatoriale, që do t’i nguliteshin shqiptarëve thellë në kokë?

Prandaj, edhe mendoj, se artistët e talentuar, në atë kohë, vërtetë mund të kenë spiunuar më pak, se artistët nënmesatare. Por, kjo, nuk ua rrit atyre moralin. Aspak! Madje, do të thosha, se parë thellë-thellë, ata kanë qenë shumë më të dëmshëm, se sa vetë spiunët artistë me më pak talent ose spiunëve profesionalë.

Im atë diti t’i ruhej spiunëve, duke heshtur si shejtan, jo vetëm kur ishte zgjuar , por edhe në ëndrra. Ama, statujave, pikturave të famshme, këngëtarëve, poetëve, MBIMESATARË, nuk iu ruajt dot. Edhe sot, ato janë ngulur thellë në kujtesën e tij. Ai, mban përmendësh vargjet e poemave të famshme që i këndonin bëmave heroike dhe sukseseve ekonomike e morale të Diktaturës. Di edhe sot, refrene të këngëve që himnizonin rendimentet e larta të asaj kohe. Ndërsa artin nënmesatar, ai e ka harruar. Kështu që artistët nënmesatarë, logjike që e kanë mbushur vakumin artistik me spiunazhe.

Në mbyllje, sado që i talentuar që të ketë qenë një artist, në atë kohë, atij i është dashur të spiunojë, sado pak. Ai që e mohon këtë është super-hipokrit. Edhe më i talentuari, ka pasur të paktën 1 arsye për të spiunuar, edhe pse më rrallë. Spiunimi, ka shërbyer si armë mbrojtëse, mburojë ndaj kolegut pak më të talentuar. Disa artistë të talentuar, atë kohë, kanë bërë edhe gabime trashanike, duke shëtitur në bulevardet e kryeqytetit përkrah sigurimsave, apo dëfryer në hotelet e famshme shqiptare, me djemtë e famëkeqit, Ministrit të Mbrojtjes. E megjithatë, pikërisht, janë këta njerëz, që sot, po na deklamojnë moral dhe denoncojnë, kolegët e tyre, artistët spiune me talent nëmesatar…

Ngado që ta dredhim, “TALENTIN”, si artistët nënmesatarë, si ata mbimesatarë, e shfrytëzuan për jetëgjatësinë e Diktaturës dhe suksesin e tyre personal. Këtë botë, nuk do ta shpëtojnë ose përmirësojnë, njerëzit e talentuar, por humanistët. Talenti i artistëve oportunistë, është më I rrezikshëm se sa vetë kanceri apo helmi I nëperkës..

Rezart Palluqi, Amsterdam, 25 nëntor, 2015

Share: