Home KRYESORE Nuk është vetëm punë universiteti kjo protestë

Nuk është vetëm punë universiteti kjo protestë

Nga Mentor Kikia

Numri i studentëve që protestojnë kundër ligjit për arsimin e lartë është rritur në tubimin e fundit. Ata paralajmërojnë se do të vazhdojnë të protestojnë, duke perifrazuar kryeministrin Rama kur thonë “se nuk keni parë gjë akoma”. Por nga sa kanë folur publikisht deri tani, studentët nuk po organizohen vetëm për ligjin e arsimit të lartë. Protesta e tyre po i kapërcen bordurat e kësaj kauze dhe ata po përfshijnë në ”menun딝 e protestës edhe cështje të tjera, dukshëm me sfond politik, duke paralajmëruar një lëvizje politike. Por a është kjo një lëvizje politike? Mendoj që ende jo. Megjithatë proteta e studentëve është një vijim i frymës që u themelua me protestën kundër armëve kimike. Eshtë një lëvizje që tregon vrasjen e frikës dhe nisitivën e shoqërisë për të kërkuar më shumë nga c’i japin, për të kërkuar atë që i takon e mbi të gjitha për të shembur atë që është ngritur mbi padrejtësinë dhe vjedhjen. Studentët po ftojnë në protestë qytetarë të shtresave dhe formimeve të ndryshme, me apo pa lidhje me universitetin, duke paralajmëruar se së afërmi kërkesat e tyre nuk do të jenë vetëm për tërheqjen e ligjit për universitetin.

Pyetjet që shtrohen nëpër studio televizionesh janë: A do të lindë një parti politike e re? Shpejt ndoshta jo, dhe shpresoj të mos ndodhë. Shqipëria ka boll parti e partiza që kanë lindur ose mbi baza interesash ose nga copëzimi i partive të mëdha, sërish si pasojë e interesave. Një më shumë nuk do të ndryshonte asgjë. A ka nevojë për një frymë të re politike? Padyshim që ka. Por unë besoj dhe shpresoj se ndryshimi do të vijë kur populli të jetë i aftë ta prodhojë atë. Megjithatë kjo lëvizje, në mos u bëftë parti në të ardhmen e afërt, po shtron rrugën për një gjë të tillë.

Gjirizi i politikës aktuale nuk ka ku shkon më zi. Politikë e korruptuar-biznes oligark-drejtësi e korruptuar-krim janë bërë një dhe kanë shkatërruar cdo rregull, kanë shkelur cdo interes, publik e kombëtar, është bërë një korporatë që ka shndërruar në skllevër 95% të popullsisë. Padrejtësitë dhe dasitë e mëdha ekonomike e sociale kanë mbledhur mjaftueshëm mllef në shpirtin e njerëzve të thjeshtë dhe jo vetëm. Një njeri i zakonshëm mund të ndjehet jo keq në shtëpinë e tij modeste. Por bëhet bishë kur fqinji i tij ka ndërtuar vilën vetëm për pak kohë, sepse punon në një institucion ku ka patur mundësi të vjedhë. Dhe atëherë ky njeri nuk del në rrugë të kërkojë atë qe nuk i takon, por të rrëzojë atë që pasurohet padrejtësisht, atë që i ka marrë atij jo vetëm paranë por edhe shpresën.

Share: