Home KRYESORE “Qeveritë shqiptare, paragjykim dhe retorikë antiruse!

“Qeveritë shqiptare, paragjykim dhe retorikë antiruse!

Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, ne interviste me kryeredaktorin e gazetës “Shekulli” Elton Metaj, shprehet se murtaja e terrorizmit nuk njeh kufij dhe kërcënon gjithë botën e civilizuar. Duke folur për “Shekullin”, diplomati rus shpjegon arsyet e angazhimit ushtarak të Moskës në Siri, qëndrimin ndaj Asadit dhe kontaktet me vendet perëndimore.

Prej disa javësh, Rusia është angazhuar në mënyrë ushtarake në konfliktin sirian. Pse Moska mori një vendim të tillë?

Vendimi për të nisur një operacion në Siri u miratua sipas kërkesës së ardhur nga ana e autoriteteve siriane. Damasku zyrtar i dërgoi një kërkesë palës ruse për ndihmë ushtarako-teknike. Këshilli Federal i Rusisë e lejoi Presidentin për t’i përdorur Forcat e Armatosura jashtë kufijve të vendit. Pas këtij vendimi, më 30 shtator të këtij viti, Forcat Ajrore të Rusisë nisën sulmet ndaj pozicioneve të islamistëve në Siri.

Siç e shikoni, Rusia është i vetmi vend, i cili po përdor aviacionin e saj në qiellin sirian në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Vendimi për operacionin u ndërmorr, jo thjesht nga dëshira për t’iu përgjigjur thirrjes së Damaskut për ndihmë. Në fakt vetë Rusia është e interesuar për luftën kundër “Shtetit Islamik” dhe grupimeve të ngjashme me të. Siç dihet, ka shumë kohë që terroristët e ISIS-it e kanë shpallur Rusinë si armikun e tyre. Ata mbajnë kontakte me grupime radikale në vendet fqinje të Rusisë, si dhe në vetë Rusinë, dhe nuk i fshehin planet e tyre për të krijuar në vendin tonë një “kalifat”.

Për ne, kërcënimi nga ana e ISIS-it është real dhe tejet i dukshëm. Shikoni në hartë: “Shteti Islamik” po zhvillon aktivitetin e tij vetëm disa qindra kilometra nga kufijtë tanë dhe nga kufijtë e aleatëve tanë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive. Nuk duhet harruar, që në bandat e terroristëve luftojnë mijëra njerëz të ardhur nga Rusia dhe ish-republikat sovjetike. Është më se e kuptueshme, që nëse ata do të arrijnë të korrin sukses në Siri dhe Irak, atëherë do të kthejnë shikimin e tyre edhe në drejtimin tonë.

Ne nuk mund të presim derisa ata të trokasin në shtëpinë tonë. Pra, arsyeja kryesore e operacionit të aviacionit rus në Siri është domosdoshmëria për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar, duke e mbajtur këtë të fundit në distancë. Mendoj se pas rrëzimit të avionit rus në Egjipt dhe ngjarjeve tragjike në Paris, të paktë janë ata njerëz që ndihen të sigurtë. Iluzionet se “Shteti Islamik” gjendet diku larg, kanë mbetur në të kaluarën. Murtaja e terrorizmit nuk njeh kufij dhe kërcënon gjithë botën e civilizuar. Mënyra e vetme për të fituar është ta zhdukim atë, pikërisht atje ku ajo lindi.

Pas disa fushatash bombardimesh në Siri, mendoni se ishte rruga e drejtë ndërhyrja ushtarake?

Së pari, nuk janë thjesht “disa fushata”, por më shumë se një mijë fluturime dhe goditje me armë shumë të sakta. Së dyti, vetë formulimi i pyetjes nuk është shumë korrekt. Siç edhe e shpjegova, forcat ruse në Siri veprojnë jo vetëm në interes të atyre që luftojnë kundër islamistëve, por edhe në interes të sigurisë së vetë Rusisë dhe të të gjithë vendeve të civilizuara. Në këtë kontekst, legjitimiteti dhe domosdoshmëria e një veprimi të tillë vështirë që të vihet në dyshim. Sidomos, nëse do të marrim parasysh efikasitetin shumë të dyshimtë të sulmeve ajrore të kryera nga koalicioni perëndimor që, çuditërisht, kanë sjellë si pasojë vetëm zgjerimin dhe forcimin e “Shtetit Islamik”. Aktualisht, besoj edhe ju e dini, se pozicionet e luftëtarëve janë dobësuar, kurse forcat ushtarake siriane po ndërmarrin operacione ofensive. Në këtë fazë, efekti i veprimeve të aviacionit rus është ai që pritej të ishte.

Me angazhimin ushtarak të Rusisë në Siri, mendoni se konflikti është më pranë apo më larg zgjidhjes?

Për momentin është pak shpejt të nxjerrim konkluzione përfundimtare. Por, mund të themi me siguri të plotë se pa angazhimin e Rusisë, zgjidhja e konfliktit sirian vështirë të arrihet. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Moska nuk mund të marrë përsipër detyrime të tepërta dhe asnjëherë nuk e ka bërë këtë. Forcat ruse kanë një mision të qartë ”“ ta mbështesin nga ajri mësymjen e ushtrisë siriane kundër terroristëve. Prandaj, kohëzgjatja e qëndrimit të ushtarëve tanë në Siri do të përcaktohet duke nisur nga arritja e këtij objektivi. Në veprimet tona jemi gjithmonë të gatshëm të marrim në konsideratë çdo informacion për vendndodhjen e grupeve terroriste.

Madje, kemi eksperiencë bashkëpunimi me Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS). Aviacioni rus ka kryer disa sulme ndaj qëllimeve të definuara nga ULS-ja. Në të njëjtën kohë, kemi përjashtuar nga bombardimet ato zona që janë përcaktuar nga komandantët e ULS-së si zona nën kontrollin e tyre. Meqë ra fjala, kjo vërteton edhe një herë që ne nuk bombardojmë as të ashtuquajturën “opozitë e moderuar”, as civilët. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me Uashingtonin, pavarësisht faktit që veprimet e tij në Siri bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare: Nuk ka as rezolutë përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, as kërkesë nga udhëheqja siriane.

Për regjimin e Asadit ka tashmë prova se është përfshirë në krime kundër popullit të tij. Pse Moska e cilëson ende presidentin Asad një pikë referimi për gjetjen e zgjidhjes së konfliktit?

Në radhë të parë, dua të vë në dukje një fakt: Rusia asnjëherë nuk ka deklaruar se regjimi i Bashar al-Asadit është një regjim shembullor dhe se veprimet e presidentit sirian janë të pagabueshme. Moska nuk e ka idealizuar kurrë atë që po ndodh në Siri dhe gjithmonë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i ka informuar kolegët e saj në Damask për atë që, në këndvështrimin tonë, është e padrejtë ose e papranueshme. Megjithatë, ne e konsiderojmë Bashar al-Asadin president aktual të Sirisë, i cili mishëron qeverinë legjitime dhe interesat e qytetarëve sirianë, dhe të cilin nuk mund ta mos marrësh parasysh vetëm për arsye që ai nuk u përshtatet liderëve të disa vendeve të caktuara. Synimi i vetëm i Rusisë në Siri është të kontribuojë në arritjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse politike. Jemi të bindur se një zgjidhje e tillë mund të arrihet vetëm nëpërmjet një dialogu të gjerë mes sirianëve.

Prandaj, e mbështesim fort përparimin e procesit politik mes qeverisë siriane dhe opozitës në bazë të Komunikatës së Gjenevës të 30 qershorit 2012. Duhet theksuar se Rusia bashkëvepron, jo vetëm me Asadin, por është në kontakt edhe me opozitarët sirianë, të cilët disa herë kanë vizituar Moskën dhe të cilëve pala ruse gjithmonë ia ka përcjellë mesazhin për domosdoshmërinë e një procesi të mirëfilltë të bisedimeve. Qëndrimi i Moskës nuk konsiston te ruajtja e regjimit të Bashar al-Asadit, por te ruajtja e shtetit sirian si garanci për të ardhmen e suksesshme të popullit të Sirisë. Megjithatë, tani për tani vetëm regjimi i Asadit është i aftë të garantojë vazhdimësinë e pushtetit legjitim në vend dhe të parandalojë krijimin e një vakuumi politik, që mund të shfrytëzohet menjëherë nga terroristët.

A ka lidhje ndërhyrja ushtarake në Siri, me konfliktin në Ukrainë, pasi një pjesë e analistëve ndërkombëtarë mendojnë se angazhimi rus nxitet nga nevoja për spostimin e vëmendjes nga Ukraina, në Siri?

Konflikti në Siri dhe në Ukrainë nuk kanë asgjë të përbashkët dhe s’kanë lidhje fare me njëri-tjetrin. Deklarata të tilla janë absurde dhe janë të karakterit populist. Operacioni ushtarak në Siri është vazhdimi i përpjekjeve të Federatës Ruse për zgjidhjen e konfliktit sirian. Objektivi kryesor i këtij operacioni është asgjësimi i vatrës së terrorizmit dhe ekstremizmit ndërkombëtar.

Moska synon që t’i japë fund kërcënimit, përhapja e të cilit mund të ketë pasoja, jo vetëm për Sirinë apo vendet e rajonit, por edhe për gjithë botën, dhe tashmë ka propozuar krijimin me këtë qëllim të një fronti të gjerë ndërkombëtar kundër terrorizmit. Në këtë kontekst, duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe luftës mediatike që po bëhet kundër Rusisë dhe që ka marrë përmasa të paimagjinueshme pas fillimit të operacionit të Forcave Ajrore Ruse në Siri. Qëllimi i këtij agresioni propagandistik është prishja e besimit tek veprimet dhe deklaratat e qeverisë ruse. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje gazetarëve shqiptarë që t’u referohen vetëm burimeve të besueshme dhe i kujtojmë se të gjitha informacionet e sakta mbi operacionet tona në Siri gjenden në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në internet, me akses të hapur.

Së fundi ka ndodhur edhe një ngjarje e rëndë, me rrëzimin e një avioni rus në Egjipt. A ndihet e kërcënuar Rusia dhe populli rus?

Dihet tashmë me siguri se rrëzimi i avionit rus në Egjipt, që ka marrë jetën e 224 personave, ka ndodhur si rezultat i një akti terrorist. Në fakt, akoma para se të sqaroheshin shkaqet e katastrofës, udhëheqja e Rusisë mori një sërë masash parandaluese për garantimin e sigurisë të qytetarëve tanë. Sipas Dekretit të Presidentit Vladimir Putin të datës 8 nëntor 2015, kompanive ajrore ruse u është ndaluar përkohësisht të kryejnë transport pasagjerësh nga Rusia drejt Egjiptit.

Përveç kësaj, shteti ka marrë përsipër organizimin e kthimit në atdhe të qytetarëve rusë, të cilët gjenden në Egjipt. Sigurisht që pjesa më e madhe e tyre janë turistë. Transporti i bagazheve të tyre kryhet më vete për arsye sigurie. Për përmbushjen sa më efikase të këtyre objektivave, qeveria ka ngritur një shtab operativ me në krye zëvendëskryeministrin e Rusisë, Arkadij Dvorkoviç. Duhet të theksoj se këtu nuk bëhet fjalë për evakuim. Qytetarët tanë nuk janë të detyruar t’i ndërpresin pushimet e tyre para kohe dhe mund të qëndrojnë në Egjipt aq sa ua lejojnë paketat e tyre turistike.

Për sa i përket rrezikut të “Shtetit Islamik”, ashtu siç e theksova edhe më sipër, ai është aktual për mbarë botën e qytetëruar, përfshirë këtu edhe Rusinë. Akti terrorist i kryer në bordin e avionit tonë na detyron të ndërmarrim veprime të ashpra. Ministria e Jashtme e Rusisë i ka njoftuar zyrtarisht të gjithë partnerët tanë të huaj se organet kompetente ruse kanë nisur gjetjen e kriminelëve. Puna për kapjen e tyre do të zgjasë deri sa të gjithë ata që janë përfshirë në këtë krim të identifikohen, të gjenden dhe të dalin para drejtësisë, kudo që të ndodhen. Fajtorët duhet të marrin dënimin e merituar. Ky sulm barbar ndaj qytetarëve rusë i jep vendit tonë të drejtën për të vepruar në bazë të nenit 51 të Kartës së OKB-së, që parashikon të drejtën e shteteve për vetëmbrojtje. Gjithashtu, Moska i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të kryejë sa më parë dakordësimin e projektrezolutës ruse për krijimin e një fronti të gjerë kundër terrorizmit në bazë të normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Si duhet konceptuar bashkëpunimi ndërkombëtar kundër ISIS-it pas aktit terrorist në bordin e avionit rus, ngjarjeve tragjike në Paris dhe takimit G20?

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, është shprehur se ngjarjet në Paris duhet ta bindin edhe skeptikun e fundit se pasiviteti në luftën kundër terrorizmit nuk mund të justifikohet me asgjë. Me të vërtetë, sa vjen e më shumë partnerët tanë po fillojnë të kuptojnë se krijimi i një koalicioni efektiv dhe gjithëpërfshirës kundër ISIS-it sot e kësaj dite duket jetik. Më 14 nëntor në Vjenë, nën kryesimin e Rusisë, SHBA-ve dhe OKB-së, është zhvilluar takimi i dytë në nivel ministror i Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (GNMS), ku pjesëmarrësit kanë rikonfirmuar se e ardhmja e Sirisë duhet vendosur vetëm nga vetë populli sirian.

Dhe ky, ndoshta, do të jetë parimi thelbësor, mbi të cilin do të ndërtohet bashkëpunimi ndërkombëtar në Siri. Veç kësaj, palët ndanë të njëjtin mendim për domosdoshmërinë e krijimit të një delegacioni të përbashkët të opozitës siriane për të zhvilluar bisedime me Damaskun zyrtar. Gjatë një periudhe gjashtëmujore sirianët duhet të bien dakord për përbërjen e qeverisë së unitetit kombëtar, dhe pastaj gjatë 18 muajve duhet të kryejnë një reformë kushtetuese dhe të mbajnë zgjedhjet. Pra, të gjithë pjesëtarët e GNMS-së janë shprehur qartë për një proces të qëndrueshëm politik, i cili duhet të mbështetet tek Komunikata e Gjenevës të 30 qershorit 2012. Një kusht i rëndësishëm i zbatimit të këtij procesiduhet të jetë roli drejtues i OKB-së që përfaqësohet nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon për Sirinë, Staffan de Mistura.

Na vjen mirë që Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka mbështetur propozimin e Rusisë për të përfshirë në deklaratën përfundimtare të GNMS-së një kërkesë për zbatimin e Rezolutës Nr. 2199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila e ndalon tregtimin e paligjshëm të naftës që vjen nga vendburimet e pushtuara nga ISIS-i. Po ashtu, anëtarët e GNMS-së kanë përparuar në hartimin e një liste të përbashkët të organizatave terroriste në Siri ku, krahas ISIS-it dhe Frontit Al-Nusra, duhet të listohen edhe grupime të tjera terroriste, të cilat do të jenë për Rusinë dhe SHBA-të një objektivi ligjshëm i përbashkët. Mund të themi me siguri që takimi në Vjenë ka qenë shumë frytdhënës, dhe nuk është për t’u çuditur që edhe në samitin e fundit të G20 në Antalia rezultatet e këtyre bisedimeve janë vlerësuar shumë lart.

Një hap i rëndësishëm në rrugën e konsolidimit të forcave ndërkombëtare kundër terrorizmit ka qenë vendimi i Francës për të dërguar në zonën e konfliktit aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”. Avionët e nisur nga kjo anije kanë kryer disa sulme ndaj pozicioneve të terroristëve. Kryeministri britanik David Kameron gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për t’u bashkuar me koalicionin e udhëhequr nga Rusia. Mendoj se, duke bashkuar potencialin diplomatik dhe ushtarak të të gjithë aleatëve, do t’ia dalim t’i japim kësaj force barbare një goditje fatale. Kryesorja është që aleatët të jenë realë dhe të mos jenë vetëm formalë. Për fat të keq, ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar se disa anëtarë të koalicionit nganjëherë veprojnë në interes të terroristëve, madje, siç ka ndodhur në rastin e sulmit të pajustifikueshëm ndaj bombarduesit rus SU-24, ata mund të kryejnë edhe një agresion të hapur. Megjithatë, kjo është temë e një bisede tjetër.

Si i vlerësoni aktualisht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë, në planin politik?

Fatkeqësisht, këtu kemi disa probleme. Marrëdhëniet tona zhvillohen shumë ngadalë, ndonëse nuk ka asnjë pengesë objektive për avancimin e tyre. Po ju sjell një shembull të thjeshtë: Sesionet e Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri nuk janë mbajtur asnjëherë që prej vitit 2009. Pra, tashmë ka 6 vjet që ky forum i përbashkët, i cili është konceptuar për dialog, për diskutimin e nismave dhe projekteve bilaterale dhe për vendosjen e kontakteve të reja, në fakt për momentin nuk po shfrytëzohet.

Pala shqiptare, për fat të keq, nuk tregon vullnetin e duhur politik për të rinisur punimet e këtij forumi. Gjithashtu,Tirana, pa shpjeguar shkaqet, po zvarrit nënshkrimin e disa dokumenteve dypalëshe ndërinstitucionale në fushën e luftës kundër trafikut të drogës. Kjo ndodh pavarësisht se në vitin 2011, Shërbimi Federal i Rusisë për Kontrollin e Trafikut të Narkotikëve dhe Ministria e Brendshme e Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Është e njohur se për Shqipërinë trafiku i lëndëve narkotike është një sfidë serioze. Dhe Rusia, nga ana e saj, mund të ndante me ju eksperiencën e pasur në luftën kundër këtij rreziku.

Kur i pyes zyrtarët shqiptarë, përse Rusia këtu në vendin tuaj nganjëherë nuk konsiderohet si partner potencial i rëndësishëm, shpesh dëgjoj një argument shumë të çuditshëm: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE dhe ka angazhime të caktuara që rrjedhin nga ky status. Dhe pikërisht këto angazhime gjoja e pengojnë bashkëpunimin me Rusinë. Pra, solidariteti me një bllok mbizotëron mbi pragmatizmin dhe përfitimin e ndërsjellë. Kur i kujtoj kolegëve shqiptarë se vendet anëtare të NATO-s dhe të BE-së, si Greqia, Sllovenia, Hungaria dhe shumë të tjera, vazhdojnë dialogun me Rusinë, bashkëbiseduesit e mi zakonisht nuk kanë një përgjigje për të kthyer.

Më duhet të theksoj se Rusia synon të ketë raporte të mira me përfitim të ndërsjellë me të gjitha vendet mike. Dhe Shqipëria është një nga këto vende. Deri tani, anëtarësimi në NATO dhe BE nuk ka penguar asnjë shtet të zhvillojë marrëdhëniet me Rusinë. Shpresoj që edhe qeveria shqiptare do të heqë dorë përfundimisht nga paragjykimet dhe nga retorika antiruse, dhe nuk do të dëgjojmë më deklarata për “kërcënimin rus” në Evropë dhe Ballkan.

Po në sferën ekonomike? A ka interes të kompanive ruse për Shqipërinë? A është e hapur Shqipëria ndaj tyre?

Për fat të keq, gjendja e marrëdhënieve ekonomike midis vendeve tona është larg nga idealja. Gjatë viteve të fundit vëllimi tregtar arrin vetëm rreth 100-110 milionë dollarë në vit, ku kjo shifër përbëhet pothuajse tërësisht nga eksporti rus në Shqipëri. Megjithatë, kemi patur një shans për të ndryshuar këtë situatë për më mirë. Siç e mbani mend, në vitin 2014, vendet e Perëndimit i vunë sanksione ndaj Rusisë dhe, për rrjedhojë, Rusia ishte e detyruar t’i përgjigjej me kundërmasat e saj, ndër të tjera me ndalimin e importeve në Rusi të prodhimeve bujqësore. Shqipëria, pavarësisht se iu bashkua sanksioneve antiruse, nuk u përfshi në listën e vendeve që iu nënshtruan embargos ruse. Ishte një shans i mrekullueshëm për prodhuesit bujqësorë shqiptarë për t’u futur në tregun e stërmadh rus. Edhe ne, nga ana jonë, ishim të interesuar për këtë. Në muajt e vjeshtës 2014, dhe ky është një fakt interesant, eksportet shqiptare drejt Rusisë u rritën shumëfish, por për fat të keq, u ndërprenë pas zbulimit të falsifikimeve në shkallë të gjerë të certifikatave fitosanitare.

Këtë verë që kaloi, Shqipëria përsëri iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë. Pas këtij momenti, Shqipëria u përfshi në listën e kundërmasave ruse. Por duhet të keni parasysh se kjo ndodhi vetëm në gusht të këtij viti. Siç e kuptoni edhe ju besoj, në një situatë kur Shqipëria u bashkohet sanksioneve antiruse, ndërsa Rusia është e detyruar t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë, nuk mund të flasim për zhvillimin normal të marrëdhënieve tona ekonomike. Sa u përket fushave të tjera të bashkëpunimit ekonomik, pavarësisht nga potenciali i madh i pashfrytëzuar, prapëseprapë, fatkeqësisht, nuk kemi arritje të veçanta. Ju më pyesni, nëse ka interes nga kompanitë ruse për Shqipërinë. Po, sigurisht që ka, veçanërisht nëse flasim për sektorine naftës dhe gazit, nxjerrjen e mineraleve dhe fushën e energjisë. Këtu bëhet fjalë për kompani shumë të mëdha, të cilat janë liderë, jo vetëm në tregun rus, por edhe në atë botëror.

A është e hapur Shqipëria ndaj tyre?

Këtë pyetje më mirë ia bëni autoriteteve shqiptare. Po ju them vetëm kaq: përfaqësuesit e disa prej këtyre kompanive kanë ardhur në Tiranë, kanë udhëtuar nëpër Shqipëri, i kanë studiuar në mënyrë të hollësishme mundësitë për të hyrë në tregun vendas dhe janë takuar me zyrtarët shqiptarë, përfshirë edhe ata të nivelit shumë të lartë. A janë prezente tani kompanitë ruse në Shqipëri? Jo, nuk janë prezente. Kështu që pyetjes nëse Shqipëria është e hapur ndaj tyre mund t’i përgjigjeni vetë. Sot për sot ndodhemi në një situatë kur ekonomia është marrë peng nga politika. Kjo nuk është e drejtë. Nga kjo gjë vuajnë të dyja palët, dhe kryesorja, vuajnë popujt tanë. Duke u shprehur me gjuhën e ekonomistëve, ne po e humbasim leverdinë. Lidhur me këtë, edhe një herë dua të theksoj se Rusia është gjithmonë pro marrëdhënieve pragmatike. Lufta e sanksioneve e nisur nga Perëndimi dhe e mbështetur nga Shqipëria është kundërproduktive. Po presim atë moment kur partnerët tanë do ta kuptojnë këtë fakt të thjeshtë. Jemi të hapur për dialog.

Sa ndikon negativisht qëndrimi rus ndaj Kosovës në marrëdhëniet Moskë-Tiranë?

Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia, Qiproja, Bosnja dhe Hercegovina, Kina, India, Argjentina, Brazili, Izraeli ”“ të gjitha këto vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por, me të gjitha këto vende Shqipëria ka raporte normale dhe pozitive. Gjithsej janë më shumë se 60 shtete që s’e kanë njohur Kosovën. Dhe unë nuk e kam të qartë se pse pikërisht marrëdhëniet ruso-shqiptare aq shpesh shihen si të varura nga çështja e Kosovës. Po, Moska me të vërtetë i përmbahet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, e cila ka konfirmuar përkushtimin e vendeve-anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë së atëhershme. Por më duhet të përsëris: Rusia nuk është e vetme këtu, meqë dhjetëra vende të tjera e përkrahin qëndrimin tonë. Kështu që shkaqet e ftohjes së marrëdhënieve Rusi ”“ Shqipëri duhet t’i kërkojmë jo në Prishtinë, por diku tjetër.

Si e shikoni të ardhmen e Ballkanit?

Jam i bindur se e ardhmja e Ballkanit do të jetë paqësore dhe e qëndrueshme vetëm nëse popujt, që jetojnë në rajon, do të vendosin vetë për fatin e tyre, duke u nisur nga interesat e mirëfillta kombëtare dhe duke i respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare. Vetëm kur realizohen interesat kombëtare dhe zbatohet ligji, qytetarët mund ta ndiejnë lidhjen e vërtetë me vendin e tyre. Por në qoftë se interesat e elitave në pushtet dhe të forcave që qëndrojnë mbas tyre janë mbi interesat e popullit, atëherë nuk besoj të ketë mundësi për ndonjë të ardhme të ndritur. Më duket se pikërisht moskuptimi i kësaj të vërtete të thjeshtë ka sjellë lindjen e një problemi shumë serioz: sot, bashkëpunimi ekonomik, humanitar dhe çdo fushë tjetër në Ballkan i janë nënshtruar politikës.

Marrëdhëniet e vendeve ballkanike me njëri-tjetrin dhe me partnerët e tjerë janë tejet të politizuara. Situata përkeqësohet edhe nga veprimtaria destruktive e atyre, që qëllimisht i vendosin vijat ndarëse mes vendeve të rajonit, duke i përshkallëzuar tensionet mes tyre deri në nivel të papranueshëm. Sovraniteti i vërtetë, bashkëpunimi ekonomik me përfitim reciprok dhe shkëmbimet humanitare, në këndvështrimin tim, janë ata elementë që përbëjnë një të ardhme të suksesshme të Ballkanit. Dua t’ju kujtoj se Rusia gjithmonë ka synuar dhe vazhdon të synojë krijimin e një hapësire unike ekonomike dhe humanitare nga Atlantiku deri në Paqësor në bazë të sigurisë së përbashkët dhe të pandarë për të gjithë.

Share: