Nga Rezart Palluqi
Maks Velo ka të drejtë t’i marrë në mbrojtje ish xhelatët e tij hoxhistë, si atëherë , si tani. Këtë të drejtë e ka çdokush, vetëm kur kamzhiku i xhelatit mëshon fort mbi lëkurën e kurrizit të tij. Maksi në këtë rast është me fat, ngaqë është edhe piktor. Kështu, ai shumë bukur mund ta pikturojë kamzhikun e xhelatit mbi kurrizin e tij. Ai mund tia derdhë fytyrën përdhunuesit të tij në ngjyrat e ylberit. Ta pikturojë thyresin e shpirtit te tij duke qeshur si engjëll. Sytë tia përmbytë me gjakun e kaltër të qiellit, dhe fytyrën e tij mund ta pikturojë qaramane, lëngaraqe; t’i jape asaj tisin e një viktime të pafuqishme. Ai është gjithashtu i lirë që fytyrës së tij, teksa llastiku ia mpin lëkurën e kurrizit, t’i japë po ato nuança engjëllore që reflektojnë kënaqësi parajsore. Përkrah xhelatit të qeshë ëmbël me fytyrën e tij të përgjakur.
Por Maks Velo, nuk ka asnjë të drejtë, që t’i marrë në mbrojtje krimet e xhelatëve ndaj viktimave të tjera, siç e bëri sot, në gazetën Tema. Aty ai përgenjështron torturat dhe dhunën e xhelatëve hoxhistë ndaj grave, sepse po sipas tij, gratë në burg mbroheshin dhe ai që i prekte ato me dorë, apo përdhunonte, dënohej direkt me pushkatim.
Së pari, shkrimtari Visar Zhiti ka folur mjaft qartë në veprat e tij letrare, rreth torturave ndaj grave, pak a shumë të njëjta që përmendi edhe Alida Hisku. Së dyti, nëse përdhunime të tilla, nuk kanë ndodhur në burgun ku vuajti Maks Velo, kjo nuk do të thotë se këto tortura nuk kanë ndodhur në burgjet e tjera.
Përpara disa muajve, Maks Velo, me siguri me urdhër nga xhelatët e tij, bëri deklaratën bombë ku ndër të tjerash na thonte se “dosjet nuk mund të hapen, ngaqë në kohën e largqoftit, të gjithë ne paskemi qenë spiunë” Atëherë, unë e kundërshtova fort dhe akuzova se një deklaratë e tillë është mjaft dinake dhe dashakeqase. Sepse po ta merrnim të mirëqenë atëherë dosjet nuk kanë përse të hapen, dhe pikërisht këtë duan edhe xhelatët hoxhistë.
Sot, ia vlen që të hapen dosjet e krokodilëve të mëdhenj. Dosjet e spiunëve ordinerë që spiunonin për të mbajtur frymën gjallë, nuk ia vlen të merren shumë seriozisht. Tek e fundit, populli u detyrua të spiunonte prej krokodilëve të mëdhenj. Spiunët e vegjël, për të mbijetuar ekzistojnë edhe në Holandë. Në çdo vend pune kolegu spiunon kolegun, e ha mbas shpine. Por, shteti holandez nuk të fut në burg, përkundrazi ka sindikata dhe gjykata që i zgjidhin këto mosmarreveshje. Ndërsa atëherë, qytetari u detyrua të bëhej spiun për të mbajtur frymën gjallë, dhe në fund kur u ankua se nuk kishte djathtë në dyqan, u burgos. Kjo kategori spiunësh duhet të mbesë jasht aferës së hapjes së dosjeve. Të dënohen gjelat e mëdhenj, dhe të gjithë ata shqiptarë që deshën të bëjnë karrierë të madhe në kurriz të fukarait dhe lirisë së shqiptarit. Pra, le të dënohen 100 gjella dhe 900 pula dhe jo 100 mijë gjela dhe 3,9 milion pula. Të dënohen edhe ish viktimat, si Maks Velo, që mohon dhunën e terrorit hoxhist!!
Ndërsa sot, gazetari më dredharak dhe pa moral, Mero Baze, boton reagimin vrastar, të turpshëm, që bie ere, “syndroma e Stokholmit” të Maks Velos. Jo shumë kohë më parë, i njëjti njeri, bëri gjithashtu një deklaratë tjetër mjaft përçarëse dhe luftnxitëse kur tha se “i urren veriorët”.
Prandaj, Maks Velo, do të bëjë mirë që të tresë në bojëra të shumllojshme kamzhikun e xhelatëve në kurrizin e tij. Grushtat e kasapëve hoxhistë le t’i vizatojë plot dashuri në hundën, dhëmbët, fytyrën e tij të shitur, por nuk ka aspak të drejtë të mohojë torturat e tyre ndaj qindra grave dhe meshkujve të tjerë gjatë diktaturës hoxhiste!
Më vjen keq, që Alida Hisku, mohoi SOT denoncimet e saj të bëra pak ditë më parë. Uroj, që ajo ta gjejë forcën shpirtërore, duke mos lëpirë pështymën e saj, sepse atëherë do t’i bashkohej sjelljes totalisht amorale dhe vetëdenigruese të Maks Velo!!
Holande, 1 Nentor 2015