Home KRYESORE Reflektim në ditën ndërkombëtare të filozofisë!

Reflektim në ditën ndërkombëtare të filozofisë!

Nga Perparim Kabo

Në ditën ndërkombëtare të filozofisë ka vend dhe ngasje për reflektim. Benjamin Barbier në librin e tij “McWorld kundër Jihadit”, nënvizon se një popull apo një komb e siguron unitetin nga filozofija fetare dhe nga filozofia laike shkencore. Ne në realitetin tonë me një popullësi që ka më shumë se një besim fetar na mbetet që t’i drejtohemi filozofisë.

Por se a ka një kuptim të drejtë për të? Në shkolla filozofia është spostuar gati gati e braktisur dhe forma të tjera të ndërgjegjes teorike kanë dalë në krye pa motiv bindës. Studimet fundamentale që nga antikiteti deri në ditët tona, do duhet të prevalojnë nëse vërtetë ka një kornizë kurrikulare ku veç disa lëndëve të detyrueshme, të ketë një listë të bollshme me lëndë me zgjedhje, ku edukimi filozofik dhe ai human në tërësi të prevalojë.

Fareed Zakaria e quan jo të drejtë qëndrimin e autoriteteve të SHBA-s ku për hirë të studimeve teknologjike, duhet që gjithçka të orientohet nga shkencat natyrore dhe kryesisht matematika si dhe programimet informatike. Bota e sotëme ka humbur njeriun ndaj nevojiten filozofi për ta fituar atë, për ta rikthyer njeriun si kryeinstitucion.

Tek ne në Shqipëri mungojnë edukime filozofike dhe antropo-filozofike si psh, “filozofia e së vërtetës”, “filozofia e komunikimt”, “filozofia e kreativitetit”, “filozofia e relativitetit antidogmatik” “filozofia e historise”, “filozofia e gjuhës”, “filozofia e identitetit,” “filozofia e tregut,” ”filozofia antropologjike”, “filozofia e ligjit”, “filozofia e artit”, filozofia e ekosistemeve”, etj etj.

Këto lloje filozofish në aspektin metodologjik vënë në qendër problematikën dhe pastaj ndërtojnë referimet vertikale dhe horizontale tek filozofë dhe shkolla filozofike. Gjendja është e rëndë, kemi një shoqëri pa mendim, një shoqëri që vegjeton dhe nuk ka asgjë ideale të shtyjë për ndryshim, për oponencë dhe kundërshtime të argumentuara dhe që njëherësh ofrojnë alternativa zgjidhjesh. Media në Shqipëri ka frikë nga filozofia dhe merret me ngjarje terreni, ndaj shpesh ngjan më shumë me një stacion treni të zhurmshëm.

PK 19/11/2015

Share: