Home KRYESORE Kush do t’a dekriminalizojë politikën, gjyqësorin, bashkitë?

Kush do t’a dekriminalizojë politikën, gjyqësorin, bashkitë?

Nga Alfons Cupaj

Për vetë rolin e jashtëzakonshëm që ka në shërbim të demokracisë, barazisë dhe lirisë, ”tempulli i demokracisë” është një ndër figurat më kuptimplotë dhe karakterizuese për Parlamentin. Parlamenti cilësohet ndryshe edhe si institucioni kryesor i demokracisë së një vendi. Por, cilat janë marrëdhëniet e Parlamentit të Shqipërisë me demokracinë?

Të zgjedhurit tanë e kanë vrarë demokracinë. Ata që duhet t’a mbrojnë, t’a ruajnë dhe t’a forcojnë demokracinë, ata e kanë goditur fort mu në tempullin e saj, i kanë shkundur fuqishëm themelet duke vënë në dyshim ekzistencën e saj. Kushtetutën e zëvëndësuan me arme, ligjet me drogë, librat me vendime dënimi, mirëkuptimin me grushte, debatin konstruktiv me fyerje, sharje e baltosje.

Dekriminalizimi i kuvendit është togfjalëshi që nuk i ka munguar asnjë edicioni lajmesh prej një viti vendit tonë. Dekriminalizimi i kuvendit dhe reforma në drejtësi kanë qënë edhe dy çështjet kryesore në tavolinat e Evropës.

Hajdutë, kriminelë, banditë, të korruptuar, të pashkollë kanë arritur të deportojnë brenda kuvendit, falë bekimit që u kanë dhënë krerët e partive politike.

Kemi parlamentin më të keq të të gjitha kohërave, parlamentin që fyen çdonjërin, pavarësisht bindjeve të tij, poshtëron çdo qytetar të këtij vendi, injoron çdo të ri të shkolluar, çdo njeri të ndershëm dhe dinjitoz. Une e përbuz dhe sigurisht që ndihem i fyer. Më i fyer sesa me kriminelët në kuvend ndihem me ata që i sollën në atë sallë. Dhe më i fyer se me ata që i sollën në ata sallë, ndihem me ato pak burra dhe gra dinjitozë që kanë mbetur akoma në kuvend. Ata duhet të jenë një zë i fortë, nuk duhet të pajtohen kurrsesi me ta. Drama më e madhe e këtij vendi është se ata që janë përgjegjësit direkt për kriminalizimin e politikës, pikërisht ata bërtasin si të marrë për dekriminalizimin e saj.

Pas presionit ndërkombëtar dhe shqetësimit të ngritur nga opozita palët ranë dakord pë të larguar kriminelet që futën vetë, megjithëse po u mbaron mandati. Sot kuvendi diskutoi projektligjin për dekriminalizimin, por që kishin preferuar t’a quanin projektligji ‘për integritetin e personave me funksione publike’. Dekriminalizimi me shumë gjasa do të ndodhe, por ata që shkaktuan këtë fenomen do të vazhdojnë të qendrojnë. Ndaj nuk besoj në zhvillime pozitive, do ikin kriminelët, po do të mbesin ata që i sollën kriminelët.

Do ikin hajdutët dhe trafikantët, por do të mbesin të pashkollët, servilët, hipokritët, ndaj, dekriminalizimi i kuvendit, administratës publike, gjyqësorit dhe pushtetit lokal duhet shoqëruar deomos me dekomunistizimin, deanalfabetizmin, despiunimin, deservilizmin. Ndryshe do jetë i mangët, gjysmak, i paplotë.

Pyetja që shtrohet nga të gjithë është: kush do t’a dekriminalizojë politikën, gjyqësorin, bashkitë? A mund t’a dekriminalizojnë ata që kriminalizuan çdo qelizë të politikës? Kur do të vijë dita që të diskutojmë vetëm për të larguar të paarsimuarit nga politika?
Sa shumë kemi për të bërë.

Share: