Nga Romeo Gurakuqi
Pas një viti skandalesh të njëpasnjëshme, akuzash për atentate vrastare, mosveprimesh dhe veprimesh të paarsyetueme të organit të akuzës, akuzave për përfshirjeve në korrupsion galopant me paranë publike nga ana e qeveritarëve e ish qeveritarëve, likuidimesh boshatisëse të buxhetit të shtetit, përfshirjeje të segmenteve të policisë politike socialiste në trafiqe dhe akuzave të drejtëpërdrejta të bëra së fundmi nga një punonjës i terrenit ndaj Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, publiku i tejngopur dhe i demoralizuar ka rritur në pikën e mosdurimit dhe kërkon ndryshim thelbësor reformativ.
Ky proces reformativ kaplon tre sfera themelore: a. “Politikën që duhet të pastrohet”; b “Drejtesinë Penale që duhet të ndahet një herë e mirë nga “drekimi” me kriminelët dhe “llogaridhënia e fshehtë sistematike” ndaj politikës së korruptueme; c. Policia e Shtetit, që duhet të shkëputet nga kontrolli i politikës, shërbimi ndaj kriminelëve dhe të vendoset në shërbim të Publikut.
A.Që të kemi politikë të re të dekriminalizuar dhe një integritet të qeverisë, mendoj se duhen demokratizuar partitë dhe qarkulluar elitat e ngurtësuara të tyre, duhet ndryshuar sistemi elektoral drejt një sistemi mazhoritar, me prag të lartë (5%), me një raund ( pavarësisht se binomi FRD dhe LSI në qeveri do të tentojë ta bllokojë) dhe të gjendet mënyra që të kontrollohet numërimi i ndershëm i votave; duhet të vendoset transparenca e vendimarrjes politike, ekonomike dhe tenderuese të qeverisë; duhet të ndalet bërja e emërimeve që dhunojnë caktimet bazuar në meritë, të rritet ekspertiza e ndertimit të akteve ligjore dhe veprimit administrative.
B. Drejtësia penale e startuar nga Hetimi Penal, e mishëruar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe varësitë e saj, ndonëse një institucion i projektuar si i pavarur, mbetet dega më hipokrite, më ineficente dhe më e varur nga Dora Rrënuese që godet, shantazhon dhe rrëmon Shtetin e së Drejtës në Shqipëri. Dështimi ynë për t’u marrë me rregullimin dhe reformimin e organit të hetimit do të jetë një indikator se ne jemi një shoqëri e themeluar mbi mungesën e ndershmërisë dhe kompromiseve të paparimta. Kjo sepse organi i prokurorisë është një përbërës jetësor i sistemit të drejtësisë, derisa i gjithë organizmi hetimor operon në emër të Shtetit dhe Publikut. Pyetjet qendrore për këtë organ mbetën edhe më tutje, ato që kanë qenë përherë dhe që janë agravuar: Ata që janë përgjegjës të këtij institucioni janë duke marrë vendime të mira? Sa koherente, koinsistente, të barazvlefshme dhe operative janë vendimarrjet e tyre dhe sa e kanë të qartë ato barazinë e qytetarëve shtetarë para ligjit dhe mbrojtjen e lirive të shtetasve të thjeshtë të këtij vendi? Sa të depolitizuar dhe sa janë të çliruar ata nga duart e padukshme të politikës, biznesit jo legjitim dhe parasë? Cili është testi bazë profesional i rekrutimit të prokurorëve dhe a ka një kuadër ligjor që shmang konfliktin e interesit, strukturon respektimin e kodit etik, parashikon ndarjen e interesave institucionale dhe antinepotike?
C. Policia e Shtetit është rikthyer plotësisht dhe pa droje nën kontrollin politik të Ministrisë së Brendshme, dhe një Ministri që ndonëse ka vendosur rendin në rrugët e Shqipërisë, ka larguar nga puna punonjësit më të kualifikuar të Policisë së Shtetit dhe ka lejuar në një sipërfaqe të pangjashme të vendit në krahinat nën varësinë e administrimit socialist, të mbillen masivisht lëndë narkotike. Në këtë organ duhet të rikthehen, pas një shoshitje të kujdesshme, të gjithë policët jo të inkriminuar që kanë përfunduar Akademitë Policore; në polici mendoj se do të duhet të ndërtohet, në vend të policisë gjyqësore, një Byro Nacionale e Hetimit, tëresisht profesionale, me një degë të posaçme të policisë të heton policinë; mbi të gjitha, rimodelimi i policimit komunitar duhet të përforcohet dhe ridimensionohet.
Është koha të kuptojmë se mekanizmi teorik i sistemeve të qeverisjeve, automatikisht të orienton në përfundimin se, një prokurori ineficente, një gjyqësor i korruptuar, një polici e kapur, është para së gjithash pasojë dhe produkt i një politike dhe sistemi qeverisjeje të korruptuar, të sëmurë, në kuptimin më të gjërë të fjalës, dhe të gjitha janë pasojë e drejtëpërdrejtë e shkatërrimit të bazave demokratike të qeverisjes.
Pra, ajo çfarë do të duhet të korigjohet më e para është Baza e Demokracisë dhe e Shtetit, nisur nga Kushtetuta. Për ta bërë këtë mendoj që koalicioni i forcave Pro Shtetit dhe Pro Shqipërisë, në të gjithë spektrin e politikës, të bashkohet kundër Koalicionit të Djallit, që gjendet gjithandej i shtrirë në sektorët e jetës publike të republikës së dërrmuar. Republika e Katërt e Shqipërisë është praktikisht e rënë dhe këtë duhet ta shohin para së gjithash, Kryeministri i vendit, zoti Rama dhe Shefi i Opozitës, zoti Basha, që edhe në qoftë se nuk i kanë këllçet, kurajon, burrërinë dhe dijeninë e mjaftueshme për të ndertuar reformimin e plotë të sistemit, duhet ta rishpikun vetvehtën dhe stafet e tyre, për t’u marrë vesht sinqerisht, për ta Rindertuar Republikën e Pestë bashkarisht. Rënia e dogmës së Rilindjes së Shtetit, duke qenë në koalicion me Djallin, nga njëra anë, dhe fiksimi pas shabllonit të goditjes së qeverisë pa sjellë asnjë kontribut teorik ndaj republikës, sistemit të saj qeverisës, reformave, nga ana tjetër, duhet të jetë hapi i parë i vullnetit të mirë nga ana e tyre, në shërbim të njërëzve të Shqipërisë që marrin çdo ditë të frikësuar, rrugën e arratisë nga ky vend i komanduar nga gangsterët. Nuk propozohet këtu një koalicion qeverisës afatgjatë, as një marrëveshje dashurie politike e shoqnore, e cila është e vdekur midis dy partive të mëdha politike, por një Pakt Ndërtimi Strukturori i Republikës së Pestë, për hir të dashurisë së tyre të pretenduar për Shqipërinë dhe Publikun. E gjitha kjo për të shmangur kaosin dhe një marrëveshje të vonuar dhe të imponuar nga jashtë, nesër pas kostove vështirësisht të riparueshme.
Në qoftë se nuk jemi të vonuar dhe të pa shpresë, mendoj se mund të jemi ende në kohë që të parandojmë kaosin e radhes së republikës post komuniste, përmes një game të gjërë reformash thelbësore, gjithpërfshirëse. Duke devijuar paratë e tenderit të Jaguarëve, ose duke ia marrë paratë hajdutëve të Thesarit, mendoj se Qeveria dhe Opozita të bien në një mendje për financimin e ndërtimin e tre komisioneve të përbërë nga Konstitucionalistët, Ekspertë të Drejtësisë Penale, Profesionistët e të Drejtës Elektorale dhe Administrative, të Universiteteve më të mira të vendeve partnere. Pavarësisht se qeveria e Kryeministrit Rama ka ndërmarrë akte të kufizuar ekzekutive për të imponuar ligjin, ajo qeveri ka qenë e kufizuar në përspektiven e gjykimit reformativ, nuk është orientuar drejt reformave të qendrueshme me jetë të gjatë dhe ka qenë e vetëpenguar për shkak të “bashkëjetësës me të keqen”, e dallueshme brenda saj që në fillesë. Padrejtësia e Sistemit tonë të Drejtësisë, përpjekja utopike e një rrethi politik të korruptuar për të reformuar atë sistem, fusha e gjërë dhe e qetë ku operon krimi i organizuar, kanë përjetësuar një rreth vicioz që po rrënon Shtetin dhe po shkatërron Komunitetin e Qytetarëve të Normalë të këtij vendi.
Vetë projekti i shpallur njëanshmërisht i reformës në drejtësi, duket tashmë i vdekur.
Republika është para Kaosit, që në qoftë se ndodh, do të shoqërohet me ndërhyrje stabilizuese, zgjedhje të monitorueme, amnisti për krimenelët dhe shkaktarët e kaosit dhe rindertim gjërash nga e para, por atëherë në një Shqipëri të boshatisur nga qytetarët e saj më të mirë
Që kjo të mos ndodhë, Kryeministri dhe Shefi i Opozitës duhet të merren vesht, para se vendi të kalojë në zgjedhje të reja të parakohshme, për krijimin e tre komisioneve reformuese: 1. Komisioni i Reformës së Plotë Kushtetuese që do të rindërtojë Republikën, në balancë dhe më me shumë kontrolle ndaj ekzekutivit, hetimit dhe gjyqësorit; Reforma e Drejtësisë do të duhet të alokohet pikërisht këtu. 2. Ndërsa Komisioni i Drejtësisë Penale që do të duhet të merret me reformën e Prokurorisë, ndërtimin e Byrosë Nacionale të Hetimeve, brenda Policisë së Pavarur të Shtetit, dhe reformën e burgjeve; (mendoj se ndërsa Byroja Nacionale e Hetimeve kryen Hetimin Gjyqësor, ndersa Prokuroria merret me mbrojtjen e Shtetit dhe formulimin e akuzës) 3. Komisioni për Rishikimin e Ligjit mbi Partitë Politike, Ndarjes së re Administrative dhe Kodin elektoral.
Nuk bëhët fjalë më për komisione bipartizane, por për komisione ekspertësh të huaj, me asistencë të brendshme, njohëse dhe ndihmëse.
Nuk bëhet fjalë për reforma sektoriale, por për një sipërmarrjë të madhe reformuese, që do të synojë përforcmin e gjithë Shtetit dhe reformat ndërmjetëse mendoj se do të jenë në shërbim të Skemës së Republikës së Pestë, që duhet të jetë e qendrueshme, demokratike, puro shekullare dhe e europianizueme.
Kjo sipërmarrje nuk mund të jetë objekt i gjykimit të këtij Parlamenti aq shumë problematik, por do të duhej t’i adresohej drejtpërdrejtë sovranit për vlerësim, përmes referendumit, të njëkohëshem me zgjedhjet e përgjithshme.